Albspirit

Media/News/Publishing

5 arsye përse duhet mbështetur “Rezistenca e Lulëzim Bashës”

Artur ZHEJI

Sot ka një trysni të madhe kundër tij. Fuqia e madhe e parasë dhe e ineteresave, është vënë në lëvizje të paparë. E njollosin me mëkate, që ka dhe nuk ka Lulëzim Basha.  Ata që sot kanë bërë Aleancën më të madhe dhe më të fëlliqur në historinë e Shqipërisë, me Krimin më të strukturuar!

Ata dhe lakenjtë e tyre, që bëjnë pakte pas paktesh me bossët e trafikut kombëtar dhe ndërkombëtar të drogës, të drogës të të gjitha peshave dhe niveleve. Nga kanabisi te kokaina e shtrenjtë.

Hipokritët që lirojnë nga burgu të dënuarit e përjetshëm dhe që shtiren si ithtarët e vettingut dhe të një Drejtësie, që gjoja do të luftojë korrupsionin. Dhe janë grumbulluar, gazetarë, media, opinionistë pa opinione, por me interesa të qarta financiare, në një ushtri të frikshme dhe të mirëfinancuar, me para të zeza dhe me para të buxhetit, duke bërë një kryqëzatë të turpshme kundër Opozitës.

Mirëpo ka të paktën 5 arsye përse Lulëzim Basha duhet të rezistojë dhe përse Rezistenca e tij duhet të mbështetet!

E Para, Basha dhe ajo pjesë e Partisë Demokratike që i qëndron besnike atij, përmes kësaj Rezitence, kanë filluar reformimin, rindërtimin dhe ringritjen e saj të mirëfilltë morale. Sepse interesi i ngushtë, do tia donte që PD, t’i përgjigjej thirrjes për marrëveshje partitokratike që vijnë nga kryeministri dhe Partia Socialiste. Partia Demokratike po ngrihet, si një Qëndrestare e mirëfilltë, ndaj ofensivës së Krimit të strukturuar, që ka kapur një pjesë të kupolës së PS.

E Dyta, ka të bëjë me të ashtuquajturën “Betejë Politike” që nuk është më një beteje politike por një luftë interesash, ku Krimi i Organizuar po merr rolin e dirigjentit! Tanimë politika është gjithmonë e më larg objektivave shtetformuese apo si një vullnet i të bërit të gjërave, qofshin këto të papërsosura, plot të meta dhe korrupsion. Tani Shqipëria, ka hyrë në rrugën e frikshme të shbërjes dhe në Luftën e saj Çlirimtare ose jo, ndaj kriminalizimit të plotë të shoqërisë sonë. Rezistenca e Lulëzim Bashës, është një shans, për të mos u renditur në nivele të krahasueshme me Kolumbinë apo në periudhën më të errët të Italisë së para 30 viteve, të dominuar nga Mafia, në nivelet më të larta të saj. Tirana ka qenë dhe është sot më rëndë se Palermo dhe Siçilia e shumë viteve më parë, ku marrëveshja politikë-krim dhe krim-politikë, është e tillë që nuk kuptohet ku fillon e ku mbaron njera dhe tjetra.

E Treta arsye përse Lulëzim Basha duhet të rrezistojë dhe Rezistenca e tij duhet mbështetur, lidhet me ndalimin që i duhet bërë kryeministrit, këtij kryeministri, për të kapur një mandat të dytë. Nuk është thjesht çështja e një individi, por e një dukurie që ky individ, ka mbarsur tashmë në shoqërinë shqiptare. Prirjen e tij, për të bërë aleancë me çdo gjë dhe me çdo shtresë, sado të errët të shoqërisë, vetëm nga frika për të ndejtur pa pushtet, pa bodygardë, pa shërbëtorë, pa zuzarë që i vijnë pas si qole dhe thjesht pa pushtet. Kryeministri ynë, nuk është thjesht një politikan i dështuar, porse është bërë një nismëtar i shitjes së shtetit te një grup oligarkësh, me të cilët ndan çdo gjë që mund të ndahet. Dhe mbas kryerjes së krimit urbanistik, krimit ekonomik, krimit antishtet, krimit anti ambient, si ai i zhdukjes së plehrave që u nisën nga porti Italian i Gioa Tauras, merr përsipër të bëjë avokatinë globale të supermëkateve, me pasoja shumë të rënda për Shqipërinë dhe shqiptarët.

E Katërta, lidhet pikërisht me Vettingun. Me nevojën për një Reformë të Drejtësisë, proces ky, që nën thundrën e pushtetit të tij, është një foshnje që lind e vdekur.
Apo edhe më keq akoma, është një foshnje që lind si një monstër i filmave horror, sepse rrezikon të përdoret si një pushkë, mbi ballin e kundërshtarëve të tij politikë dhe si një amnistuese e Krimit të Organizuar, me të cilin kryeministri ynë ka bërë një aleancë të marrëzishme.

E pesta arsye, sepse Rezistenca e Lulëzim Bashës duhet mbështetur, lidhet me nevojën e një ekuilibri të ri meritokratik në shoqërinë shqiptare. Eksperimentet poshtëruese të këtij kryeministri, që solli në krye të qeverisjes një stan me kukulla dhe shqerra shterpa dhe gjysëm debile, duhet ta ketë një fund.

E mbani mend zonjën : “E ku qëndron problem këtu”? që drejtoi tatimet shqiptare për tre vjet? I mbani mend shefat antikrim dhe shefat e tjerë groteskë, që të vetmen vlerë kishin se bënin shurrën në brekë, kur merrnin thirrjen telefonike nga kryeshefi?

Ky turp duhet ta ketë një fund, sepse rezikon të shndrrohet në një sistem turpi dhe mode kombëtare, infektues për të gjithë çfarë mbetet nga politika shqiptare e pjesëve të tjera. Pasi pasioni për të pasur vartës të shurrosur në brekë, të themi të vërtetën, nuk është një zbulim origjinal i këtij kryeministri.

Please follow and like us: