Albspirit

Media/News/Publishing

Anti-terrorizmi dhe politikat ruse, në fokusin e Sek. Tillerson

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, u bëri thirrje vendeve aleate të NATO-s të rrisin buxhetet e mbrojtjes. Zoti Tillerson i bëri komentet në Bruksel, ku u takua me homologët e tij të NATO-s, për të diskutuar ndër të tjera edhe agresionin rus në Ukrainë:

Shefi i diplomacisë amerikane Rex Tillerson tha se Aleancës i nevojiten të gjitha burimet, qofshin financiare apo të formave të tjera, për të përmbushur misionin e saj në vende si Iraku dhe Siria. Zoti Tillerson u bëri thirrje vendeve aleate të rrisin shpenzimet e mbrojtjes, ose të paraqesin brenda dy muajsh plane mbi mënyrat për të përmbushur kuotat e kërkuara në buxhetin e Aleancës.

Sekretari i Shtetit tha se Amerika po përballon një “përqindje proporcionalisht më të madhe” se sa i takon dhe shtoi se pret nga vendet e tjera të marrin masa deri më 25 maj, kur Presidenti Trump do të takohet me udhëheqësit e tjerë në Samitin e NATO-s.

“Synimi ynë duhet të jetë të biem dakord në takimin e majit që brenda këtij viti të gjitha vendet aleate do të kenë plane ku të japin hollësi të qarta për të arritur përmbushjen e angazhimeve,” tha zoti Tillerson.

Sekretari i Shtetit nuk tha se çfarë pasojash mund të kenë vendet evropiane apo Kanadaja nëse nuk përmbushen angazhimet. Gjatë fushatës, Donald Trump kishte deklaruar se mund të mos ofronte mbështetje ushtarake në mbrojtje të atyre vendeve që nuk përmbushnin detyrimet, duke tronditur vende anëtare si Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia që ndodhen në kufi me Rusinë në një kohë kur Moska ka ndërmarrë akte gjithnjë e më agresive.

Por zoti Tillerson u përpoq të qetësonte aleatët, duke thënë se “e kemi të qartë se kërcënimi ndaj njërit prej nesh është kërcënim ndaj të gjithëve. Ne do t’u përmbahemi marrëveshjeve për të mbrojtur aleatët.”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se edhe vetë vendet aleate e kuptojnë nevojën për të përmbushur angazhimet e bëra në 2014 për rritjen e buxheteve të mbrojtjes deri në 2% të prodhimit të përgjithshëm bruto.

“Nuk është çështja thjesht tek paratë, por edhe tek investimi për përmirësimin e kapaciteteve dhe për angazhim trupash në mbështetje të misioneve të NATO-s,” tha zoti Stoltenberg.

Sekretari Tillerson tha sapo mbërriti në Bruksel se do t’i përqëndrojë diskutimet tek tre fusha të rëndësishme:

“Së pari duhet të sigurohemi se NATo ka të gjitha burimet, financiare dhe të formave të tjera, që i duhen Aleancës për të përmbushur misionin e saj. Së dyti, duam të diskutojmë se si mund të avancojmë angazhimin e NATO-s në luftën kundër ISIS dhe në misione të tjera anti-terroriste ku NATO mund të luajë rol dhe mund të ndihmojë për të sjellë stabilitet në Lindjen e Mesme. Dhe gjithashtu duam të zhvillojmë një diskutim mbi pozicionimin e NATO-s në Evropë, sidomos në Evropën Lindore, në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë dhe tjetërkund. Po ashtu do të hartojmë edhe axhendën për takimin e NATO-s në maj, kur do të mblidhen udhëheqësit e vendeve anëtare,” tha zoti Tillerson.

Komentet në lidhje me politikat që po ndjek Moska janë ndër më të fortat që ka bërë deri tani administrata Trump.

Komentet e mëparshme të administratës Trump kishin shkaktuar shqetësim tek aleatët për mundësinë që Uashingtoni të punonte për të përmirësuar marrëdhëniet me Moskën në kurriz të marrëdhënieve me qeverinë pro-perëndimore në Ukrainë, apo me aleatët e tjerë të NATO-s në Evropën Lindore.

Këto shqetësime u acaruan edhe më tej kur fillimisht Sekretari i Shtetit Tillerson njoftoi se nuk do të merrte pjesë në këtë takim të NATO-s, pasi kishte planifikuar udhëtime të tjera, një ndër to në Rusi. Por zoti Tillerson ra dakord të marrë pjesë pasi ndryshoi data e takimit të NATO-s dhe u vendos të zhvillohet sot.

Please follow and like us: