Albspirit

Media/News/Publishing

Gjykata Kushtetuese “zgjat” mandatin e KLD-së

Zbardhen detaje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin e statusit të gjyqtarëve.
Mësohet se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që anëtarët e KLD-së të vazhdojnë punën deri në krijimin e institucionit të ri, mes tyre edhe KLGJ-së.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të vazhdojë funksionin e tij deri në krijimin e institucioneve të reja, konkretisht Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Kështu shprehet në shkurtimin e vendimit Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të zbardhë vendimin e arsyetuar, të ankimuar nga Shoqatat e Gjyqtarëve të Shqipërisë. Sipas këtij vendimi, thuhet se Gjykata ka vendosur që anëtarët e KLD-së të vazhdojnë detyrën, si në emërime, transferime, komandime apo masa disiplinore ndaj gjyqtarëve, derisa të krijohen institucionet e reja.

Gjykata thonë burimet, ka arsyetuar se nuk mund të kalojnë në kolaps institucionet dhe deri në krijimin e KLGJ-së institucioni i KLD-së do të vazhdojë me të gjithë tagrin që ia jepte ligji.

Në një nga pikat ku Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Kuvendin në “Ligjin e ri për statusin e gjyqtarëve, është edhe fakti se asnjë gjyqtar nuk mund të transferohet në një gjykatë tjetër pa pëlqimin e tij.

Ndryshe siç ishte planifikuar në ligjin e ri që gjyqtarët mund të transferoheshin nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit edhe pa miratimin e gjyqtarit. Burimet thonë se të njejtin qëndrim, Gjykata Kushtetuese ka mbajtur edhe për Prokurorin e Përgjithshëm, i cili do të vazhdojë funksionimin me ligjin e vjetër deri në krijimin e institucioneve të reja, si Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Në vendimin që pritet të zbardhet, thuhet se Prokurori i Përgjithshmë do të vazhdojë të bëjë emërimet, transferimet dhe komandimet në institucionet e akuzës, bazuar në ligjin e vjetër deri në krijimin e institucioneve të reja.

Në një nga nenet e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese, mësohet se është edhe ai i moshës së pensionit për gjyqtarët. Ku është shfuqizuar neni ku parashikohej që edhe gjyqtarët dalin në pension me ligjin e zakonshëm. Gjykata, ka vendosur që gjyqtaret të mbesin në detyrë deri në moshën 65 vjeçare, siç e kishte parashikuar ligji i vjetër, ku specifikisht te ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor parashikohet pjesa e pensionit.

Edhe kontestimi i gjyqtarëve për mësimdhënien, mësohet se është pranuar nga Gjykata Kushteuese e cila shfuqizoi nenin ku parashikohej që gjyqtarët vetëm 200 orë në vit mund të japin mësim dhe jo më shumë.

Ky parashikim u shfuqizua, duke lënë në fuqi pjesën e ligjit të vjetër ku mund të japë mësim pas orarit zyrtar të punës deri sa mund të përballojë. Gjithashtu mësohet se gjykata Kushtetuese ka refuktuar në ligjin e ri edhe masat disiplinore ndaj gjyqtarëve, por që me zbardhjen e vendimit do të jepen detaje për rastet konkrete.

Ky ligj, tashmë i shfuqizuar pjesërisht nga Gjykata Kushtetuese, ka ndikuar në të gjithë paketën e ligjeve të krijuar më pas,të cilat do të rishikohen.

Please follow and like us: