Albspirit

Media/News/Publishing

Përplasja për Presidentin, Spahiu: LSI do kandidojë Llallën, por PS do kundërshtojë dhe do ketë krizë politike

I ftuar në emisionin #DritaremeRudinën në Vizion Plus, kreu i AK Kreshnik Spahiu, tha se vendi do të shkojë në krizë parlamentare dhe institucionale për shkak të përplasjes së PS- LSI. Kjo përplasje mes dy forcave politike të koalicionit qeveritar, do të vijë për shkak të kandidaturës së LSI për President, i cili do të jetë Adriatik Llalla.

“Pas një muaji do të kemi zgjedhjen e Presidentit, para zgjedhjeve parlamentare. Ky do të jetë momenti i një krize politike, për faktin se LSI dhe Ilir Meta po presin këtë moment nëse Rama do t’i qëndrojë marrëveshjes që të zgjedhë LSI Presidentin. Meta e ka shprehur hapur që nuk do të jetë ai Presidenti. Nga informacionet e fundit që ne kemi sot, LSI do të dalë me një propozim konkret, që do të jetë Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, kandidat për President i Republikës.

Mendojmë që kjo nuk do të mirëpritet nga disa socialistë por le të shikojmë në ditët e ardhshme nëse do të sjellë një moment përplasjeje mes LSI dhe PS. Lufta brenda llojit do të çojë në një luftë institucionale parlamentare, për shkak të mos dakordësisë që do të kenë këto dy forca politike, sepse vet PD nuk i ka votat për të propozuar një kandidat për president”, tha Spahiu.

Kryetari i PDS Paskal Milo u shpreh për kandidaturën e Llallës se: “Mendoj që do të ketë zgjidhje të tjera më të pranueshme dhe konsensuale. Nga reagimet sa kam dëgjuar, PS nuk besoj se do ta mbështeste Llallën për President”.

Please follow and like us: