Albspirit

Media/News/Publishing

Silva Caka përplaset me Blendi Klosin: Berati s’është bixhoz. Ja si përgjigjet ish-ministri

Në prag të fushatës elektorale kanë nisur edhe përplasjet PS-LSI. Kësaj radhe debati zhvillohet për qarkun e Beratit. Ishin socialistët të parët që akuzuan LSI se po detyron me pahir punonjësit e bashkisë të merrnin teseren pasi kryetari i bashkisë është i LSI-së.

Deputetja e kësaj zone Silva Caka reagoi ashpër ndaj Blendi Klosit që është koordinator i PS në këtë qark. Po kështu përgjigjet edhe Klosi duke thënë se Petrit Sina u bë kryetar bashkie dhe me votat e PS-së.

Më poshtë debati i plotë i zhvilluar në facebook mes Siva Cakës deputete e LSI në këtë qark dhe Blendi Klosit që këtë vit është deleguar për të drejtuar fushatën e PS në Berat

Silva Caka: Përpjekja e Z. Klosi për t’ua shkarkuar qytetarëve të Beratit krizën e shkarkimit të tij si Ministër, është e pamoralshme.
Pas dështimit të bojkotit të papritur të mbledhjes së Këshillit Bashkiak nga këshilltarët e Partisë Socialiste në Bashkinë e Beratit, të urdhëruar nga Z. Klosi, ai keqpërdori edhe kryetaren e Partisë Socialiste në Berat, për të shpifur ndaj punës së Bashkisë së Beratit dhe Kryetarit të saj.

Të gjithë jemi të çuditur si nga bojkoti i këshilltarëve të Partisë Socialiste, ashtu edhe nga shpifjet, pasi deri më sot, ne kemi patur bashkëpunim shumë të mirë me Partinë Socialiste dhe deputetët e saj, deri së fundmi, kur në këtë qark është deleguar Z. Klosi, e sidomos pas shkarkimit të tij nga Ministër.
Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë të jetë bashkëpunuese e transparente, pasi e ardhmja e Beratit, për ne nuk është një natë bixhozi.

Blendi Klosi: Përgjigje e detyruar për një kolege

E dashur Silva, më vjen keq që ti ndërmerr një sulm personal ndaj meje, ndërkohë që unë kurrë nuk përgojoj, akuzoj, ofendoj as politikanë me bindje të kunderta, dhe jo më ty. Një kolege e respektuar, grua dhe nënë.

Por nuk mund të rri dot pa i’u përgjigjur jo akuzave apo ofendimeve të tua, por reagimit tënd joparimor pas qëndrimit të këshilltarëve bashkiakë të Beratit, në përpjekjen për t’i dhënë një mesazh publik kryetarit të Bashkisë.

Jo Silva. Kryetarja e PS Berat as nuk është keqperdorur nga dikush tjetër, as nuk ka shpifur ndaj punës së Bashkisë se Beratit apo kryetarit të bashkisë. Po të verifikosh rrethanat që e kane shtyrë PS Berat të mbajë këtë qëndrim, do të kuptosh se s’ke asnjë arsye të cuditesh. Përkundrazi. Të cuditurit janë socialistët që hiqen nga puna. Socialistët që vihen nën presion për t’u konvertuar në anëtarë të partisë suaj, sepse përndryshe hiqen nga puna. Socialistët që duhet të shpallin besnikërinë ndaj LSI në facebook se po nuk e bënë hiqen nga puna.

Kështu që e dashur kolege, mos u cudit hic që PS e Beratit mbron publikisht dinjitetin e njerëzve të saj, pasi nuk ka arritur dot ta sigurojë këtë mbrojtje në takime e biseda pafund me kryetarin e bashkisë. Mjaft me këtë loje se nuk ka asnjë kuptim që duke qene forca e parë e koalicionit edhe në Berat, dhe pasi kanë mbeshtetur fuqimisht Petrit Sinajn për t’u bërë kryetar, socialistët të trajtohen si qytetarë të dorës se dyte. T’u shkelet e drejta për punë dhe dinjiteti i tyre njerëzor.

