Albspirit

Media/News/Publishing

Dy fjalë për librin “Si t’ia shkul kokës shkollimin”, të autorit Shpëtim Emiri

Shpëtim Emiri, megjithëse hyri në moshë të madhe në rrugën e bukur të letërsisë, sepse muza e shkrimtarit ishte e ndrydhur deri vonë në thellësinë e ndërgjegjes së tij, me 11 librat e shkruar gjatë një periudhe rreth 15 vjeçare duket që e ka fituar tashmë “kohën e humbur”.

Muza krijuese tek Shpëtimi u çlirua fillimisht me librin homazh, me titull: “ALIZOT EMIRI – Njeriu, librari e gazet fisnike”, botuar më 2011. Shkrimi i këtij libri ishte një obligim familjar për shpalosjen, jo vetëm të jetës së vështirë e plot peripeci, por edhe të veprës së heshtur të babait, Alizot Emiri, i cili është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”.

Më pas krijimtaria letrare pati vazhdimësi, duke botuar njeri pas tjetrit disa libra me tregime, monografi, apo vargje satirike, që u mirëpritën nga lexuesit e dashamirësit, të cilët me vlerësimet e sinqerta kanë qenë njëkohësisht edhe nxitës të krijimtarisë së tij. Ai është afirmuar tashmë në krijimtarinë letrare me tregimin e shkurtër, që herë – herë shfaqet edhe si reportazh letrar.

Së fundmi Shpëtimi vjen sërish tek lexuesi i tij me librin e titulluar “Si t’ia shkul kokës shkollimin”, me tregime për njerëz dhe ngjarje të jetuara. Ashtu si tek librat e tjerë të tij me tregime jetësore edhe tek ky libër gjen vend thënia e Dostojevskit “Jeta e vërtetë nuk janë vitet që ke kaluar, por vetëm ajo kohë, që kujtohet për ta treguar”. Autori qysh në hyrjen “Dy fjalë lexuesit” sqaron se libri është një lloj mozaiku biografik, i fokusuar jo vetëm tek puna e vlerat e larta njerëzore, që e shoqëruan në jetën e vështirë si ndërtues, por edhe tek mbresat e veçanta të jetës shoqërore me ndjeshmëri publike.

Libri karakterizohet jo vetëm nga shtrirja në kohë në dy sistemet social-politike (diktaturë e demokraci), por edhe në hapësirë, nëpër kantieret e ndërtimit në mbarë vendin, ku autori inxhinier ndërtimi ka punuar si drejtues teknik për realizimin e veprave gjigande industriale apo objekteve të infrastrukturës rrugore.

Është një përmbledhje me tregime për ngjarje të jetuara, të shkruara jo vetëm me thjeshtësi e vërtetësi, por edhe me mjaft emocion artistik, ku spikat veçanërisht respekti për njerëzit e thjeshtë me të cilët ka punuar autori, si dhe mirënjohja e sinqertë për të gjithë bashkëpuntorët që e kanë mbështetur për kapërximin e vështirësive jo të pakta.

Tregimet përfshijnë mbresa nga koha e shkollës në gjimnazin e Gjirokastrës e universitetin e Tiranës, si dhe rrëfime nga puna e vështirë me shumë përgjegjësi, tension e risk në kantieret e N.N.I. në Ballsh, Fier e Vlorë, apo në kompanitë private të ndërtimit “Ndipenser” – Fier dhe kantieret e “Triss-Ndërtim” në të gjithë vendin. Ato përshkohen tërësisht nga vërtetësia jetësore ku lexohen qartë elemente karakteristike të psikologjisë së kohës apo vendit, ku zhvillohen ngjarjet e përshkruara.

Autori i ka portretizuar me mjeshtëri personazhet, njeri prej të cilëve është edhe ai vetë, si autori rrëfyes, duke mos i kursyer dozat e humorit dashamirës, apo të satirës therëse, të cilat janë karakteristikë e stilit të tij letrar. Në tregimet e librit paraqitet një galeri e larmishme personazhesh interesantë të gjinive, moshave, krahinave, apo profesioneve të ndryshme, duke filluar nga të rinjtë entusiastë deri tek pleqtë me thinja, që u rëndon fjala. Aty shfaqet me doza humori filozofia popullore e xha Lazes së paharruar, apo bëhet portretizimi i pamundur i kryetarit të rreptë të kooperativës, të dy nga Mallakastra. Vlerësohet përgjegjshmëria e Hasanit, brigadierit të montimit, që jo vetëm i mobilizonte shokët në punë, por i respektonte duke i nderuar edhe në fatkeqësi familjare, si dhe stigmatizohet sjellja e Bektashit, brigadierit hokatar të ndërtimit, me propozimet e çuditëshme që ngjallnin humor. Përshkruhen mjeshtërisht heshtja stoike në kafe e plakut Safa Ymeri nga Dukati, apo heshtja olimpike në restorant e inxhinier Raqit. Kujtohet me nostalgji përjetimi njerëzor i Luizit, pedagogut të paharruar të fizikës,.ndërsa njihet me sakrificat për mbijetesë të nxënësit të dalluar, por edhe me indinjatë dyshimi i pakuptimtë i arkitekt Sokratit të ministrisë për projekt-diplomën e studentit të dalluar.

Në libër evidentohen me respekt edhe personazhe me shtetësi të huaj, me të cilët puna e ka lidhur Shpëtimin, si zoti Ralf, asistenti teknik amerikan, që nuk arrinte të kuptonte çmendurinë shqiptare të shkatërrimit ekonomik, drejtoresha energjike e kantierit grek të infrastrukturës rrugore, që dha ndihmë pa kushte në një moment emergjence, apo zotni Emini nga Maqedonia me të folmen e tij plot humor.

Ky libër është gjithashtu një mozaik rrëfimesh, ku përshkruhen situata të ndryshme normale, dramatike, apo komike me një gjuhë të pastër plot ngjyrë e figuracion, pa munguar edhe dialektet e trevave të ndryshme, të cilat autori i përdor me mjeshtëri në dialogë, duke individualizuar personazhet.

Në libër, në tregimin me titullin e librit, zbulohet me sarkazmë absurditeti shqiptar i suksesit pasuror të pashkolluarve, ku çvlerësohet dhimbshëm dija e shkolla, por evidentohen natyrshëm edhe raste ku profesionalizmi, karakteri i fortë e dinjiteti njerëzor spikatin fuqishëm.

Autori përshkruan me mjaft vërtetësi e emocion momente mjaft të tensionuara të përgjegjësisë për realizimin e objekteve të veçanta të veprave gjigande industriale në Fier e Ballsh, apo për bllokimin apo shuarjen e fontanave të naftës në Drenovë e Cakran, duke u quajtur me autoironi si “tapa” e ndërmarrjes.

Në tregimet nga kantieret e kompanisë “Triss-Ndërtim” ka kujtime mbresëlënëse për njerëz të mirë, rrëfime me humor e sarkazmë nga fillimet e kapitalizmit në Shqipëri, mbresa nga situata të rrezikshme të zbulimit të predhave luftarake gjat kryerjes së gërmimeve, apo prej pengesave absurde të krijuara me ligësi në punë nga ndonjë mosmirënjohës, si dhe mjaft ndodhi të ndryshme të përshkruara me humor.

Me mjaft konçizitet jepet ankthi i lajmit të vetëvrasjes së kryeministrit, djalit të Mallakastrës, tensioni i frikshëm e terrori psikologjik në të gjithë krahinën, si dhe mbrojtja e mençur tek partia e doktorit mallakastriot.

Me humor e sarkazmë shpërfaqet grotesku i lënies së “kopilit” në derë ambasadave me veprat e Enverit, “fenerit ndriçues” që verbonte armiqtë në të gjithë botën. Me emocione të fuqishme drithëruese përshkruhet funerali epik i trupit të heroit Bajram Curri, i vrarë në Dragobi e i varrosur larg në Krumë.

Me shumë respekt e dashuri janë portretizuar dy personalitete të nderuar me përmasa kombëtare: z. Rahman Hanku, drejtues i shquar i ndërtimit dhe z. Thanas Mërkuri, drejtues me emër i industrisë. Ndonëse me pak penelata, është realizuar portretizimi i tyre njerëzor e profesional, përgjegjshmëria e lartë dhe përkushtimi i pakufishëm në punë, si dhe aftësia e veçantë e komunikimit për mobilizimin maksimal të punonjësve në realizimin e objektivave.

“Ose shkruaj diçka, që ia vlen të lexohet, ose bëj diçka, që ia vlen të shkruhet.”, ka thënë BenjaminFranklin. Shpëtim Emiri, me përvojën e tij të pasur jetësore e profesionale si inxhinier, sigurisht që ka shumë subjekte, që ia vlen të shkruhen, kurse me përvojën e tij letrare si shkrimtar, tashmë i afirmuar në ambientet letrare, pa dyshim edhe në të ardhmen do të shkruajë letërsi, që do t’ia vlejë të lexohet.

Uroj që libri i ri “Si t’ia shkul kokës shkollimin” të mirëpritet nga lexuesi!