Albspirit

Media/News/Publishing

“Trioleta” e Lasgush Poradecit

Sadik Bejko

 

Po e sjell këtë cikël trioletash të Lasgush Poradecit. Janë vetëm lojë e pastër forme, lojë me rima ritme, me alternime rimash… në këtë vilajetin tonë, të vockël e të mbrapshtë ku të kërkohet me zor që ta trashësh zërin edhe kur të fjalosësh buzë më buzë me të ëmblën, intimen mike… lëre lëre se si duhet ta hollosh, ta lartësosh e burrërosh zërin kur të duhet të përcjellësh një zë, mesazh të angazhuar në shesh, në agora, në forum… shoqërisht…
Në këtë atdhe të poetëve të angazhuar dhe si të rekrutuar partiakisht, apo rreshtuar në kauza ushtarakisht…i angazhuar dhe në burg, dhe i vdekur… kërkesë kjo që i diktohet njeriut, poetit dhe për sot…. mendo-mendo se si e shpërfillte militarizimin, angazhimin Lasgushi që këtu e 100 vjet.
Sa i bukur, i paparashikueshëm edhe për sot ky Lasgush “dekadent” pa mesazh, vetëm lojar lozonjar forme, vetëm formalist. A sa i bukur në atdheun ku dhe sot të duan të rreshtuar shoqërisht, filozofikisht ushtarakisht, atdhetarisht…

Lasgush Poradeci:

TRIOLETA

I

Pik’ e loteve të mija
Vetëtin si gur i rrallë,
Shkrep me zjarr posi shkëndija
Pik’ e loteve të mija.

Bukurija, bukurija
Më pat puthur mun në ballë:
Pik’ e loteve të mija
Vetëtin si gur i rrallë.

II

Si m’u ndrit çdo mall që pata!
Miq, o! kìma-ni zilinë!…
Ardhi dita: iku nata –
Si m’u ndrit çdo mall që pata!

Varg-e-varg më përgjërata
Para sysh më venë-e-vinë…
Sì m’u ndrit çdo mall që pata!
Miq, o! kìma-ni zilinë.

III

Këto kopshte ku fryn era
Muar gjyrën e floririt…
Se ç’m’i shkel baluke-prera
Këto kopshte ku fryn era:

Parëvera! parëvera!
Po më çel në mes të gjirit –
Këto kopshte ku fryn era
Muar gjyrën e floririt.

Please follow and like us: