Albspirit

Media/News/Publishing

Negociata e dialog për një fund të lumtur

Historia priret të përsëritet! Meqenëse jemi në periudhë përplasjeje qëndrimesh dhe mbajtjeje pozicionesh me kokëfortësi, e vetmja mënyrë për të kapërcyer këtë krizë të vështirë politike, mbetet që palët të ulen në tryezën e bisedimeve. Dialogu mes mazhorancës dhe opozitës do të mbartte sukses vetëm nëse palët në fund të ditës, do të pajtoheshin dhe do të dilnin me një qëndrim unik, jo thjesht për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, por çka është gati më e rëndësishme, për vazhdimin e reformës në sistemin e korruptuar të drejtësisë, ku vend të veçantë zë zbatimi i procesit të Vetting-ut. Po ashtu, palët duhet të gjejnë edhe një konsensus mbi personin që do të jetë Presidenti i ardhshëm i Republikës. Kjo e fundit, për të mos pasur një emër që do të votohet në mënyrë të njëanshme e që me shumë siguri do të artikulohet si President politik e jo si njeriu mbi palët.

E kaluara jo shumë e largët, ku aktorë kanë qenë të njëjtët politikanë, na tregon se nëse ekziston vullneti politik, palët mund të ulen në tavolinën e bisedimeve.

Nëse kthehemi në kohë, 7 vite më parë, Partia Socialiste (atëherë në opozitë), në të njëjtin vend ku është sot gjendet Partia Demokratike, u fut në grevë urie. Kjo lëvizje politike u ndërmor pasi socialistët ishin të bindur për manipulime të zgjedhjeve politike të 2009-s dhe mishërohej në slloganin “Hap Kutitë ose Largohu!”. Pas 20 ditësh grevë urie të pandërprerë, me ndërhyrjen e fuqishme të faktorit ndërkombëtar, u arrit që krerët e dy partive kryesore në vend, Edi Rama dhe Sali Berisha, të uleshin në një darkë dialogu, në restorant “Krokodili” në Strasburg, në prezencë të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian.

Një tavolinë dialogu është zhvilluar edhe rreth një vit më parë. Protagonistë këtë radhë kanë qenë Edi Rama, kryeministër dhe Lulzim Basha, kryetar i PD-së, në opozitë. Këtë radhë, jo në Strasburg, por tek Pallati i Kongreseve. Tavolina e dialogut kishte për qëllim zgjidhjen e ngërçit politik për votimin në Parlament të ndryshimeve kushtetuese në funksion të reformës në drejtësi. Edhe pse ai takim, që zgjati për disa orë, dështoi, të paktën i hapi udhën vijimit të negociatave, që kulmuan më pas me votimin në orët e para të datës 22 korrik të ndryshimeve në Kushtetutën e vendit.

E gjithë kjo parantezë shërben për të treguar se ulja në tavolinën e negociatave nuk është e pamundur. Përkundrazi, kur vullneti ekziston, dialogu është jo vetëm i mundur, por prej tij ka edhe rrugëzgjidhje.

Edi Rama është shprehur i hapur për dialog, sa arriti që t’i lërë në dorë kundërshtarit politik të vendosë se ku dhe kur do zhvillohet takimi. Edhe Ilir Meta, nga ana e tij, është pozicionuar në favor të dialogut. Lulzim Basha, po ashtu. Por Basha flet se nuk do pazare, duke këmbëngulur për kërkesën për qeveri teknike për zgjedhjet politike dhe shtyrje të datës së zgjedhjeve. Përballë këtij qëndrimi Rama shprehet kategorik kundër.

Negociatat kanë në thelb të tyre lëshimin e palëve nga ç’kërkohet, pasi të bërit politikë, dukshëm kërkon tërheqje nga pozicionet fillestare, oportunizëm me qëllimin, kompromisin. Kështu, Rama e Basha do të duhet të lënë mënjanë kokëfortësinë dhe të lëshojnë pe. Basha duhet të tërhiqet nga kërkesa për qeveri teknike, pasi ligjërisht Rama ka një mandat kushtetues dhe nuk ka përse të largohet dy muaj para zgjedhjeve. Por edhe Rama duhet të japë garanci ligjore për opozitën për zgjedhje të lira e të ndershme, duke pranuar pse jo që çdo provë për manipulim të zgjedhjeve ose blerje të votave, që do të mund të paraqesë opozita pas zgjedhjeve, të vlerësohen ligjërisht.

Por meqenëse politika shqiptare, mban një sy e një vesh nga ndërkombëtarët, në këtë moment krize politike, ndërhyrja e tyre shihet si tejet e rëndësishme./konica.al/

Please follow and like us: