Albspirit

Media/News/Publishing

Zaev paraqet programin e qeverisë së re

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, të premten në një konferencë për shtyp ka prezantuar programin qeveritar, me ç’rast tha se Maqedonia do të jetë shtet për të gjithë dhe që synon integrimet euro-atlantike, ndërsa veprimet e presidentit George Ivanov dhe kreut të VMRO-DPMNE i quajti si lojë të rrezikshme.

Ai ka theksuar se Qeveria e re do të angazhohet për anëtarësim në NATO dhe BE, ndërkohë që do të bëjë përpjekje maksimale për zgjidhjen e krizës.

“Askush nuk ka të drejtë t’i bllokojë proceset demokratike. Kjo lojë e rrezikshme e Gruevskit dhe Iavnovit, nuk guxon të vazhdoj të ju shqetësoj edhe më tej”, tha Zaev.

Ai ka bërë të ditur se programi i Qeverisë së re, përmban parimet e programit parazgjedhor të LSDM-së, ku synohet zhvillimi ekonomik, kthimi i demokracisë dhe sundimi i së drejtës, transmeton KosovaPress.

“Maqedonia do të jetë shtet për të gjithë, nuk do të ketë të afërt dhe jo të afërt me pushtetin. Republika e Maqedonisë do të hapërojë drejt BE-së dhe NATO-s, për ta arritur këtë do t’i përmbushim të gjitha reformat e nevojshme, sepse kjo mundëson një jetë me kualitet për të gjithë qytetarët”, ka thënë Zaev.

Ai ka premtuar se në vend do të ketë sistem gjyqësor të pavarur dhe efikas, media të pavarura, ndërsa administrata do të punojë pa presione partiake. Po ashtu, Zaev theksoi se qeveria e re do të përkushtohet në zbardhjen e plotë të rastit të Kumanovës dhe do të kërkojnë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Duke folur rreth Ligjit për gjuhët, kreu i LSDM-së tha se do të mbështesin politikë gjuhësore për të gjithë qytetarët.

“Do të mbështesim ndryshime ligjore në pajtim me amendamentin 5 të Kushtetutës, që t’i mundësojmë bashkësisë etnike shqiptare që të komunikojnë në gjuhën e tyre amtare me të gjitha institucionet shtetërore. Do të ketë ndëshkime për të gjitha institucionet që nuk do të respektojnë këto vendime”, ka thënë Zaev.

Please follow and like us: