Albspirit

Media/News/Publishing

Shteti më i ri që njeh pavarësinë e Kosovës

Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kanberra të Australisë është nënshkruar Komunikata e Përbashkët për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Pavarur të Samoas. Në emër të Republikës së Kosovës Komunikata është nënshkruar nga Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Australi Dr. Sabri Kiçmari, kurse në emër të Shtetit të Pavarur të Samoas Komunikata është nënshkruar nga Shefja e Misionit Diplomatik të Samoas në Australi, Komisionerja e Lartë z. Hinauri Petana.

Ambasadori Kiçmari e ka falenderuar Komisioneren e  Lartë, Qeverinë dhe popullin e Samoas për përgjigjien pozitive për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve duke thënë se ka qenë i nderuar të vizitonte Samoan tetorin e vitit të kaluar, të takonte Kryeministrin Tuilaepa Lupesoliai Sailele Malielegaoi dhe përfaqësues tjerë shtetëror të Samoas në kuadrin e angazhimit për thellimin e marrëdhënieve miqësore në mes të dy vendeve: “Ne gjendemi gjeografikisht në dy pjesë të ndryshme të botës, por ndajmë shumë vlera të përbashkëta, që na bashkojnë. Ekselenca juaj, mund t’ju konfirmoj se Samoa e ka një mik të mirë në Evropën Juglindore: miku juaj është dhe do të mbetet Republika e Kosovës.”

Komisionerja e Lartë e Samoas ka deklaruar se e ndjen veten të nderuar që Qeveria e Samoas e ka autorizuar të nënshkruaj lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës, duke konsideruar se “ky është një moment shumë i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona.”

Në Komunikatën e Përbashkët ndër të tjera thuhet se “Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Shtetit të Pavarur të Samoas të udhëhequra nga gatishmëria e tyre për të promovuar lidhjet e miqësisë mes dy vendeve, zgjerimin e horizonteve të bashkëpunimit të ndërsjellë, dhe mbështetjen e kauzës së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare kanë vendosur të lidhin Marrëdhënie Diplomatike në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike të vitit 1961, të gatshëm që përmes këtij hapi të forcojnë bashkëpunimin frytdhënës në sferën politike, ekonomike, tregtare, teknike dhe kulturore dhe në fusha tjera me interes të ndërsjellë, dhe duke ju përgjigjur aspiratave të të dy vendeve për marrëdhënie dhe kontakte miqësore”.

Please follow and like us: