Albspirit

Media/News/Publishing

Bojaxhi mbledh firmat për KQZ: Nuk bëjmë koalicion me partitë e vjetra

Gjergj Bojaxhi thotë se SFIDA për Shqipërinë është gati të regjistrohet si subjekt politik dhe të jetë një alternativë pozitive në zgjedhjet e 18 qershorit.
Në një intervistë të dhënë për Top Albania Radio, anëtari themelues i “SFIDA” është shprehur se në vetëm dy ditë kanë mbledhur pothuajse gjysmën e firmave të nevojshme për t’u rregjistruar si subjekt.
“Sfidës, si një parti politike që do garojë pa bërë koalicion me partitë e vjetra të tranzicionit, i duhen 5,000 firma për t’u regjistruar në KQZ për zgjedhjet e ardhshme. Në vetëm dy ditët e para mblodhëm mbi 2000 firma, pra pothujase gjysmën”, u shpreh Bojaxhi.
Ai tha se qytetarët e mbështesin dhe besojnë te SFIDA për Shqipërinë për shkak të situatës zhgënjyese ku ka përfunduar politika në vend.
“Menjëherë  pamë një mbështetje më të madhe nga sa prisnim. Kjo na lumturon. Këta janë njerëz që jo vetëm janë të pakënaqur me politiken në Shqipëri, por mbi të gjitha janë njerëz që kanë shpresë dhe ne jemi krenarë të jemi zëri i tyre”, tha Bojaxhi.
Anëtari themelues i partisë SFIDA për Shqipërinë, tregon se historitë e njerëzve që largohen nga politika tradicionale drejt SFIDËS, si parti ndryshe, janë të shumta.
“Një zonjushë me tregoi se si kur ishte në universitet notat e mira i merrnin anetarët e forumeve të partive politike dhe studentët e tjerë e kishin të vështirë të merrnin atë që meritonin pa anëtarësim politik. Por, edhe kjo zonjushë nuk e kishte humbur shpresën se gjërat mund të ndryshojnë. Arsyeja pse Sfida për Shqipërinë ekziston dhe ka marrë përsipër të jetë në zgjedhjet e ardhshme është pikërisht të përfaqësojë këta njerëz, të zhgënjyer, por me shpresë”, deklaroi Gjergj Bojaxhi.
Please follow and like us: