Albspirit

Media/News/Publishing

Deputeti i LSI: Zgjedhjet pa opozitën janë farsë

Kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, tha sot  në një intervistë për ABC News se zgjedhjet pa opozitën janë farsë.

“Zgjedhjet pa opozitën janë formale në kuptimin institucional ndërsa në kuptimin demokratik janë farsë,” tha Luan Rama.

Rama tha se maxhoranca ka edhe përgjegjësinë “t’a bindë opozitën përmes aksionit konkret që zgjedhjet do të jenë korrekte dhe të ndershme.”

“Për sa kohë thashë që transparenca e këtij procesi, transparenca e dialogut, janë ende mundësi reale, gjykoj se ka ende mundësi të pashfrytëzuara që çojnë në zgjidhjen e situatës,” tha ai.

I pyetur nëse LSI ka ndonjë zgjidhje konkrete për zgjidhjen e situatës, Rama tha se “Fakti që thashë se zgjedhje pa opozitën nuk janë zgjedhje, fakti që thashë se zgjedhjet pa opozitën janë një farsë, fakti që thashë që zgjedhjet pa opozitën nuk i shërbejnë as vendit, as procesit të integrimit dhe nuk janë zgjedhje të përgjegjshme politike të një vendi anëtar të NATO-s…do të thotë që mbi këtë konstante qëndrimi duhet të orientohet dhe fokusohet e gjithë jeta politike.”

Deklarata e Luan Ramës vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama në komunikimin e tij javor të dielën tha se zgjedhjet do të realizohen në datën e caktuar, 18 qershor, me apo pa opozitën.

Kryeministri Rama  tha se është i gatshëm për dialog, por se nuk do të ketë as qeveri teknike dhe as shtyrje zgjedhjesh.

Please follow and like us: