Albspirit

Media/News/Publishing

Përse Meta u ngrit mbi “Pazarin” e peshkut?!

Dritan LACI

E hëngri Meta karremin?!! Apo Rama e kishte vënë tiganin në zjarr pa pasur peshkun në trastë?!! Duket se loja e nervave midis peshkatarit dhe presë mori mbrëmë një rrjedhë interesante, ndërsa Meta u ngrit mbi interesat e një darke pazari me meny peshku dhe tregoi se nuk preferon të jetë thjesht një peshk që naivisht ra në trastën e Ramës. Shumëkush mund të hamendësojë se Meta veproi sipas instiktit që ja lejon performanca e tij politike e këtyre 25 viteve në politikë. Ku ka treguar kohë pas kohe se nuk ka preferuar të jetë një cironkë e politikës ditore, por të jetë një peshk i madh që rrotullon lojën edhe kur karremi nuk është në dorën e tij.

Nëse e shikojmë në anën figurative mund të jetë edhe kështu. Dhe do të ishte normale për një profil si ai i Metës në skakierën e politikës shqiptare. Po përtej lojës që mund të luajë Meta për interesat e tij dhe faktin që doli të na thotë ato që na e tha në një orë të pazakonshme kur “peshkatari” e kishte tërhequr grepin, Meta duhet vlerësuar për qëndrimin që në këtë rast ka mbajtur, çka duket se i kalon caqet e interesave vetjake personale.

Duhet vlerësuar sepse ai ka kuptuar që qëndrimet e betonizuara në istikame të palëkundura, i kanë mësuar se më shumë se zgjidhje, i kanë sjellë andralla politikës shqiptare. Dhe për këtë ndoshta nuk duhet shkuar shumë larg.

Mjafton të kthehesh në vitin 2010 dhe atë që pasoi në vitin 2011, për të kuptuar se qëndrimet kokëforta jo vetëm nuk kanë çuar drejt dialogut, por na kanë shpënë në qëndrime radikale me pasoja të rënda për vendin. Në një moment të tillë ku dy koka janë të nxehta, duhet medoemos një e tretë për të ftohur gjakrat. Dhe Meta kinse këtë duket se po synon. Ndoshta edhe për faktin e një pozite politike disi më komode, që ja lejon edhe vetë qenia si i ndërmjetëm dhe i paatakuar direkt në përplasjen midis opozitës dhe maxhorancës.

Meta po kështu e di që mungesa e stabilitetit në një moment të tillë për Shqipërinë mund të refektohej jo pozitivisht edhe te shqiptarët në rajon. Si një njohës i mirë i aktualitetit rajonal dhe kryesisht situatës së shqiptarëve në Ballkan, Meta nuk mund tja lejojë vetes një destabilizim të politikës në Shqipëri, në një kohë kur interesa të huaja me qëllim destruktivitetin e faktorit shqiptar po fryjnë në rajon.

Ndaj edhe ajo deklaratë e mbrëmshme duhet parë në një kontekst më të gjerë se sa personal. Kush ka pritur që Meta të thoshte mbrëmë se po dilte nga qeveria duhet ti ketë bërë llogaritë gabim. Në fund të fundit Meta është një lojtar i kësaj politikës sonë. I mirë apo i keq, këtë e tregon gjithmonë fundi i lojës.

Kush e ka dëgjuar Metën mbrëmë e ka kuptuar se në thelb ajo është një deklaratë e kujdesshme. Sigurisht brenda interesave të tij politike, por që në një interes më madhor kush lexon nëpër rreshta, kupton se qëllimi është shmangia e një krize politike, që në të kundërt do të prodhonte kthim mbrapa në një Shqipëri me një demokraci ende të brishtë. Do të prodhonte darka si ajo te ajo e “Krokodil” në vitin 2010, që në fund rezultoi e dështuar, dhe na çuan aty ku tashmë e dimë të gjithë.

Please follow and like us: