Albspirit

Media/News/Publishing

Kisingeri i Rusisë

I quajtur “Mister niet”, është një prej këshilltarëve më të afërt me Vladimir Putinin dhe autori kryesor i suksesit diplomatik të Rusisë. I vendosur në krye të diplomacisë së Moskës nga marsi i 2004, bashkë me Ministrin e Mbrojtjes Sergej Shogu, është një shtyllë e rilindjes ruse

Në Sheshin Smolenskaia, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, në ndërtesën neoklasike staliniane të ndërtuar pas vitit 1945 me punën e të burgosurve të luftës gjermanë, Sergej Viktoroviç Lavrov (vitlindja 1950) ka arritur tashmë aradhën e ministrave të mëdhenj që kanë shënuar politikën e jashtme e Rusisë moderne. Nëse nuk e ka arritur akoma, në termat e jetëgjatësisë, rekordin e Andrei Gromikos, në detyrë për 28 vjet e 137 ditë (nga shkurti 1957 deri në korrik 1985), Lavrov po arrin atë të Viaçesllav Molotovit (ministër nga maji 1939 në mars 1949 dhe nga marsi i 1953 në qershorin e 1956, për një total prej 13 vjetësh dhe 29 ditësh), dhe ka kaluar tashmë atë të Maksim Litvinovit (8 vjet dhe 286 ditë, nga korriku i 1930 në majin e 1939) dhe të Eduard Shevarnadzes (5 vjet e 197 ditë, nga korriku i 1985 në janarin e 1991).

Stazhieri sovjetik

Sergej Lavrov e njeh veten në një model: Aleksandër Gorshakov (1798 – 1883), Ministri i Jashtëm i madh rus i Carit Aleksandri i II-të Romanov nga 1856 në 1882. Lavrov kalon çdo ditë përpara portretit të tij, në galerinë e ministrave që ndodhet në katin e 7-të të ministrisë. Me miqtë e tij, ai ndalet nganjëherë përpara bustit të Gorshakovit për të rrëfyer fatin e këtij personazhi të madh që restauroi pozicionin e Rusisë përballë fuqive europiane pas humbjes së pësuar në Krime prej koalicionit franko – anglo – turko – piemontez (1853 – 1856). Nën pamjen e tij prej bulldog rus të kequshqyer, Lavrovi është një personazh që i habit bashkëbiseduesit e tij për kulturën e konsiderueshme, ashtu edhe për aftësinë e madhe të pinës. Këto janë karakteristikat që kanë tërhequr Vladimir Putinin, pavarësisht diferencave të thella midis dy personazheve. Nëse Lavrovi, ashtu si Putini, është një shahist i talentuar, ai është edhe, në ndryshim nga Putini, një pëlqyes i madh i uisqeve markë dhe i cigareve apo i purove që i tymos kudo, edhe kur dhe ku është e ndaluar (sidomos në Shtetet e Bashkuara, ku shijon kënaqësinë perverse e shkeljes së ligjeve antiduhan …). Sergej Lavrov vepron në sektorin e tij me besimin e plotë të akorduar nga Presidenti Putin dhe nga Kryeministri Dimitri Medvedev. Megjithatë, nuk është pjesë e rrjetit të personazheve të ardhur nga Shën Petërsburgu, me të cilët Putini është rrethuar qysh nga ardhja e tij në kryeqytetin moskovit, dhe ka arritur vetëm shumë më vonë (në marsin e 2004), “rrethit të ngushtë të këshilltarëve të besuar” të Presidentit, duke pasuar Igor Ivanovin.

Dishepull brilant, i pajisur me gjuhë të huaja (flet rrjedhshëm anglishten dhe frëngjishten), Lavrovi ka studiuar pranë të famshmit Institut Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Ministrisë së Jashtme të Rusisë (i njohur me akronimin MGIMO) në vitin 1972. Pasi është bërë diplomat, ka punuar për 4 vite në Sri Lanka. Këtu mëson gjuhën e vendit dhe më pas kthehet në Moskë për të marrë përgjegjësinë e Sektorit të Organizatave Ndërkombëtare. Pas 5 vitesh pritje (1976 – 1981) dërgohet në atë që do të jetë selia e preferuar e tij: Përfaqësinë e Përhershme e Bashkimit Sovjetik pranë Kombeve të Bashkuara. Është pikërisht në këtë kornizë, në të cilën do të operojë për 7 vite (1981 – 1988) që fillon afirmimi i plotë personal dhe profesional i tij. shpesh diplomati del në udhëtime të ndryshme pune, ndërton rrjetin e tij të marrëdhënieve dhe vëren me maturi fillimin e perestrojkës së Mikhail Gorbaçiovit. I kthyer në Moskë dhe i ngarkuar sërish me Organizatat Ndërkombëtare, Lavrori e përjeton rënien e Bashkimit Sovjetik si një shok të vërtetë. Sigurisht që jo prej dashurisë ndaj regjimit sovjetik, por prej poshtërimit të pësuar.

Regjimi i ri, i kryesuar nga Boris Jelcini, ka nevojë për funksionarë kompetentë. Lavrovi vihet në shërbimin e tij, fillimisht si Zëvendësministër i Jashtëm i Federatës Ruse, më pas si Përfaqësues i Rusisë në Kombet e Bashkuara, ku do të qëndrojë për 10 vite të tëra, nga 1994 në 2004, duke u imponuar si numri dy i diplomacisë ruse.

Personazh origjinal, tërheqës dhe arrogant: një Kissinger allarus

Buldozer fals, por xhentëlmen i vërtetë, Lavrovi praktikon me aftësi regjistrat e sharmit dhe të ashpërsisë. Si student i ri dhe tërheqës në Marrëdhënie Ndërkombëtare, ai organizonte mbrëmje studentore shumë të frekuentuara, të famshmet kaputsniki, gjatë të cilave deklamonte për miqtë (dhe për femrat, që i ka vlerësuar gjithmonë) kompozimet e veta poetike.

Kisingeri i Rusisë

 

Please follow and like us: