Albspirit

Media/News/Publishing

Nis puna për ngritjen e KLGJ dhe KLP, verifikim anëtarëve për pastrim parash dhe lidhje me Sigurimin e Shtetit, shoqëria civile refuzon të bëhet pjesë

Avokati i Popullit ka nisur punën për ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Teksa deri më tani u hasën një sërë ngërçesh, dje u mblodh komisioni Ad Hoc, i cili do merret me verifikimin dhe përzgjedhjen e anëtarëve që do të jenë pjesë e këtyre dy organeve shumë të rëndësishme të sistemit të ri të drejtësisë. Pjesë e komisionit ishin vetëm 4 anëtarë nga 5, pasi mungonte përfaqësuesi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Mungesa e tij krijoi dhe ngërçe, pasi Mirela Fana, e cila u zgjodh kryetare e KED dha dorëheqjen si gjyqtare. Po ashtu edhe nënkryetari Vladimir Kristo dha dorëheqjen dhe pjesë e komisionit ad hoc duhet të jetë kreu ose nënkryetari i KED. Duke qenë se Artan Zeneli u zgjodh si anëtar zëvendësues i Mirela Fanës, iu kërkua që të ishte pjesë e komisionit, por ai nuk ka qenë i pranishëm. Megjithatë, mbledhja u zhvillua dhe në të u morën një sërë vendimesh, që u bënë publike nga Avokati i Popullit. Mbledhja e Komisionit të Pavarur Ad Hoc u zhvillua me këtë rend dite: Konstituimin e Komisionit Ad Hoc (vazhdimi i mëtejshëm i punës); Diskutimi dhe miratimi i rregullores së brendshme për punën e Komisionit Ad Hoc; Procedimi i mëtejshëm i kërkesave për informacion nga institucionet e tjera shtetërore i nevojshëm për punën e Komisionit Ad Hoc. Lidhur më pikën e parë të rendit të ditës, anëtarët e komisionit pasi konstatuan prezencën e më shumë se gjysmës së anëtarësisë së këtij komisioni dhe duke vlerësuar bazën ligjore në fuqi, për vlefshmërinë e punës së këtij organi kolegjial, kanë vendosur në prezencën e katër anëtarëve (nga pesë anëtarë në total që duhet të ketë ky komision), që Komisioni Ad Hoc është i konstituuar për të vazhduar punën e tij të mëtejshme ligjore.

Vlerësimi i kandidatëve

Në mbledhjen e djeshme u miratuan  rregullat dhe procedurat mbi mënyrën e vlerësimit nga Komisioni i Pavarur Ad Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve. Kjo rregullore do të jetë dokument për punën e mëtejshme të komisionit. Lidhur me pikën e tretë të rendit të ditës, Totozani bëri me dije kërkesat për informacion që iu janë dërguar paraprakisht për verifikimin e kritereve ligjore nga ana e kandidatëve përkatësisht Prokurorisë së Përgjithshme, dhe Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit. “Komisioni vendosi të kërkoj informacion për kandidatët edhe nga KLSH, ILDKPKI, si dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. U kërkua informacion edhe nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit”, deklaroi Totozani.

Trembet shoqëria civile

Por dje Totozani ka ripërsëritur thirrjen për anëtarët që do të përfaqësojnë shoqërinë civile. Pak ditë më parë u rihap gara për anëtarë të shoqërisë civile sepse nuk kishte kandidatë të mjaftueshëm. Por edhe pse afati i fundit është 1 prilli dhe gara u hap që më datë 17, ende nuk është shfaqur interesi. Kjo rrezikon që të bllokojë ngritjen e organeve të reja, pasi ligji përcakton që anëtarët do jenë dhe individë të shoqërisë civile. Mungesa e kandidimeve ka ngjallur mjaft dyshime, pasi shoqëria civile do jetë ajo që do monitorojë procesin./sot/

Please follow and like us: