Albspirit

Media/News/Publishing

Pronat e Balilit fusin në sherr PS dhe LSI, policia zbarkon me autoblinda në Butrint

Një pronë e familjes së Balilit është kthyer këtë herë në mollë sherri mes PS dhe LSI. Një godinë dhe një sipërfaqe toke në lagunën e Vivarit në Butrint, që administrohet prej 5 vitesh nga kompania “Balili Security Shpk”, ka çuar në përplasje institucionale mes dy ministrive të PS dhe LSI këtë fillimjave.

Me një vendim të Ministrisë së Mjedisit në 2012 dhe autorizim të Ministrisë së Ekonomisë, kjo sipërfaqe i ka kaluar me kontratë qiraje 10-vjeçare kompanisë së Hektor Balilit, vëllait të Kelment Balilit, me qëllim ushtrimin e aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës.

Një përfaqësues i Ministrisë aktuale të Ekonomisë ka mbërritur në këtë objekt i shoqëruar nga policia dhe ka kërkuar lirimin e objektit, pasi sipas tij ka një vendim gjykate që kjo pronë t’i kalojë në administrim një tjetër qiramarrësi.

Disa autoblinda policie janë parë të mbërrijnë së bashku me drejtorin e Shërbimeve Juridike të Ministrisë së Ekonomisë, Fatmir Hoxha. Në objekt ata kanë gjetur përfaqësuesin e Ministrisë së Bujqësisë, si institucioni që ka lidhur kontratën me kompaninë e Balilajve, shkruan Balkan Web.

Mes të dyja palëve ka pasur një debat mbi vendimin e marrë nga dy ministritë e linjës në vitin 2012. Të dyja palët kanë deklaruar se kishin mbërritur në lagunë me urdhër të titullarëve të dy ministrive
Ndërsa njëra palë, ajo e Ministrisë së Ekonomisë kërkon dorëzimin e objektit, pala tjetër, ajo e Ministrisë së Bujqësisë pretendon se po shkelet në mënyrë të paligjshme kontrata 10-vjeçare e qirasë që është nënshkruar në vitin 2012 me “Balili Security shpk”.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë ka këmbëngulur që prishja e kontratës bëhet vetëm me vendim gjykate dhe ekzekutimi kryhet përmes përmbarimit.

Please follow and like us: