Albspirit

Media/News/Publishing

Të gjitha shifrat e një krize, mocionet, shumicat dhe zgjedhjet

Deklaratat e një mbrëmje më parë të Ilir Metës kanë bërë që vijimi i qeverisë të vihet në pikëpyetje. Kreu i LSI madje tregoi gatishmëri për t’i tërhequr ministrat e tij me qëllim që t’i hapet rrugë një qeverie besimi. Një lëvizje e tillë mund të ketë qenë e parashikuar nga Meta edhe pse i pyetur për firmosjen e një kontrate tjetër 4-vjeçare me Partinë Socialiste është shprehur se fjalën e kanë forumet.

Megjithatë një largim i mundshëm i LSI-së nga qeveria do të kërkonte një mazhorancë të re. Numrat pa partinë e Ilir Metës janë kontradiktorë për shkak të lëvizjeve të tjera të mundshme nga partia e tij apo opozita në drejtim të PS për të mbajtur qeverinë “Rama”. Po aq e paqartë është edhe nëse LSI-PD përbëjnë shumicën, pavarësisht se në asnjë moment Meta nuk është shprehur për një aleancë me Lulzim Bashën.

Në një situatë kur mazhoranca nuk konfirmohet me aleatë të tjerë, fati i qeverisë varet nga Kuvendi ku skenarët janë dy: Mocioni i besimit dhe ai i mosbesimit. Por, aktualisht asnjë skemë e mundshme koalicioini nuk arrin t’i sigurojë dot 71 vota. Dy deputetë ndodhen për kurim jashtë vendit dhe ardhja e tyre në një seancë plenare për të votuar mund të jetë e pamundur. Bashkim Fino dhe Gjovalin Kadeli prej disa kohësh i kanë braktisur punimet e Kuvendit. Kjo do të bënte që si PS, ashtu edhe një koalicion i mundshëm LSI-PD të kishin nga një votë më pak. Ndërkohë edhe nga LSI pati një ‘rrjedhje’ në ditët e fundit ku Luan Duzha iu bashkua PS pikërisht në momentin që partia e Metës mori mandatin socialist të Lezhës. Kjo bëri që LSI të mos shënonte asnjë rritje të grupit parlamentar.

Gjithashtu qëndrimi i PDIU është akoma edhe më i paqartë, pasi deputetët e partisë në fjalë kanë treguar paqendrueshmëri si në lëvizjet e tyre, ashtu edhe në qëndrime. Kujtojmë se nga PDIU u largua deputeti Dashamir Tahiri ndërsa iu bashkua Mesila Doda. Po ashtu, pozicionimi i dyshes Blushi-Hafizi kundër të gjithëve e zvogëlon shansin që të formohet një mazhorancë qoftë edhe me 71 deputetë.

Si bëhet mocioni i Besimit:

Një nga funksionet e Kuvendit është edhe kontrolli nëpërmjet komunikimit. Në pikën C të rregullorës parashikohet edhe mocioni i besimit të qeverisë, në mbështetje të pikës 104 të Kushtetutës.  Mocioni i besimit paraqitet nga Kryeministri për një çështje që ai e vlerëson të rëndësishme dhe mund të lidhet me miratimin në Kuvend. Teksti i propozuar nga Kryeministri hidhet i pari në votim. Konferenca e Kryetarëve përcakton kohën e debatit që do të mbahet për mocionin e besimit, duke i lejuar kohë për diskutime jo më pak se 3 minuta çdo deputeti që s’bën pjesë në grup parlamentar ose atyre që dëshirojnë të paraqesin qëndrime të ndryshme nga grupi parlamentar të cilit i përkasin. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë nga data e paraqitjes së tij në seancë plenare. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Gjithashtu, kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet paralelisht me një shqyrtim të ndonjë mocioni të mosbesimit, sipas nenit 105 të Kushtetutës.

Si bëhet mocioni i Mosbesimit:

Jo më pak se një e pesta e deputetëve, pra 28, ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar njëkohësisht një Kryeministër të ri. Mocioni i mosbesimit duhet të përmbajë nënshkrimet e deputetëve dhe të jetë i arsyetuar. Me paraqitjen e mocionit të mosbesimit, Kryetari i Kuvendit njofton menjëherë Kryeministrin dhe thërret Konferencën e Kryetarëve, për të përcaktuar datën e zhvillimit të mocionit. Paraqitja e mocionit në seancë plenare bëhet jo më vonë se 7 ditë nga depozitimi i tij dhe votimi nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë nga paraqitja e tij në seancë plenare, sipas pikës 3 të këtij neni. Seanca plenare, e përcaktuar për zhvillimin e mocionit të mosbesimit, fillon me paraqitjen e mocionit për jo më shumë se 5 minuta nga përfaqësuesi i nënshkruesve të tij dhe vijon me zhvillimin e debatit për të, sipas kohës së përcaktuar në Konferencën e Kryetarëve. Në përfundim të debatit ka të drejtë të flasë përfaqësuesi i nënshkruesve të mocionit jo më shumë se 10 minuta. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e Kryeministrit në detyrë dhe emërimin e Kryeministrit të zgjedhur jo më vonë se 10 ditë nga data e votimit të mocionit të mosbesimit në Kuvend. Në rastin kur mocioni i mosbesimit nuk miratohet, nënshkruesit e tij nuk mund të paraqesin dhe as t’i bashkohen ndonjë mocioni tjetër mosbesimi brenda të njëjtit sesion./JAVANEWS

Please follow and like us: