Albspirit

Media/News/Publishing

Danci bashkëkohor si refuzim i skemave tradicionaliste dhe akademizmit

Megi NDOKAJ

Artiste – Balerinë

Ndonëse nuk flitet shpesh, danci modern apo bashkëkohor në Shqipëri çdo vit e më shumë është bërë i pranishëm te publiku. Ne, kërcimtarët e rinj që do të performojmë nesër nëpër skenat tona, e pëlqejmë shumë atë dhe prandaj përpiqemi që të gjejë audienca sa më të gjera. Danci modern, sikurse dihet, ka një traditë të vonshme në vendin tonë, fill pas viteve ’90, teksa në botën artistike koreografike ai nis këtu e 100 vjet më parë me kompaninë e “Baletit rus” të Diaghilev-it, si dhe Isadora Duncan me “Kërcimin e lirë”, si formë e çlirët duke e tejkaluar klishenë e ngurtë klasike të kërcimit dhe akademizmin e ftohtë. Refuzimi i formave tradicionaliste dhe i skemave të krijuara me kohë, sidomos refuzimi i pointé-es, ishte ndoshta shtysa dhe frymëzimi i artistëve novatorë për ta parë artin e kërcimit “ndryshe”. Në themel të dancit modern qëndron ekspresiviteti i lëvizjes përmes lirshmërisë dhe shpengimit plastik, dinamikës, aktivizimit të gjestit dhe mimikës, një ritmi të lartë sa trupor aq dhe shpirtëror, duke ofruar një çlirim psikofizik sa më të plotë. Elementi ritual, magjik, primitiv dhe ai i sugjestionit e afeksionit psikik janë me rëndësi në këtë tip baleti.

Format e para të dancit modern në vendin tonë u shfaqën fill pas ndryshimeve të mëdha politike që ndodhën me rrëzimin e diktaturës dhe heqjen e censurës. Është kjo koha kur dhe u shfaqën numrat e parë koreografikë të një tipologjie tjetër kërcimi, veçanërisht në disa performime e spektakle televizive si “12 vallëzime pa një të shtunë” (1993); “Rreth fatit për 12 javë” (1994); “12 në Hollywood” (1995) me koreografi të Kozeta Bakiut, e cila prezantohet si koreografja e parë që e thyen formatin e vjetër dhe aplikon format e reja koreografike. “Arti ynë mbijeton, ndonëse me modesti, – do të pohonte në vitin 1993 koreografja. – Ndonëse ai nuk shpalos plotësisht nivelin e tij përkrah atij evropian, prapëseprapë nuk ndjehet inferior karshi tij”.[1]

Qysh te këto performanca e të tjera më pas u vu re energjia dhe lirshmëria e vallëtarëve, sensualiteti i ndjeshëm i lëvizjeve dhe larmia teknike, një gamë mjetesh shprehëse të pa përdorura më parë për shkak të censurës, kundër klisheve të vjetëruara klasiko-romantike apo ato që vinin nga vallet e përpunuara popullore kombëtare. Danci kontemporan i dha frymëmarrje, ajër e dinamikë trupit të kërcimtarit. Mbresa që u përftua nga performanca “Homazh baletit rus” e koreografit francez me origjinë shqiptare Angelin Preljocaj, në verën e vitit 1995 në Tiranë, bëri të ngutshëm nevojën e aplikimeve të guximshme artistike prej koreografëve shqiptarë në gjuhën e koreografisë moderne, ku dinamika e jetës mundi të vinte në forma të drejtpërdrejta dhe përmes një gjuhe plastike me kuptueshmëri të lartë, konkrete, mënyra kërcyese këto mjaft tërheqëse për masën e rinisë.

Duke përvetësuar eksperiencat pozitive të kërcimit modern të shekullit XX në Evropë dhe Amerikë, çka u identifikuan sidomos me kërkimet e Duncan-it, në pranimin e një procesi të vështirë konceptual, teknik dhe estetik, arti ynë koreografik në qasjet e tij moderne, aplikoi teknika të reja kërcimi, mjete artistike të një ekspresiviteti të lartë, ritëm të gjallë dhe lëvizshmëri energjike, kolazhe mjetesh nga lloje të ndryshme arti si aktrimi, fjala, performanca, filmi, televizioni, biseda dhe happening-u, forma dhe estetika të lira.

Ndonëse fuqia artistike e këtij lloji kërcimi ende nuk është vlerësuar në nivelin e kërkuar dhe ende ka qëndrime nganjëherë refuzuese dhe nënvleftësuese nga institucionet qendrore, gjithsesi duhet shënuar se vitet e fundit është vërejtur një zhvillim e përqafim i gjerë i tij. Koreografi Gjergj Prevazi me “Albanian Dance Theater Company” ka sjellë për publikun shqiptar disa shfaqje interesante, ku do të veçoja: “Tranzicion” (2001), “Kontrast” (2003), bashkëpunimi me Christiane Loch  dhe Silvano Mozzini, “Extreme makeover II – culture clash” (2013), “Kontraversal ” (2015). “Danci bashkëkohor, – vlerëson Gj. Prevazi, – është nevoja për të transmetuar një ide ose koncept në një gjuhë të re e moderne, e cila nuk ka një adresë unike; ajo i përcillet audiencës pa narracion, por me emocion”.

Në përpjekjen për të sjellë në artin e koreografisë kode të reja kanë spikatur me punën e tyre koreografët dhe pedagogët e njohur si Roberta Mone, e cila në bashkëpunim me koreografen amerikane Valerie Green, realizuan performancën “Me dëgjo, më shiko” (2004) dhe me Valentina Pierandrei performancën “Kontakt” (2006); Artan Ibershimi me “Ping-pong spekter 1&2”, “Pjesë të memories” dhe “Identitet”; Riselda Sejdija me “Risi moulin” (2014), “Fenomen” (2014); Arian Sukniqi me “Rituali i jetes ” (2011), “Zorba” (2010), Julind Dervishi me “Share” (2015), “Fanaticum” (2016), Eltjon Merja me “Pushteti i karriges” (2016), “Upside Down” (2017). Në performancat e tyre koreografike spikatin cilësi dhe forma origjinale koreografike të dancit modern, çka kanë sjellë në skenë tipologji të reja kërcimi, rrjedhimisht një fushë të hapur konkurrence artistike, pasuar nga alternativa me orientime artistike dhe estetike të qarta, me kërkime për të prekur tema aktuale, dukuri e fenomene të shoqërisë së sotme shqiptare, eksperimentime në gjuhën artistike.

Në një rrafsh cilësues dhe krahasues me dancin klasik në shfaqjet e dancit kontemporan nuk ka një linjë narrative, pra në përgjithësi mungon subjekti dhe veprimi që lidh disa episode e ngjarje. Përkundrazi, vëmendje aty i kushtohet gjendjes, situatës, ekspresivitetit të lëvizjes trupore, teknikës së lartë të kërcimit, duke përcjellë te publiku emocione dhe gjendje shpirtërore të ndryshme, kryesisht të tipit anksioz, vrulle rinore, sensualitet apo situata konverguese meditim-veprim-vrullim, sipas statusit fizik të vetë trupit të njeriut. Gjatë kërcimit më së shumti nuk lakmohet krijimi i një personazhi me fizionomi të caktuar historike, sociale, antropologjike, nacionale etj, por gjendjet e vetvetes sipas emocionalitetit të çastit të veprimit koreografik. Është kjo arsyeja përse kërcimtarët e baletit modern edhe në Shqipëri priren drejt ndjeshmërive të tyre të brendshme duke gërshetuar anët impulsive dhe intensive me anët e qeta dhe ekstensive, brenda një formati psikofizik me barsje të dukshme ekspresive. Sikurse thamë dhe më sipër, danci modern ka aftësinë e bashkëjetesave të disa arteve duke qenë interdisiplinor, rrjedhimisht duke ofruar performanca interesante dhe me një shumësi mjetesh që krijojnë ndikim dhe impakte të forta me publikun, një homogjenizim idesh, ndjenjash, përjetimesh e gjendjesh, që konvergojnë me rrjedhat e artistike kulturore botërore.

Përvojat e asimiluara nga baleti modern botëror, duke filluar posaçërisht nga konceptimet novatore të gjuhës koreografike klasike nga autoritete të tilla të formatit akademik si Nover, Petipa, Fokin, Nizhinskij, Petit, Cuningam, Kilian dhe ata të dancit modern ekspresionist, që sollën kode të reja të pahasura më parë si Duncan, Graham, Laban, Bezhar, Bausch, Forsythe etj, doemos që kanë ndikuar ndjeshëm edhe në traditën e re që po krijohet me vështirësi në vendin tonë, duke bërë që ky stil të kërcyeri të funksionojë njëherazi edhe si performim konkret në skenë, por edhe si një laborator krijues në përgatitjen e artistëve të rinj, balerina e balerinë të talentuar që duhet të zotërojnë teknikat e reja të kërcimit.

Nga produkti artistik koreografik që është realizuar në skenat tona pas vitit 1990 si dhe në performimet e shumta televizive vihet re një kombinim, alternim si dhe një përthithje e eksperiencave të shumta në përdorimin e lëvizjes, gjestit, ritmit, teknikave të kërcimit etj. Hyrja e shekullit të ri do të karakterizohej me përpjekje të shumta në konsolidimin e artit koreografik bashkëkohor shqiptar, e konstatuar në shumë shfaqje, ku do të përmendja veçanërisht: “Katedralja e Parisit” (2003), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, koreograf Agron Aliaj; “La stravaganza” (2014), “Le Noces” (2015), koreograf Angelin Preljocaj; “Impact&Table” (2014), “Four Pieces” (2015), koreograf  Daniel Cardoso; “Carmina Burana” (2015), koreograf Youri Vamos; “Monger” (2016), koreograf Barak Marshall; “Albani me sytë mavi” (danctheater), koreograf Carina Saporta etj. Këto shfaqje e kanë pasuruar arsenalin e mjeteve shprehëse, duke krijuar një proces të natyrshëm të kalimit nga baleti klasik historik, tek baleti modern. Në mjaft shfaqje të stilit të dancit modern hasen, veç të tjerave, edhe imazhet kinematografike, ilustrimet zanore me një spektër të llojllojshëm tingujsh, zhurmash jetësore, alternime të habitshme fonike, kombinime imazhesh, lëvizjesh etj, të cilat vijnë nga prania e një imagjinate të pasur e shpesh surreale.

Në fund të këtij shkrimi dua të sjell në vëmendje se eksperiencat e dancit modern botëror kanë trokitur fort edhe në procesin mësimor në Universitetin e Arteve, dega e koreografisë, ku unë studioj. Me studentët aktualisht aplikohen teknika të ndryshme të dancit kontemporan si: teknika “Graham” dhe “Limon”, ose “kontakt improvisation”, “floor work” etj. Disa performime të tipit të dance-teater kanë qenë pjesë e një sërë festivalesh ndërkombëtare si në Zvicër, Itali, Egjipt, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë etj. Mendoj se ky stil kërcimi do të ketë nesër një hapësirë më të madhe performimi, duke qenë i shumëpëlqyer dhe i duartrokitur nga masa e gjerë e artdashësve. Po ne, kërcimtaret e reja, në ç’raporte jemi me dancin modern? Përgjigja është e thjeshtë: ne jemi e do të jemi interpretues në të gjitha stilet koreografike konkurruese, për ta pasuruar arsenalin e mjeteve tona artistike, sepse vetëm në rrugën e gërshetimeve stilistike dhe modeleve të performimit mund të krijohet edhe personaliteti ynë artistik si balerina e balerinë të rinj.

Please follow and like us: