Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e krizave që sollën zgjidhje të negocuar që nga 91-shi: asnjëra nuk shpërtheu para zgjedhjeve

Krizat politike në Shqipëri në të gjithë këto 25 vjet kanë gjetur zgjidhje in extremis dhe kanë shpërthyer gjithmonë pas përfundimit të një palë zgjedhjeve.

Është hera e parë në Shqipëri që një krizë nis e majiset shumë pranë afatit të zgjedhjeve; ndërkohë që zgjidhjet nuk kanë qenë të plota, por vetëm të përkohshme dhe traumatike.

Në vitin 1991, pas zgjedhjeve të 31 marsit kur Partia e Punës fitoi dy të tretat e votave e ku zgjodhi president Ramiz Alinë dhe kryeministër Fatos Nanon, u detyrua të dorëzonte pushtetin, si pasojë e një negociate me opozitën pas një sërë protestash e grevash të mëdha në të gjithë vendin.

Negociatat arritën që të sjellin në dritë një qeveri koalicioni të madh ndërmjet Partisë së Punës që më pas u shndërrua në Parti Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Qeveria e Stabiliteti drejtohej nga Ylli Bufi që si zëvendës kishte Gramoz Pashkon. Rendin e drejtonte PS, Financat PD e kështu me radhë.

Por pas 6 muajsh Berisha u tërhoq nga qeveria e koalicionit dhe më pas një qeveri presidenciale përgatiti zgjedhjet e 22 marsit 1992 që u fituan nga PD.

Kriza tjetër e radhës ishte viti 1996, kur Partia Socialiste, pas disa akuzave se po manipuloheshin zgjedhjet tërhoqi komisionerët e saj nga qendrat e votimit, gjë që çoi në mbushjen e kutive na favor të partisë në pushteti nga komisionerë të saj. Me letra PD fitoi gati 80% dhe PS mori vetëm 6 deputetë direkt.

OSBE-ODIHR që vëzhgoi zgjedhjet i cilësoi ato të manipuluara. SHBA dërgoi në Tiranë një emisar special që i kërkoi Berishës të përsërisë zgjedhjet në të paktën 40 zona.

Presidenti i atëhershëm nuk pranoi, madje as të negocojë.

PS nuk shkoi në Parlament dhe e bojkotoi atë. Në Kuvend u ul vetëm Sali Rexhepi, një mjek nga Librazhdi që kishte fituar me propozimin e PS-së.

Opozita e akuzoi se ishte korruptuar nga adashi i tij kryetar shteti dhe koleg në profesion.

Shqipëria u përfshi më pas në një krizë njëvjeçare duke nisur me piramidat dhe më pas me trazirat e vitit 1997.

Berisha përdori grushtin e hekurt ndaj atj që e quajti rebelim komunist, por pas daljes së situatës jashtë kontrollit vendosi të negocionte me opozitën duke krijuar qeverinë e Pajtimit Kombëtar dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Qeveria u zgjodh me pjesëmarrjen e PS-së dhe PD-së dhe u drejtua nga socialisti Bashkim Fino.

Zgjedhjet u mbajtën më 28 qershor 1997 që u fituan nga PS.

Vendi hyri në krizë një vit më pas, kur si pasojë e vrasjes së deputetit Azem Hajdari u zhvillua një kryengritje e armatosur kundër qeverisë. Forcat që ishin përkrahës të PD-së morën edhe godinën e Radio Televizionit Shqiptar ku theksuan në fillim se morën dhe pushtetin; po më pas u tërhoqën.

Kriza u zgjidh me rënien e qeverisë së Fatos Nanos.

Pandeli Majko zgjidhet kryeministër ndërkohë që vendi po shkonte drejt një situate lufte në kufi si pasojë e krizës së Kosovës.

Pandeli Majko dhe Ilir Meta, me ndërmjetësimin e një gupimi joqeveritar të përbërë nga disa studentë të Dhjetorit që drejtohej nga Spiro Curra, takuan Sali Berishën për të vendosur një paqe sociale në vend meqë opozita kishte bojkotuar Kuvendin dhe refuzoi edhe referendumin për Kushtetutën.

Doli në rend të parë shprehja “Një Komb, një Qëndrim” dhe në sheshin “Skënderbej” u zhvillua një tubim i madh ku mori pjesë PD-ja dhe PS-ja bashkë në përkrahje të shqiptarëve të Kosovës.

Kriza e radhës erdhi pas zgjedhjeve të vitit 2001, kur ndodhi i famshmi “Dushku”.

Çfarë ishte Dushku?

Zgjedhjet zhvilloheshin në 100 zona direkt nga kur dilnin po aq deputetë në mënyrë mazhoritare dhe 40 të tjerë deputetë në mënyrë proporcionale.

Pra shqiptarët votonin në dy fletë, në njërën për deputetin e zonës dhe tjetrin për partitë.

PS fitoi shumicën e votave në Parlament, por nuk kushte shumicën e duhur për të zgjedhur presidentin e Republikës që zgjidhej me 93 vota.

Në fshatin Dushk të Lushnjës zgjedhjet u zhvilluan pas 3 javëve ku u votua edhe për deputetin e zonës por edhe për listën proporcionale.

Votat e Dushkut prodhuan gjithsej 7 deputetë të listës proporcionale që i dha mazhorancës shumicën për kreun e shtetit.

Kjo pjesë u cilësua jo e rregullt nga Bashkimi Europian që i kërkoi PS që të zgjidhte një kryetar shteti me konsensus.

Fatos Nano u ul në tryezë me Sali Berishën dhe zgjodhën president Alfred Moisiun.

Në vitin 2007 ndodhi kriza e zgjedhjeve vendore, ku presidenti Moisiu shtyu zgjedhjet me një muaj. Ishin dekretuar zhvillimi i tyre më 20 janar, por pas kërkesës së PS-së për vulosjen e çertifikatave në mënyrë që të mos shtypen false, u arrit një zgjidhje në momentin e fundit ku partitë vendosën që të shtynin votimet për 28 ditë, pra të zhvilloheshin më 18 shkurt.

Moisiu u mbajt mend se i mbylli përfaqësuesit e partive në Presidencë dhe i ndaloi që të dilnin pa arritur një zgjidhje. Vetë drejtoi të gjithë negociatat dhe në fund u arrit konsensuesi.

Në vitin 2009, PS-ja shpalli të manipuluar rezultatin përfundimtar të KQZ-së që u votua 4 me 3 e që solli një ndarje parlamenti ku PD dhe aleatët kishin 70 deputetë, LSI 4 dhe PS-ja 68.

PS kërkoi të hapen kutitë të paktën në tre zona: Shkodër, Tiranë dhe Fier.

Berisha nuk pranoi dhe nisi një protestë e gjatë e opozitës deri në një grevë urie 18 ditore përpara Kryeministrisë.

Parlamenti Europian udhëhoqi një proces negocimi që u zhvillua në restorant Krokodili në Strasburg, por përfundimisht nuk arriti në asnjë qëndrim të përbashkët.

Prokuroria e udhëhequr nga Ina Rama hetoi kutitë e kontestuara nga PS dhe nxori që në Shkodër, Lezhë dhe Ruzhdie të Fierit ishin manipuluar procesverbalet. Madje gjykatat dënuan edhe komisionerët përkatës.

Por Berisha dogji të gjitha kutitë në një gjest demonstrativ ku thirri të gjitha mediat në Lundër të Tiranës.

Kjo ishte një kronikë e shkurtër e krizave të negocuara në vend, ku që të gjitha kanë shpërthyer pas përfundimit të një procesi zgjedhor, por asnjëherë përpara, siç ndodh sot ku PD konteston zgjedhjet që do të vijnë dhe kërkon një qeveri teknike që t’i menaxhojë ato. /tesheshi.com/

Please follow and like us: