Albspirit

Media/News/Publishing

Rama mendon se Meta ka frikë nga reforma në drejtësi

Në një intervistë për gazetarin Enver Robelli, kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë edhe atë që tashmë njihet si një fushatë anti Soros në Shqipëri.

Sipas Edi Ramës, kjo fushatë po bëhet nga njerëz që janë të frikësuar nga reforma në drejtësi. Në Shqipëri, kundër miliarderit amerikan, janë afishuar tashmë opozita e Partisë Demokratike, por edhe aleatja e PS në koalicion, LSI.

Kryetari i LSI, Ilir Meta, (shiko fotot poshtë) në shumë raste ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij ndaj të ashtuquajturave metoda apo ndërhyrje sorosiane në politikën e brendhshe të Shqipërisë. Në Top Story, Studio e Hapur apo dhe në konferenca shtypi, Ilir Meta ka thënë që media të financuara nga Soros si BIRN e kanë sulmuar atë personalisht apo se reforma në Arsim është bërë sipas interesave sorosiane. Ilir Meta u përfshi në këtë fushatë, që Edi Rama e quan modë, pas përplasjeve të forta që ambasadori amerikan Lu pati me kryeprokurorin Llalla, ku edhe ky i fundit foli për metoda sorosiane që po përdoreshin kundër institucionit të tij.

Por nëse Edi Rama ka përsëritur me qindra herë që PD nuk e do apo ka frikë nga reforma në drejtësi, kjo është hera e parë që ai nënkupton qartë se në këtë kamp është rreshtuar edhe LSI.

“Si në shumë vende të Europës Lindore edhe në Shqipëri ka një fushatë kundër atyre që quhen sorosistë. E goditura e fundit ishte ambasadorja e BE-së…”, e pyet kryeministrin Rama, gazetari Robelli.

Dhe përgjigja e Ramës është kjo: “Në këndvështrimin tim kjo është njëfarë mode dhe ka njerëz që e përqafojnë këtë lloj mode sepse kanë arsye të jenë të pakënaqur, ose të frikësuar, ose të shqetësuar me reformën në drejtësi. Asnjë lidhje tjetër nuk ka. Ata po i kërkojnë arsyet e shqetësimeve, frikërave, anktheve të tyre jashtë vetes, por në fakt i kanë brenda vetes”.

Pra sipas Ramës edhe Ilir Meta nuk ka asnjë arsye tjetër që ka atakuar Sorosin, përveç shqetësimit, ankthit apo frikës nga reforma në drejtësi. Kreu i LSI nuk dihet nëse do të reagojë pas kësaj deklarate, por me siguri Petriti dhe Luani do të marrin pozicion siç u shkon për shtat emrave të tyre.  

Please follow and like us: