Albspirit

Media/News/Publishing

Poeti Piro Kuqi – Edison Ypi

 

Vdiq Poeti Piro Kuqi.
Nga uria ?
Jo nga uria. Nga uria vdesin fukarenjtë. Njëqind dollarët në muaj që i jepte shteti, Poetit Piro Kuqi i mjaftonin e i tepronin për të ngrënë e për të pirë.
Nga të ftohtit ?
As nga të ftohtit. Shpella prej tullash kartonash, dërrasash, rraqesh, ku jetonte Poeti Piro Kuqi, e fuste erën dhe shiun nga katërqind të çara. Por Poeti Piro Kuqi i mbledhur me lecka nuk mund të mbërdhifte se Poeti Piro Kuqi ngrohej duke u dridhur nga bukuria e vargjeve që thurte. Për shembull ato vargjet që Poeti Piro Kuqi shkroi atë natë dimri, kur një gjethe e ardhur prej kurrkundit i fëshfërinte nën derë; “Ik moj fletë nëpër natë, ikë mos më rri tek dera, se dimri ishte aq i gjatë, sa frikë po kam dhe nga pranvera”.
Poeti Piro Kuqi nuk vdiq as nuk lindi.
Poeti Piro Kuqi erdhi natën, shtyu portën, kaloi nëpër kalldrëmin e oborrit, ndali nën dritën e verandës, e pa orgjinë që bëhej brenda, u skuq, u zverdh, u zbardh, u nxi, u lemerit, dhe iku.
Kush ishte Poeti Piro Kuqi ?
Është më lehtë të përgjigjesh kush ishte Jezu Krishti se kush ishte Poeti Piro Kuqi.
Poeti Piro Kuqi ishte një kujnajë njerëzore përsosmërisht e mbyllur dhe e mbytur, që mund të krahasohet me brimat e zeza të universit, ekzistenca e të cilave nuk mund të konstatohet drejtpërdrejt por vetëm tërthorazi përmes efekteve.
Poeti Piro Kuqi nuk erdhi në jetë për t’u dukur, por për t’u zhdukur.
Prezenca e Tij ishte mungesa e Tij.
Vdekëtarët banalë lodhen të bien në sy me prezencë. Poeti Piro Kuqi ishte nga fort të rrallët të cilët mbi qiellin e zi të botës s’onë vijnë e ikin si kometat për të sfiduar rregullin në dukje të pandryshueshëm të rënies në sy me prezencë. Poeti Piro Kuqi ia arriti të bëhet i pavdekshëm, jo përmes prezencës, por përmes mungesës. Poeti Piro Kuqi ishte trupëzimi i dhënies së shembullit me anë të heshtjes, tërheqjes, mbylljes në vetvete, arratisjes në abiset e errëta të trishtimit meditues.
Skllav i përulur i fjalës së bukur, Poeti Piro Kuqi na la shembullin e rrallë të Poetit i cili për hir të njerzillëkut refuzoi çdo kompromis me materialitetin deri në kufijtë e absurdit.
Një strehë më të rehatshme dhe disa orendi Poetit Piro Kuqi mund t’ja jepte kushdo. S’ishte ky problemi. Problemi, zgjidhja e problemit, mrekullia, shenjtëria, është se Poeti Piro Kuqi qe’ mohues i materialitetit deri në vetëflijim. Nuk e refuzoi Jeta Poetin Piro Kuqi. Poeti Piro Kuqi refuzoi jetën.
Pothuaj as frymë nuk merrte. Nuk fliste që të mos u jepte rast të shpifnin. Nuk udhëtonte që të mos i thoshin si e qysh e tek. Nuk bleu, nuk shiti, nuk këmbeu, madje as nuk hëngri që të mos i thoshin bëre thërrime.
I pangjashëm me asnjë dhe me asgjë, Poeti Piro Kuqi jetoi kohën e tij. Jo këtë që njohim ne me data që i caktojnë kalendarët dhe çaste që i coptojnë akrepat e orës. Një tjetër pa orë dhe kalendarë që ishte e gjitha e tija.
A ishte i ndjeshëm Poeti Piro Kuqi ?
Sa s’thuhet, sa s’rrëfehet, sa s’shkruhet, sa s’shikohet, sa s’dëgjohet, sa s’ulëritet, sa s’dihet, sa s’njihet, sa s’këndohet, sa s’filmohet, sa s’gdhëndet, sa s’besohet, sa s’kuptohet.
Përbindëshi i Shenjtë i ndjeshmërisë së pafundme Poeti Piro Kuqi nuk u martua, sepse, si e spjegon vet nga varri;
Femra që më njohu
Tani që kam vdekur
Më kujton një tjetër
Që dot s’e pata gjetur.

Please follow and like us: