Koleksionisti kishte planifikuar të jepte një intervistë të detajuar për Enkel Demin në programin “Fol me mua, Fol me ata” rreth fatit të pikturave që iu sekuestruan nga policia dhe që kanë humbur pa lënë gjurmë.

Është dhunuar barbarisht koleksionisti Gjergji Thimio. Një natë më parë ai është goditur me levë në kokë nga persona ende të paidentifikuar. Dhuna ndaj koleksionistit ndodh në një situatë, kur ai është rikthyer në vëmendjen e mediave, për shkak se regjizori, Saimir Kumbaro, ishte në përpjekje për të xhiruar disa ikona të koleksionit të tij, të sekuestruara tashmë nga policia dhe që duhet të jenë nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës. Por, regjizori raportoi në media se ikonat kanë “avulluar”, çka hedh dyshime se ato janë përvetësuar. Në këtë situatë polemikash, Gjergji Thimio është dhunuar mbrëmë, kurse sot ishte planifikuar një intervistë e tij e detajuar në emisionin “Fol me mua fol me ata” të gazetarit Enkel Demi në RTSH.

Pas dhunës fizike të ushtruar ndaj tij, Gjergji Thimio ka marrë ndihmën e parë në spital dhe aktualisht mdodhet në banesën e tij jashtë rrezikut për jetën.

Gjergji Thimio është koleksionisti i ikonave të sekuestruara nga qeveria Rama, në ditët e para të qeverisjes. Ai u arrestua i akuzuar se veprat që kishte koleksionuar ishin vjedhur. Pavarësisht përpjekjeve për të provuar të kundërtën, Gjergji Thimio u dënua me burg.