Nëse dëshiron e nderuar kolege, të ulemi dhe diskutojmë me fakte në tavolinë dhe të degjojmë dëshmitë rrënqethëse të keqtrajtimit të socialistëve këtu në Berat, unë jam gati. Sepse për mua kjo aleancë është më e rëndësishme se fyerja publike që më ke bërë përmes mesazhit tënd. Por, dinjitetin e socialistëve të nëpërkëmbur, nuk më shkon për asnjë sekondë në mend ta negocioj.
Miqësisht
Blendi

Silva Caka: I dashur Blendi!
Më shumë se ty, keq më vjen mua, që reagimin tim të djeshëm, mbi situatën e krijuar nga këshilltarët e Partisë Socialiste në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Beratit, e ke marrë si një sulm personal dhe aq më tepër që ne ndoshta do të punojmë së bashku për muajt në vazhdim në këtë qark kaq interesant për zgjedhjet e ardhshme. Do t’a vlerësoja shumë nëse më tregon se në cilën fjalë të atij statusi, të kam ofenduar e fyer personalisht(!!!).

E para, si ish Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale ndoshta e ke të qartë edhe më shumë se unë se kriteret e punësimit, më shumë se me përkatësinë partiake, janë të lidhura me aftësitë dhe profesionalizmin e të punësuarve. Kjo është më e rëndësishme mendoj edhe se përkatësitë partiake apo legjendat urbane që dikush që vjen nga Tirana si turist, dëgjon në Berat apo në çfarëdo qyteti tjetër, me të cilin e lidhin vetëm disa orë në javë.

Si njohëse e mirë e realitetit në Bashkinë e Beratit (edhe e Bashkive të tjera të qarkut) të siguroj që nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë largim nga puna, me prapavijë politike, pasi Bashkia e Beratit është një Bashki që ka potenciale të jashtëzakonshme ekonomike, turistike, kulturore dhe njerëzore, të cilat, për të funksionuar në mënyrën e duhur, kanë nevojë për koordinimin e duhur nga specialistët e duhur. Të garantoj që të gjithë specialistët në Bashkinë e Beratit janë të duhurit, por nuk besoj se ti do më thuash që të gjithë socialistët janë specialistë.

Megjithatë, më lejo të të kujtoj që punonjësit në bashkitë e vendit tonë gëzojnë Statusin e Nëpunësit Civil dhe akti i një kryetari bashkie për largimin nga puna, mund të ankimohet në Gjykatë dhe nëse kjo e fundit e çmon këtë akt të padrejtë, mund t’a rikthejë atë në vendin e punës.

Përsa i përket pastaj asaj që ti e konsideron “presion për t’u konvertuar” në anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, më lejo të të kujtoj se për shkak të moshës, nuk e kam njohur detyrimin për të qenë anëtare e ndonjë partie të caktuar, që sot ka ndryshuar emrin, por që duket se ka ende drejtues që mendojnë se pas 27 vitesh demokraci, mund t’i imponosh dikujt të zgjedhë anëtarësimin në një parti. Nëse dëshira, fryma apo përpjekjet tona për të zgjeruar anëtarësinë e LSI të duket “presion”, më duhet të të ftoj zyrtarisht dhe publikisht, që të shohësh se si funksionojmë ne si parti dhe se si arrijmë që të përcjellim shpresën dhe frymën tek anëtarësimet e reja.

Së fundmi, duke të uruar suksese në detyrën e re në qarkun e Beratit, të ftoj miqësisht dhe familjarisht të kalosh sa më shumë kohë në këtë zonë kaq të bukur dhe miqësore. Aleancat partiake ndryshojnë orë pas ore apo muaj pas muaji, por natyra e Beratit, Skraparit apo e të gjithë zonës, mbetet aty për t’u shijuar dhe vlerësuar pavarësisht politikës, karrigeve ministrore apo aleancave para dhe pas zgjedhore.

Gjithashtu miqësisht,
Silva

Please follow and like us: