Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama, kritika për policinë; Tahiri: Hiena të dala nga oborri i PS

Dy eksponentë të Partisë Socialiste dhe LSI shënuan një tjetër përplasje brenda koalicionit qeverisës.

Saimir Tahiri dhe Luan Rama debatuan në distancë me njëri-tjetrin për raportin e DASH-it për drogën, por debati duket se nisi një ditë më parë, kur Tahiri iu përgjigj thirrjeve të kolegëve të tij në qeveri, nga LSI, se kryeministri i ri do të ishte Ilir Meta.

“Ne kemi një kampion skuadre, ai është lideri ynë Edi Rama, kryeministri i vendit, dhe për ata që nuk e kanë marrë vesh, kryeministër i vendit edhe për 4 vitet e ardhshme”, kishte deklaruar Tahiri.

Luan Rama, në emër të LSI-së, tha se ndryshimet në qeveri i bën vetë kryeministri, por kreu i Grupit Parlamentar të LSI iu referua raportit të Departamentit të Shtetit për drogën, duke lëshuar akuza për performancën e policisë. Luan Rama doli për atë që e quajti spektakël televiziv me aksione të policisë, ndërsa duhet aksion konkret, sipas tij.

“Më e pakta, ka munguar eficenca e veprimit të organizuar shtetëror dhe të agjencive të zbatimit të ligjit për të mos lejuar krijimin e këtij realiteti. LSI-ja nuk ka bërë kurrë kërkesa”, tha Luan Rama.

E ashpër ishte përgjigjja e Saimir Tahirit. Ministri në detyrë tregoi shifrat e luftës kundër hashashit, raportet e Guardia di Finanza dhe falenderoi edhe deputetin Spartak Braho, por e cilësoi deklaratën e Luan Ramës, të cilin e quan “zëdhënës të LSI-së”, si një lexim të pasaktë të raportit të DASH-it.

Tahiri shkon edhe më tej. Ai flet për “hiena të dala nga oborri i PS-së dhe që dëshirojnë dështimin e saj, por që përgjigjen e kanë marrë nga puna e thuajse 4 viteve të fundit dhe në 18 qershor në Tiranë e gjithë Shqipërinë”.

Raporti i Departmentit Amerikan të Shtetit, përveç vënies në dukje të kultivimit të kanabisit dhe problemit të pastrimit të parave, citon shifrat e Guardia di Finanza për plantacionet e zbuluara nga ajri, shifra që janë publikuar edhe më parë dhe nuk janë të reja.

Konkretisht, në dokument thuhet që policia asgjësoi mbi 2,4 milionë rrënjë kanabis, ndërsa Guardia di Finanza identifikoi në vitin 2016 rreth 2 mijë parcela të dyshuara të mbjella me kanabis. Pas komenteve të LSI-së, reagoi edhe kryeministri Edi Rama. Ai shkruan se “raporti i Departamentit të Shtetit provon sa shumë është bërë në luftën kundër kanabisit. Shumë mbetet për t’u bërë dhe do të bëhet se s’bën”.

Please follow and like us: