Albspirit

Media/News/Publishing

Henri Çili kërcënon akademikun Fuga: Do të padis në gjykatë

Pronari i UET, Henri Cili ka replikuar sot me filozofin Artan Fuga duke paralajmëruar atë se do ti drejtohet gjykatës nëse vijon të sulmojë personalisht Cilin apo edhe universitetin. Henri Cili bashkë me gazetën e tij Mapo i është kundërvënë Fugës fill pasi ai mori anën e protestave të opozitës ndërkohë që administratori i UET vijon të kërkojë edhe një mandat të ri për qeverinë e Edi Ramës.

Cili bën një paraqitje të marrëdhënieve të tij me Fugën ku pranon se e ka ndihmuar dhe inkurajuar të përfundojë doktoraturën në Paris dhe e ka furnizuar Cilin me ide dhe mundësi të reja për zhvillimin e UET. Në vijim ai sulmon akademikun për shkak se i është kundërvënë ligjit të ri të arsimit të lartë për shkak se favorizon universitetet private. Cili përshkruan se Fuga ka punuar në 4-5 universitete private për shumë vite ku ka është shpërblyer me rreth 400 mijë euro duke u nisur nga llogaria e tij. Ai thotë se ka paguar Fugën për disa vite me rreth 110 mijë euro. “Vetëm në Universitetin Europian të Tiranës profesor Fuga ka marrë më shumë se 110 mijë Euro pagë, si mësimdhënie ose si konsulent akademik. I ka merituar dhe ka respektuar çdo gjë të kontratës që kemi pasur. Imagjinoni një gjë e tillë e shtrirë në 4-5 universitete dhe në vite të tëra duhet të jetë së paku 400-500 mijë Euro. Nëqoftëse qëndron vetëm 4 ose 5 muaj në Shqipëri në punën që paguhesh me paratë publike, në qoftë se ti ke marrë 400-500 mijë Euro nga sektori privat, përse të mos u ofrosh të tjerëve supën e ftohtë dhe të shpifur të universitetit shtetëror?”, thotë Cili.

Në vijim Cili zbërthen raportet e tij me Fugën lidhur me përcaktimet e ditës në politikën shqiptare.

“E fundit, por sidoqoftë t’i kthehemi të parës, angazhimi juaj profesor Fuga në lidhje me kauzën e fundit të opozitës është absolutisht i mirëpritur, madje është i vonuar, sepse në jetën publike gjithkush është i mirëpritur dhe nuk mund të gjykohet nga qëllimet, idetë dhe pikëpamjet dhe nuk duhet t’i lejojë vetes të gjykohet nga të tjerët. Askush nuk duhet t’ju gjykojë profesor Fuga se përse e bëni këtë dhe nuk keni të drejtë të gjykoni kënd përse mban një qëndrim apo jo.

Le të vijmë te argumentet, duke flakur tej statuset, qëllimet, arsyet, inkonshin, arsyen e tërthortë apo të drejtpërdrejtë, sepse në fund të fundit ndoshta na shkon më mirë shprehja “Ne jemi të gjithë të angazhuar, ne jemi të gjithë të pavarur”. Si përfundim, profesor Fuga në këtë debutim të ri tëndin në angazhimin direkt në politikë, shumë të mirëpritur, dua të theksoj diçka, më shumë se sa për ju, për Lulzim Bashën. Nuk di nëse ju jeni angazhuar me Bashën ngaqë ai ka thënë se do të anulojë ligjin e arsimit të lartë, por e vërteta është se jeni duke e ndotur me ca punizëm diskurin e Lulzim Bashës, madje me shumë punizëm diskurin e një partie të djathtë. Me tezat tuaja që shpesh herë i merr zoti Basha, të tipit “të heqim financimin privat për partitë politike”, “asnjë para publike për sektorin privat”, “të forcojmë sektorin shtetëror në shërbimet publike” etj., Lulzim Basha është duke tradhtuar frymën liberale, është duke deformuar karakterin e djathtë të programit të Partisë Demokratike dhe mbi të gjitha është duke mohuar vetveten e shkuar, por pa e thënë këtë. Është zgjedhja e tij, është basti elektoral dhe në një farë mënyre publiku do ta vlerësojë.

Si përfundim, kam pasur një vëmendje të shtuar ndaj jush për shkak të ideve tuaja, pikëpamjeve tuaja dhe të diskurit tuaj filozofik. Ndërsa nuk kam aspak interes ndaj rolit aktual, atë të një njeriu të angazhuar publik dhe politik, sepse nuk keni marrë asnjë pozicion origjinal, thjesht keni rënë në një përtëritje të kamufluar të punizmit. Këtë rolin tuaj të fundit e njoh vetë mirë, militoj prej vitesh në kampin e ideve liberale dhe reformuese. Prej profesionit tim të vjetër si ish-gazetar apo rolit të sotëm si botues, e kam parasysh çfarë ndodh, pse bëhet dhe si bëhet”, shkruan Cili.

Në fund Cili nuk përmbahet. Ai kërcënon mikun tij me të cilin pretendon se ka vetëm përpalsje idesh dhe qëndrimesh se do ta dërgojë në gjykatë pikërisht për qëndrimet që akademiku Fuga ka për universitetet private, ligjine arsimit të lartë, reformat në arsim, qeverinë Rama dhe vetë Henri Cilin.

“PS: Lidhur me Iniciativën për Tiranën e vitit 2011, ju them se gënjeni plotësisht. Ajo nismë, për të cilën jam krenar se prodhoi politikanin Lulzim Basha, nuk ishte e UET, vetëm 3 nga 31 pjesëtarët e asaj liste njerëzish të respektuar në qytet, të majtë e të djathtë, ishin atëherë pedagogë të brendshëm në UET. Ne ftuam pa hile të dy kandidatët në debat për qytetin dhe askush nuk pati ndonjë presion për të marrë pjesë. As ti. Por meqë kam nisur të merrem me ju, kjo është e fundit gënjeshtër dhe insinuatë që ua fal. Pas kësaj, do të jetë zyra juridike që do të merret me deklaratat tuaja ose të kujtdo tjetër nëse ato do të përbëjnë “shpifje, fyerje, dëmtim të reputacionit”. Paratë e dëmshpërblimit që do të fitoj nga këto padi do t’i çoj në favor të veprimtarive të mia jofitimprurëse, në kuadrin e Institutit Europian PASHKO për të promovuar frymën liberale në këtë vend”, përfundon Cili.

Please follow and like us: