Albspirit

Media/News/Publishing

Koha për projektligjin e Fishtës

Aleksandër Përgjini

Nji shekull mâ parë kemi kalu pothujse të njëjtën situatë politike. Palët politike urreheshin deri në skaj dhe nuk i kursenin njana-tjetrës epitete nga mâ të pështirat që mundesh me gjet në leksikun e gjuhës shqipe. Akuzat mâ të randa që ia knonin sho-shojit janë ato për shërbim ndaj pushtuesve tanë t’u përfshi serbët, greko-bizantinët dhe në fund otomanët. T’u akuzu njani-tjetrin kështu si pa të keq për tradhëti e korrupsion, akuzë mbi akuzë e vner mbi vner ndaj sho-shojit, bâhej nji lamsh aq i madh sa nuk merrej vesh mâ se kush kujt i shërbente përveç faktit se, edhe atëhere ashtu si sot, për Shqipnin, atë për t’cilën të gjithë duhej me punu, nuk e vuni njeri ujin në zjarr.
Fishta, i banum nervash kaçurrel prej kësaj situate, hartoi ashtu si ai diti nji projektligj dhe e shpalli në parlament me qëllimin me i dhân fund kësaj katrahure. Dukej qartë se t’gjithë po përfitonin nga ky allishverish përveç Shqipnisë. E Fishta s’kishte si me e leju këte. Ai doli në foltore e ju drejtu tân shqiptarëve, por mâ shumë parlamentarëve, se, që të bahet ky vend, duhet që kushdo që i ka shërby qoftë nji herë të vetme administratës otomane, të jetë i detyrum me ligj me u largu prej punëve të shtetit. Pas kësaj çdo njani prej tyne le t’i çonte në paqe ditët e tija pa i hy ferrë kâme. Pa miratimin e këtij projektligji, le ta qujmë të deotomanizimit, Fishta u tha të tânve se ky vend nuk kishte si me u shtru në rrugën e përparimit.
Ky projektligj i Fishtës bâni të mundun atbotë që, me gjithë urrejtjen e ndërsjelltë, palët të gjenin gjuhën e përbashket pa u mendu dy herë. Ato unanimisht votun kundër Fishtës. Fishta atëhere treti letrat midis parlamentit, doli jashtë me hapa te shpejt dhe u nis për Lezhë. Po atë natë, thuhet se Fishta, nxori prej kreje nji nga ato poezitë tija sarkastike, ku i bâni të gjithë për ni lek.
Sot, pas niqind vitesh, kemi palët tona politike që i fusin gishtat në sy njana-tjetrës si me qan t’u hangër buk e djathë. Njana akuzon tjetrën për vrasje, tjetra për hajdutni, tjetra tjetrën për ballizëm dhe në fund të gjithë akuzojnë të gjithë për komunizëm. Krejt njilloj si në kohën e Fishtës.
Tani, t’u qan se akuzat e ndërsjellta për bashkëpunim dhe shërbim ndaj komunizmit vazhdojnë ende me pi ujë në propaganden tonë, unë për vete do isha fort i gëzum sikur të nxirrte ndonji deputet i nderum këtë projektligjin e Fishtës nga pluhuni, e ta paraqiste në parlament veç t’u i ndërru emnin nga deotomanizëm, ne dekomunizëm, meqë qysh në vitet 90′ e këtej, veç ndonji komunist naiv e budalla nuk ka përfitu në kurriz të atdheut.
Une mos e pafsha dritën e diellit sa herë ulem me fjetë – do të thoshte ndonji shqiptar pesimist – se t’gjithë këta që shajnë e i turren njani-tjetrit sot, kishin me e gjet pa u mendu dy herë gjuhën e përbashket kundër dekomunizimit. Unë i përgjigjem këtij lloji shqiptari se, po, njilloj si ti mendoj. Prandaj le t’mos merremi me Fishtën se “veç sa i lâjm na kryt gomarit, t’u u mundu për fis t’shqiptarit.”

Please follow and like us: