Albspirit

Media/News/Publishing

The Economist: Maqedonia drejt një konflikti etnik

“Rënia e Maqedonisë merr vëmendjen e Evropës” është analiza që revista prestigjioze britanike ”The Economist” ia ka kushtuar Maqedonisë, ku thotë se tensionet me politikanët shqiptarë mund të degjenerojnë në konflikt.

Analiza fillon me mendimin e profesorit universitar, Veton Latifi, i cili, sipas ”The Economist” dëshpërueshëm deklaron se në një kohë normale, Maqedonia ka prirje të injorohet, por bota nuk e bën këtë gjë tani, raporton INA.

Ai shton se politikanët perëndimor janë vërsulur drejt Shkupit, Rusia është duke lëshuar paralajmërime, kurse gazetat serbe deklarojnë se lufta po afrohet. Për Latifin, rëndësia gjeopolitike është duke iu kthyer Ballkanit.

Analiza vazhdon me krizën që sipas ”The Economist” filloi me një grinde për koalicion, pasi BDI-ja vendosi që të mos bashkëpunojë më tej me VMRO-DPMNE-në, ndërkaq presidenti Ivanov nuk ia dha mandatin LSDM-së, duke thënë se kërkesat e shqiptarëve do ta ”shkatërronin” vendin.

Për revistën në fjalë, kriza politike i ka rrënjët në vitin 2015 kur LSDM-ja filloi të publikojë përgjimet e paligjshme që përfshijnë Nikolla Gruevskin. Rrjedhimisht u formua Prokuroria Speciale Publike që do të merret me këto përgjime, ndërkaq mbështetësit e VMRO-DPMNE-së filluan akuzat ndaj George Soros për konspiracion ndaj Maqedonisë, por është akuzuar edhe Federica Mogherini.

Në këtë ngatërresë janë përfshirë edhe disa kongresmenë amerikan që kanë simpati për VMRO-DPMNE-në dhe e kanë sulmuar ambasadorin amerikan në Shkup Jess Baily, gjoja si vegël e Sorosit.

Revista konsideron se Ali Ahmeti është në qendër të krizës politike dhe se hyrja në qeveri me Gruevskin i ka kushtuar në mbështetje, por ”The Economist” përmend edhe gjuhën shqipe dhe PSP-në.

”The Economist” ka marrë edhe mendimin e Nikolla Poposkit, ministër i Jashtëm, i cili thotë se kërkesat për gjuhën shqipe e rrezikojnë unitetin dhe sovranitetin e Maqedonisë.

Revista përmend edhe deklaratat e Ali Ahmetit se e ka punë mjaft të vështirë që t’i mbajë nën kontroll radikalët dhe nacionalistët shqiptarë, duke hedhur poshtë planet për një Shqipëri të Madhe dhe konsideron se rruga më e mirë është përshpejtimi i Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.

Please follow and like us: