Albspirit

Media/News/Publishing

Jugosllavët kërkuan nga britanikët të lirojnë Koçi Xoxen nga burgu për të rrëzuar Enver Hoxhën

Sipas një dokumenti sekret të Qeverisë britanike të vitit 1949, Zëvendësministri i Jashtëm jugosllav, Alesh Bebler, i sugjeroi ministrit të Shtetit britanik në datën 14 mars që agjentë perëndimorë duhet të përdorin Koçi Xoxen, i cili momentalisht ndodhet në burg, si rival për të rrëzuar Enver Hoxhën, ndërsa Jugosllavia nuk do të ndërhyjë në këtë situatë

Një dokument sekret i qeverisë britanike i vitit 1949, i cili u bë i aksesueshëm nga Arkivi Britanik vetëm para disa muajsh flet për kërkesën e jugosllavëve për rrëzimin e Enver Hoxhës nga pushteti. Bëhet fjalë për një bisedë zyrtare mes ministrit të Shtetit britanik dhe zëvendësministrit të Jashtëm jugosllav Alesh Bebler të datës 14 mars 1949. Në këtë dokument, numri dy i Ministrisë së Jashtme Jugosllave u kërkon perëndimorëve që ata të dërgojnë agjentë për të liruar nga burgu Koçi Xoxen, e më pas ta vendosin përballë Hoxhës. Sipas zëvendësministrit jugosllav Bebler, Koçi Xoxe ishte figura më popullore dhe nëse lirohet nga burgu, atëherë ai do të rrëzonte Hoxhën nga pushteti. Më tej, ai u konfirmon britanikëve që ata nuk do të ndërhyjnë në Shqipëri nëse Perëndimi do të kryente operacione kundër Hoxhës në Shqipëri. Por, ky propozim i çmendur i vuri në lëvizje britanikët, të cilët përshpejtuan planet e tyre për operacione në Shqipëri. Kjo bisedë bëhet e ditur më pas në mbledhjen e Komitetit për Rusinë në Ministrinë e Jashtme, një dokument top-sekret për britanikët. “Jugosllavia nuk do të ndërhyjë në Shqipëri, por situata ishte një interes potencial për fuqitë perëndimore. Njeriu më popullor në Partinë Komuniste Shqiptare është futur në burg. Bebler shkoi aq larg, sa sugjeroi që agjentët perëndimorë duhen të dërgohen për të liruar Koçi Xoxen për ta vënë atë si rival, pasi eventualisht ai do të rrëzonte Enver Hoxhën dhe regjimin e tij”, thuhet në këtë dokument. Në një dokument tjetër të pak ditëve më vonë ku kërkohet nisja e operacioneve në shkallë të vogël kundër regjimit të Enver Hoxhës, bëhet e qartë se jugosllavët nuk do të ndërhyjnë në këtë çështje dhe se operacionet do të kenë si synim ndalimin e ndihmës shqiptare për komunistët grekë. Më poshtë po botojmë të plotë dy dokumentet që u referohen ngjarjeve të panjohura të fundviteve ’40…

ERALD KAPRI

DOKUMENTI NR. 1/ RC/44/49 Top-sekret, 15 mars 1949

Takimi në Komitetin për Rusinë në Ministrinë e Jashtme Pjesa 4

Uillinger prezantoi dokumentin e tij mbi një raport në lidhje me lëvizjen e trupave ruse dhe shërbimeve të tjera ushtarake në Evropën Juglindore, duke thënë se atje nuk ka pasur ndonjë element specifik me lëvizje trupash. Në lidhje me luftën e nervave, ishte interesante se Bebler, në një bisedë që pati me ministrin e Shtetit në datën 14 mars, qartësoi dy pika:

Së pari, Jugosllavia nuk do të ndërhyjë në situatën e Maqedonisë, por ai konsideroi se fuqitë perëndimore po ofronin tashmë shansin e fundit për të ndalur rebelët dhe të lehtësojnë marrëveshjen mes elementëve nacionalistë dhe qeverisë greke. Bebler nuk kishte qenë në gjendje të bënte asnjë sugjerim bindës në lidhje me emra apo për ndonjë krah politik që mund të realizonte këto negociata.

Së dyti, Jugosllavia nuk do të ndërhyjë në Shqipëri, por situata ishte një interes potencial për fuqitë perëndimore. Njeriu më popullor në Partinë Komuniste Shqiptare është futur në burg. Bebler shkoi aq larg, sa sugjeroi që agjentët perëndimorë duhen të dërgohen për ta liruar Koçi Xoxen e për ta vënë atë si një rival, pasi eventualisht ai do të rrëzonte Enver Hoxhën dhe regjimin e tij. Ishte një nisje e re për jugosllavët në këtë pikë e çështje politike. Ne e prisnim paraprakisht që vetëm problemet e tyre ekonomike do të udhëhiqeshin drejt krahëve të Perëndimit. Sugjerimi në lidhje me Shqipërinë mundohet të krijojë një mundësi për Titon të ecë mbi Shqipërinë dhe për ta shpëtuar atë nga imperializmi perëndimor. Gjithsesi, e gjitha kjo duhet të trajtohet me maturi e kujdes. Duhet të ketë ndonjë dyshim në besueshmërinë e Beblerit. Pavarësisht se pozicioni i tij e tregoi atë si një zëdhënës të akredituar për vendin e tij, nuk është e sigurt sesa e përfaqëson ky sugjerim pikëpamjen e vetë Titos. Hankey tha se ishte interesante që Bebler dukej që kishte gjetur interesa të përbashkëta politike me ne. Ai shtoi se kishte edhe indikacione të tjera që forconin këtë pikëpamje që lufta e nervave ishte në proces. Natyra e informacionit për lëvizjen e trupave (raporti nga Brukseli për lëvizjen e trupat sovjetike në kufirin persian) ishte i tillë që sugjeronte që ishte shpërndarë me qëllim për të krijuar këtë përshtypje.

DOKUMENTI NR 2 Top-Sekret, 21 mars 1949

Çështje politike për Shqipërinë

Mosmarrëveshja, e cila ndau vitin e kaluar vetë Titon me të tjerët u shoqërua me një ngjarje paralele midis qeverive jugosllave dhe asaj shqiptare. Që nga ai moment, Shqipëria, e cila ka një pozicion gjeografik të ekspozuar ndaj Perëndimit, u shkëput në kufi tokësor nga blloku sovjetik në të cilin qeveria e Enver Hoxhës aderon akoma. Gjithsesi, qeveria e tij po kalon një moment të vështirë me një situatë jo të lehtë dhe duket se është i shkëputur nga vendi dhe ndoshta me revolta të hapura në disa zona të vendit. Të gjitha këto situata krijuan për ne dhe amerikanët një mundësi duke përdorur disa operacione klandestine në shkallë të vogël, por Enver Hoxha nuk mund të rrëzohet dhe Shqipërinë nuk e heqim dot me zor nga blloku sovjetik. Edhe nëse një objektiv i tillë do të dukej i vështirë për t’u realizuar, eliminimi i ndihmës shqiptare për rebelët grekë do të ishte një objektiv shumë i çmuar. Me këto të dhëna në lidhje me çështjen që është tentuar të ekzaminohet me miqtë e Hayter, është rënë dakord që është esenciale që si hap i parë do të jetë ndërtimi i një sistemi inteligjence, i cili do të konfirmonte nëse kushtet do të ishin të favorshme për operacione të tjera. Në lidhje me propozimin “C”, konsiderohet që nuk është e volitshme me mundësi për të humbur jetë njerëzore me këto lëvizje fillestare, derisa ne të jemi të përgatitur për t’i ndjekur të gjithë hapat. I gjithë propozimi me çka është rënë dakord, i është dërguar tashmë Sekretarit të Shtetit.

Rekomandime

Së pari duhet të bëhen përgatitje për të ngritur një sistem inteligjence në Jug të Shqipërisë dhe ndoshta mund të vendoset edhe në Korfuz. Duke njohur natyrën e shqiptarëve, agjentët tanë duhet të jenë shqiptarë ose njerëz që flasin shqip (për arsye politike nuk duhet të ketë asnjë grek), të cilët duhet të infiltrohen nga ajri dhe deti dhe pasi të jenë të pajisur me suplemente inteligjente, duhet të masin pulsin e popullsisë lokale për aksion, në shkallë të vogël. Rezultati i kësaj është inkurajues, me instruktorë modernë të luftës guerrilase, të cilët do të mund të infiltrohen, të rekrutohen, të armatosen, ushqehen, vidhen, të trajnohen mbështetësit antikomunistë për qëllime të limituara ushtarake, si dhe të sabotimit direkt kundër bazave dhe linjave të komunikimit të rebelëve grekë. Të gjitha këto operacione duhet të bëhen në Jug të Shqipërisë, pa dalë nga kufiri grek. Mundësia praktike për të bërë operacione në Veri të Shqipërisë duhet parë me mundësinë e suksesit të operacioneve të para të sugjeruara më sipër. Duhet të informohen kontaktet amerikane në lidhje me këto propozime dhe për të parë se sa do të angazhohen ata.

Konsiderata

Pavarësisht se ka disa rreziqe që këto aktivitete të zbulohen dhe se blloku sovjetik do të tentojë të realizoje kapital politik duke i ekspozuar ato në Kombet e Bashkuara ose gjetkë, është e sigurt që ne duhet të jemi të gatshëm që t’i shkojmë kësaj deri në fund, pa ndonjë vështirësi. Çdo dyshim i drejtuar drejt nesh shpresohet të jetë më pak substancial sesa faktet evidente që kemi ndaj shteteve satelite të sovjetikëve. Avantazhet e pasjes së një njësiti inteligjence në Korfuz do të ishin më të mëdha sesa disavantazhet e qasjes së grupeve të vogla greke, që janë lejuar të kryejnë operacione sekrete. Ngjashmërisht një risk sigurie përfshin edhe informimin e amerikanëve që është e pashmangshme, pasi Departamenti i Shtetit na ka kërkuar mundësinë e ndërhyrjes në Shqipëri dhe ka kërkuar pikëpamjen tonë, ndaj dhe nuk do të ishte e udhës që nisur nga marrëdhëniet me ta të mos i informojmë. Për më tej është një rrezik fakti që nëse amerikanët nuk informohen, njerëzit tanë të gjendet përballë atyre të amerikanëve në skema paralele. Tashmë është e qartë se në situatën aktuale në marrëdhëniet me Titon, një lëvizje e jona në Shqipëri mund ta bënte atë tepër dyshues në lidhje me qëllimet tona sa ndoshta mund ta drejtonte atë sërish drejt blloku sovjetik. Në lidhje me këtë situatë është interesant fakti që Bebler i sugjeroi ministrit të Shtetit në datën 14 mars që agjentë perëndimorë duhet të përdorin Koçi Xoxen, i cili momentalisht ndodhet në burg, për ta përdorur si rival për të rrëzuar Hoxhën, dhe se ai tha po ashtu që Jugosllavia nuk do të ndërhyjë. Është e dyshimtë sesa qëndron sugjerimi i Bebler me atë që ka qeveria e tij, por gjithsesi sa kohë që operacionet do të jenë në shkallë të vogël, jugosllavët nuk do të ndihen keq nga kjo. Presupozohet që sapo qeveria sovjetike do të jetë e ndërgjegjshme për atë që ne po bëjmë, do të kundërsulmojë më së miri, por që sigurisht ata nuk do ta bëjnë këtë haptazi. Për ta përfunduar, i gjithë ky projekt është i pranuar si aventurier, por është e qarta se situata aktuale është e favorshme për aksion dhe se çmimi qe do te fitohet do te jete me i madh me riskun.

Please follow and like us: