Albspirit

Media/News/Publishing

“Reporterët pa Kufij”: Identifikoni dhunuesit e gazetarit Elvi Fundo dhe vendosini para drejtësisë

Organizata ‘Reporterët pa Kufij’ ka reaguar pas dhunës nga persona të paidentifikuar ndaj gazetarit Elvi Fundo, ngjarje e ndodhur pranë ‘Stacionit të Trenit’ në kryeqytet. ‘Reporterët pa Kufij’ shprehin keqardhjen për sulmin ndaj gazetarit, ndërsa i kërkojnë autoriteteve shqiptare të zbardhin rastin dhe të vendosin para drejtësisë autorët e ngjarjes.

Sipas ‘Reporterët pa Kufij’ editori i Citynews dhe drejtuesi i Radio Best, është dërguar në spital pas një sulmi në fytyrë, dhe shenjave në këmbën e dëmtuar, nga dy persona të paidentifikuar të cilët e kanë sulmuar atë mëngjesin e 8 Marsit, në zonën e stacionit të trenit në Tiranë.
Policia ka deklaruar se është duke punuar për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e atentatorit, ndërsa lajmi është komentuar edhe nga kryeministri Edi Rama. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ministri i brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka vizituar Fundon në spital, brenda 24 orëve të para pasi ndodhi sulmi.

Fundo së fundmi ka investiguar në lidhje me disa skandale të drejtuesit të një kanali privat televiziv.
Duke folur nga krevati i spitalit, ai ka aluduar se sulmi mund të ketë lidhje me disa nga shkrimet e tij të fundit.

“Të shpresojmë se do bëhet çdo gjë për të identifikuar autorët e sulmit ndaj gazetarit Elvi Fundo, duke i sjellë ata para drejtësisë” ka deklaruar kreu i Reporterëve pa Kufij për Europën dhe Ballkanin, zoti Pauline Adès-Mével.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë(APJ), dhe Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë (UGSH),si dhe Bordi i Autoriteti të Mediave Audiovizive(AMA), kanë reaguar në mbështetje te gazetarit Fundo. Shqipëria renditet e 82-ta në listën e 180 shteteve për Indeksion e Lirisë së Mediave në Botë.

Please follow and like us: