Albspirit

Media/News/Publishing

Në shtëpinë e Kadaresë

Turistët e huaj:Është me të vërtetë një shtëpi e veçantë, ashtu si vetë shkrimtari

 

Tashmë shtëpia e lindjes së korifeut të letrave shqipe, Ismail Kadare, në Gjirokastër po shërben si një qendër e rëndësishme jo vetëm për vizitorët vendas dhe të huaj por edhe për nxitjen e organizimeve artistike dhe kulturore. Shtëpia e restauruar plotësisht, çeli dyert në 80-vjetorin e lindjes së Kadaresë. Ajo po merr profilin e një muzeu për jetën dhe veprën e shkrimtarit të njohur, duke u vizituar nga banorë të Gjirokastrës, nxënës shkollash, të rinj si dhe  turistë të shumtë.

“Konceptimi arkitektonik i banesës së Kadaresë, krahas restaurimit të shtëpisë i ka ardhur në ndihmë edhe kthimit të saj në një qendër të vizitueshme si dhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore”, shprehet arkitekti Agron Doraci.

“Gjatë këtyre ditëve të para të pranverës  ne kemi pritur grupe të shumtë nxënësish dhe studentë jo vetëm nga Gjirokastra por edhe rrethe të tjera të vendit, të cilët vizitojnë plot kërshëri shtëpinë, ndërkohë që banesa është vizituar edhe nga turistët e huaj ”, thotë Bruno Pjetri, ciceroni i “Shtëpisë Kadare”.

Turistët vendas apo të huaj kërkojnë të shikojnë dhe prekin nga afër muret dhe harqet e gurta të shtëpisë, në të cilën ka lindur dhe ka kaluar fëmijërinë dhe rininë e hershme Kadareja.

“Kam dëgjuar shumë për shkrimtarin Ismail Kadare si dhe kam lexuar disa prej veprave të tij. Edhje kjo vizitë në shtëpinë e tij të lindjes më pëlqeu shumë”, thotë një turist nga Anglia.

Për Dhimtir Spiropulos, turist nga Greqia vizita në banesën e Kadaresë do të mbetet e paharrueshme. “Është me të vërtetë një shtëpi e veçantë ashtu si vetë shkrimtari”, pohon mysafiri nga Greqia.

“ Shume herë më është dashur që të udhëzoj turistët për shtëpinë e Kadaresë dhe vendodhjen e saj”, thotë M.Xhaxhiu, njeri prej banorëve të lagjes Palorto, duke shpjeguar se shtëpia e gurtë kërkohet vazhdimisht nga vizitorët.

Krahas punës në shërbim të vizitorëve, stafi që përkujdeset për banesën Kadare vazhdon të punojë edhe për mbledhjen e relikeve të ndryshme, që lidhen me jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit.

“Në banesën Kadare ne kemi programuar organizimin e aktiviteteve të shumta  artistike dhe kulturore, të cilat kanë në qendër jetën dhe krijimtarinë letrare të Ismail Kadaresë. Gjithashtu në të janë organizuar veprimari të shumta kulturore dhe artistike, ndërkohë që shtëpia ka një vizitueshëmri të lartë edhe nga grupet turistike”, pohon kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami.

Organizimi  i veprimtarive nga nxënësit dhe të rinjtë, çelja e ekspozitave në pikturë, shfaqja e filmave dokumentarë, etj në shtëpinë Kadare,  po nxitin edhe gjallërojnë jetën artistike në Gjirokastër.

Please follow and like us: