Albspirit

Media/News/Publishing

Pesha dhe detyrimet e Forcave të Armatosura në NATO, deri në 2025 shpenzimet prekin 2 % të PBB

Ekonomikisht, Shqipëria qëndron pas vendeve të Aleancës Atlantike, por edhe pse e dobët ajo ka rritur peshën e shpenzimeve për ushtrinë si përqindje ndaj PBB-së. Në raportin vjetor të aleancës, thuhet se vende të tilla si Kanadaja, Gjermania, Italia dhe Holanda shpenzojnë më pak se Shqipëria.

Vendi ynë që nga viti 2009 ka njohur shpenzime ushtarake në rritje.

Edhe pse në terma absolutë Shqipëria nuk është një kontribuuese e madhe përpjekjet e saj janë të konsiderueshme sa i përket raportit mes shpenzimeve dhe Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shqipëria parashikon që ta ndryshojë tërësisht balancën e saj të shpenzimeve për personelin duke e rritur me rreth 35% deri në vitin 2025 për t’i dhënë më shumë hapësirë përmirësimeve të kërkuara në infrastrukturë, raporton Monitor.

Nga ana tjetër parashikohet që buxheti të jetë me rishikim edhe sa i përket shpenzimeve për kërkime pas vitit 2020. Ky plan konsiderohet ambicioz nga Aleanca Veriore e Atlantikut, por që do të varet tërësisht nga zbatimi i duhur i buxhetit.

Gjithashtu, në katër vitet e ardhshme Shqipëria parashikon që të përmirësojë edhe aspektin e trajnimit, gjë e cila do t’i sigurojë Shqipërisë më shumë se 1,000 forca të afta për të operuar dhe për t’i shërbyer NATO-s.

Studimi tregon, se planet e Shqipërisë janë ambicioze në fushën e mbrojtjes dhe se do të duhet më shumë sesa aspekti financiar për t’i përmbushur ato. Sipas parashikimeve Shqipëria do të arrijë shifrën 2% të shpenzimeve ndaj PBB-së deri në 2025-ën.

Por, për Shqipërinë, angazhimet në NATO janë në formën e kontributit, por edhe të detyrueshme.

Kështu për periudhën 2008-2018 angazhimet e detyruara ishin në total 49, nga të cilat 26 janë të detyrueshme për të gjithë Forcën e Armatosur, 14 janë për njësitë Tokësore, 4 për ato Detare dhe 5 për Ajrore.

Shqipëria, sipas raportit i ka hartuar këto plane mbi baza realiste, si dhe për të qenë në proporcion me vendet e tjera. Ndryshe nga Shqipëria ( 1,000), p.sh Kroacia ka 4,000 forca të gatshme ushtarake.

Please follow and like us: