Albspirit

Media/News/Publishing

Klodiana Shala: Njerëzit që merren me sport janë më të lumtur

Ka kaluar më shumë se një vit qysh nga hapja e palestrës së saj “Kinetic Fitness”, por puna e themelueses, Klodiana Shala, jo vetëm që nuk është ndalur, por ka marrë forma të tjera, edhe më të ashpra. Ushtrimet e Klodit janë gjithmonë efikase, me gjithë vrazhdësinë e tonit të saj për t’i respektuar deri në fund. E bën këtë, sepse e di që ka të drejtë dhe e di që jeta nuk mund të jetë po njëlloj e bukur dhe e shëndetshme pa u ushtruar me sport.

Në një intervistë ekskluzive për revistën Class, Klodi tregon se sa i rëndësishëm është aktiviteti sportiv për jetën tonë, por sidomos për të rinjtë, të cilët, siç thotë ajo, duhet të orientohen një orë e më parë drejt aktivitetit sportiv dhe jetës së shëndetshme.

Cili është programi që ndjek në palestër? Ke një të ngjashëm me të gjithë apo sipas kategorive, moshave etj.?

Së pari, është e rëndësishme që të gjithë të gjejnë kohën dhe hapësirën për t’u marrë me aktivitet fizik. Sa u përket programeve pastaj, sigurisht një pjesë e mirë e tyre janë bazike, por ka edhe specifike njëkohësisht, në varësi të individit.

Cilat janë ushtrimet bazë që mund t’i bëjë kushdo edhe në kushte shtëpie?

Janë të ndryshme dhe të shumëllojshme. Ushtrimet streching p.sh., për regjione të ndryshme të trupit janë shumë praktike. Po ashtu, edhe ushtrimet për tonifikimin apo ushtrime kardiovaskulare, (squat, push up), ushtrime të ndryshme për abdominale, kërcime me litar etj.

Si është të instruktosh personazhe të njohur? Është më e vështirë puna me ta se më të tjerët?

Është një tmerr i vërtetë (hahaha). Është në varësi të individit, por zakonisht janë të llastuar, kanë teka dhe, për fat të keq, përgjithësisht nuk e kanë shumë të zhvilluar pjesën e kulturës së aktivitetit fizik. Jo të gjithë janë kështu, kuptohet, por një pjesë e konsiderueshme, po.

Si mund të ishin 24 orët e tua pa sportin dhe palestrën?

Ah, pa sportin? S’e di nëse do mundja, por po them 24 orë në kuzhinë dhe në krevat (hahahaha).

Ç’këshilla do t’u jepje të gjithë atyre që duan të kenë gjithmonë një formë të mirë

trupore?

Frekuentimi i rregullt i aktivitetit fizik. Kjo mund të bëhet 3 deri në 5 herë në javë, por gjithmonë i kombinuar me një regjim të mirë të ushqimit dhe të gjumit.

Si mund ta kombinojmë ushqimin me ushtrimet sportive?

Kur bëjmë stërvitje, normalisht ne djegim kalori dhe nëse nuk hamë, nuk kemi çfarë të djegim. Duhet të kemi të qartë që trupi ynë ka nevojë për çdo lloj ushqimi. Është një gabim shumë i madh të përjashtojmë lloje të ndryshme ushqimi nga menuja e përditshme. Megjithatë, ajo që duhet të kemi kujdes është shpërndarja e ushqimit në mënyrë të rregullt (5 vakte në ditë) dhe mosekzagjerimi në sasi me elementë të veçantë.

Tri pika kyçe që nuk duhet t’i harrojë askush para se të dalë në mëngjes nga shtëpia.

Higjiena personale, kryerja e ushtrimeve fizike të ndryshme dhe, mos harroni asnjëherë – mëngjesi.

Cili është privilegji i njerëzve që merren me sport nga pjesa tjetër që nuk e bëjnë?

1 – Janë më të shëndetshëm.

2 – Janë më socialë.

3 – Janë më të lumtur, më pak të stresuar etj.

Pse duhet të merret me palestër (ose aktivitet sportiv) secili nga ne?

Faktorët janë disa: I pari dhe më i rëndësishmi, që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien tonë fizike (shëndeti). Një faktor tjetër është socializimi, toleranca më e lartë ndaj ndryshimit të temperaturave, tolerancë më e lartë ndaj virozave të të stinëve, rritja e aftësisë për punë etj. Në total, është një rritje e cilësisë së jetës së gjithsecilit.

Mesazhi juaj për rininë josportive.

Në ditët tona, në një botë virtuale, pas së cilës jemi shumë të përfshirë është e vështirë të flasësh për aktivitet fizik. Shoqëria jonë është gjithmonë e më shumë e prirur ndaj videogame-ve dhe rrjeteve sociale, madje edhe kur jemi në tavolina me miq, nuk flasim me njëri-tjetrin, por flasim ndërsa shkruhemi në rrjetet sociale (FB, WhatsApp, Viber etj). Është shumë e domosdoshme dhe sa më shpejt, t’i orientojmë fëmijët drejt aktiviteteve të ndryshme sportive. E dimë që gjithçka fillon nga familja, por ashtu siç kjo familja u siguron fëmijëve çdo kërkesë, ashtu duhet edhe t’i orientojë ata drejt sportit. Fatkeqësisht, ne renditemi ndër vendet e para në botë, ku përqindja e njerëzve me probleme mekanike si skolioza kifoza, hernia, probleme të ndryshme artikulare etj. Ç’është më e keqja, të gjitha këto probleme fizike krijohen nga mungesa e aktivitetit sportiv./class/

Please follow and like us: