Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-banorja e zhgënjyer, akuza të rënda ndaj produksionit të BB9

Çifti që ka lënë shtëpinë këtë javë, duket se nuk i ka kursyer akuzat për produksionin. E kontaktuar nga “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, Gerta ka rrëfyer se ka marrë direktiva në dhomën e rrëfimit, ku i thoshin shpesh të flinte gjumë. Nga ana tjetër, ish-banorja tregon dhe sekretin, duke u shprehur se të gjitha çiftet në lojë e dinin për ekzistencën e një shtëpie tjetër. Marrëdhënia me Denisin duket se ka përfunduar, por Gerta shprehet se ende ka kohë për të menduar për një rikthim.

Përse doli Gerta nga “Big Brother”?
Gerta doli se po fitonte shumë dashuri nga publiku dhe nëse do të rrinte më gjatë aty brenda do të ishte shumë e vështirë të dilte. Kështu ka dashur produksioni i “Big Brother”, që të dilja.

Mendoni se keni dalë për shkak të produksionit?
Po po, jam 100 për qind e sigurt që më është bërë me hile. Nuk fajësoj as Denisin, as veten. Më është bërë nga produksioni.

Pse mendoni se ju kanë penalizuar?
Po Damiano, pse u fut? Janë disa pyetje që nuk dihen.

A keni folur me organizatorët për pretendimet tuaja pasi keni dalë?
Jo, produksioni është zhdukur. Unë jam bërë bllok nga të gjitha formatet, nga çdo gjë.

Edhe Denisi ka të njëjtën bindje si ju?
Po, edhe Denisi mendon si unë. Nëse fillimisht ua vinim fajin grindjeve tona, tashmë nuk mendojmë më ashtu.

Çfarë ndodhi që ndryshuat mendim, pra që deklaroni se donte produksioni t’ju nxirrte?
Ishim të izoluar nga publiku, nga mendimi i njerëzve, dhe nuk e dinim se çfarë ndodhte jashtë, ndaj dhe ua vumë fajin grindjeve tona. Por kur dolëm dhe pamë se sa na donte publiku dhe se fikte televizorët pasi kishim dalë ne, e kuptuam që nuk ishte faji ynë.

Në fakt, të gjithë banorët kur dalin janë shumë të dashur nga publiku…
E kam këtë bindje, sepse nga çdo qytet më marrin në telefon dhe më urojnë. Si nga shkolla, si nga kompanitë, që më marrin pronarët dhe më thonë që kemi fikur televizorët tani që keni dalë ju. Më dërgojnë video, foto të shumta.

Po me Denisin, jeni ndarë përfundimisht?
Po, jemi ndarë.

Pse?
Sepse kishte shumë presion.

Presion nga kush?
Kishte shumë presion nga njerëzit, se na thanë që “ju nuk jeni çift”. Ne na krahasuan me Kein dhe Vivin apo me Ejonën dhe Ademin, që thoshin “duam më shumë ‘Big Brother’-in sesa vëllain tonë”.

A kishte ndjenja mes jush?
Nuk mund të them që s’kishte ndjenja, se ne kemi ndenjur dy javë bashkë. Kemi fjetur bashkë, kemi ndarë dollapin, pjatat, dhe s’mund të them që nuk kishte ndjenja.

Para se të bëheshit pjesë e “Big Brother”, sa kohë kishit ju të dy bashkë?
Kishim rreth 1 muaj bashkë që njiheshim, filluam të dilnim, e pëlqyem njëri-tjetrin. Nuk kishim një lidhje të fortë bashkë, por menduam të hynim në “Big Brother” si çift dhe të krijonim një çift. Nuk e di a e keni parë, por ne as nuk jemi puthur.

Si e priti familja faktin që do të bëheshit pjesë e lojës me një djalë që sapo e kishit njohur?
Familja ime u informua para që unë do të futesha me Denisin dhe më kanë mbështetur. E dinin që unë nuk marrë vendime të gabuara. Ishin të parët që më mbështetën dhe u mërzitën shumë që m’u bë kjo padrejtësi. Nga ana tjetër, ata u ndjenë krenarë që unë kisha zgjedhur dikë si Denisi.

Si është ta shikosh “Big Brother”-in nga brenda?
Është shumë ndryshe, ka shumë prapaskena, shumë intriga. Unë tani që kam dalë, nuk e shoh më.

E kishit nuhatur ju në “Big Brother” që kishte një tjetër shtëpi paralele?
Të gjithë aty brenda e dinë që është një shtëpi tjetër. Nuk ishin perfektë dhe ne e kemi marrë vesh. Flisnin te shtëpia jonë dhe kërkonin banorët e shtëpisë tjetër. Linin hapur audion e dhomës së rrëfimit dhe ne dëgjonim bisedat që bëheshin me banorët e tjerë. Të gjithë aty e dinë që ka banorë të tjerë.

Ke marrë direktiva nga produksioni në dhomën e rrëfimit?
Po, më thoshin “fli gjumë Gerta, se je lodhur shumë”, dhe pastaj më thanë “nuk je aktive”.

Please follow and like us: