Albspirit

Media/News/Publishing

Meta tradhton Bashën, hyn në zgjedhje edhe pa opozitën

Ilir Meta nuk zhgënjeu. Ndryshe nga sa foli për zgjedhjet pa opozitën, ka marrë vendim të bëhet pjesë e procesit të 18 qershorit. Ka dorëzuar kërkesën për të qenë pjesë e zgjedhjeve dhe të mërkurën pritet të miratohet në KQZ.

Vendimi nuk do të shkaktonte asnjë habi nëse nga LSI nuk do të kishin dalë deklarata krejtësisht kontradiktore, që nga Ilir Meta, tek Luan Rama dhe Petrit Vasili. Loja është zbuluar me kërkesën drejtuar KQZ-së, për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve edhe pa opozitën.

Pas lajmit se opozita refuzon regjistrimin në zgjedhjet e 18 qershorit, Edi Rama doli hapur për një proces zgjedhor me ose pa opozitën. Madje kryetari i PS në bisedat me dyer të mbyllura nuk ngurroi të përmendë edhe se zgjedhjet në 18 qershor do të bëhen “me ose pa LSI”. Dyshimet se LSI mund të mos futej në zgjedhje u nxitën nga vetë kjo forcë politike.

Në reagimin e tij të parë, dukej sikur Meta e la në baltë Edi Ramën me atë që tha.

“Njoftojini të gjithë se pluralizmi ka ardhur që në 12 dhjetor të 1990-ës në Shqipëri dhe ne duhet të gjithë të punojmë që këto të jenë zgjedhje të shkëlqyera, larg qëndrimeve kategorike që mund të na sillnin pasoja katastrofike, të padëshiruara për Shqipërinë dhe shqiptarët” ishte deklarata e parë e Ilir Metës, që u pasua nga të tjera deklakrata të forta.

Siç duket nën dirigjimin e kryetarit, Luan Rama vazhdoi lojën. Në një intervistë për Abcnews, u pyet nëse mund të bëhen zgjedhje pa opozitën dhe përgjigjia e tij ishte kategorike:

“Fakti që thashë se zgjedhje pa opozitën nuk janë zgjedhje, fakti që thashë se zgjedhjet pa opozitën janë një farsë, fakti që thashë që zgjedhjet pa opozitën nuk i shërbejnë as vendit, as procesit të integrimit dhe nuk janë zgjedhje të përgjegjshme politike të një vendi anëtar të NATO-s…do të thotë që mbi këtë konstante qëndrimi duhet të orientohet dhe fokusohet e gjithë jeta politike”

Edhe Petrit Vasili i mbajti iso, sërish në të njëjtën media, madje duke e krahasuar Shqipërinë me Korenë e Veriut dhe duke paralajmëruar me anarshi.

“Nuk e besoj që pavarësisht nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama, Rama nuk do t’i thotë kurrë dialogut dhe mirëkuptimit. Është e pamundur. Sistemi politik na imponon dialog. Dita që do themi që nuk ka më opozitë, sistemi ka rënë. Do ishte anarshi. Është një anomali madhore. E përfytyron dot njeri që do konkurojë vetëm një pjesë e politikës? Me kë? Ç’ndodh ditën kur ne konkurojmë pa gjysmën tjetër? Sistemi politik botëror flet për dy palë. Nuk flas për Korenë e Veriut, por flas për sistemin kapitalist”tha Vasili.

Pas zhurmës në media, LSI vendosi të regjistrohet në zgjedhjet e 18 qershorit, sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ndërkohë opozita mbetet në rrugë dhe me qëndrime të pandryshuara, mes PS dhe PD që prej 18 shkurtit.

Please follow and like us: