Albspirit

Media/News/Publishing

Roland Lami: Loja e LSI me Presidentin

LSI me afrimin e kohës së zgjedhjes së Presidentit dhe zgjedhjeve të përgjithëshme, sa vjen dhe diferencohet në deklarime, të paktën mediatikisht, me ato të PS duke u përafruar në krahun tjetër me qëndrimet e PD në disa pika. Ky qëndrim i dyzuar i kësaj force politike nga një këndvështrim i përciptë të krijon idenë e një marrëdhënieje që sa vjen dhe “kriset” me PS dhe në krahun tjetër, një rikthim i shpresës për një aleancë të mundshme me PD.

Kjo “frikë”, nëse do ta konsiderojmë si të tillë, që krijohet në krahun e majtë për shkak të rolit të kësaj force politike në zgjedhjen e Presidentit dhe në sigurimin e mazhorancës në zgjedhjet e 2017 dhe shpresa e krijuar tek e djathta për të bllokuar procesin e Presidentit dhe ndoshta sigurimin e një aleance fitoreje për 2017, nuk bën gjë tjetër veçse i rrit kontot politike kësaj force në bursën elektorale dhe atë ndërkombëtare.

Kjo forcë politike nëpërmjet qëndrimeve dhe deklaratave të saj ambige ia ka arritur që të faktorizohet mediatikisht si forcë e tretë e rëndësishme si në zgjedhjen e Presidentit, ashtu dhe në zgjedhjet e përgjithshme të 2017-s, ndryshe nga shumë parti të tjera të ashtuquajtura të vogla që nuk janë prezente në tregun mediatik në këtë fazë të rëndësishme politike. Në një farë mënyre, zgjedhja e Presidentit mund të shihet nga kjo forcë politike jo pa arsye si një test parafushate elektorale të zgjedhjeve të 2017-ës dhe LSI do e shfrytëzojë këtë moment për marketing politik dhe ajo që është më e rëndësishme për qartësim të pozicionit të saj në zgjedhjet e përgjithshme 2017. Ajo di që sa më shumë të bëhet prezent mediatikisht në këtë periudhë zgjedhore, aq më shumë krijon përshtypjen në publik për vlerën që posedon si forcë politike qoftë në pushtet, qoftë në elektoral. Aq më shumë që LSI e ka të qartë se dy forcat kryesore PD dhe PS kanë nevojë për të dhe duke qëndruar e dislarguar nga palët ka “hapur” ankandin për të testuar ofertat që ofrohen në krahët respektivë, ku është probabiliteti më i lartë për të siguruar shumicë fituese të zgjedhjeve, si dhe mundësinë e maksimizimit të këtij momenti për kapital politik. Momenti i parë që e ofron këtë mundësi është zgjedhja e Presidentit.

LSI duke iu referuar asaj çfarë ka përcaktuar Kushtetuta e 1998 për rolin e Presidentit mund të luajë në kandidaturën konsensuale dhe kjo për dy arsye. E para, kushtetuta pavarësisht ndryshimeve të 2008-ës, fatmirësisht nuk ka prekur natyrën e institucionit të Presidentit. Ajo e përcakton Presidentin e Republikës si përfaqësues të unitetin të popullit dhe simbol i unitetit kombëtar (shih Kushtetutën e vitit 1998, neni 86 parag. 1). Ky pozicion i Presidentit është në përputhje me natyrën e republikës parlamentare dhe garanton zgjidhje të kënaqshme të ndarjes së pushteteve. Nisur nga kjo hapësirë kushtetuese, interpretimi integral (në frymë) i saj, përkon dhe me imazhin që synon të krijojë kjo forcë politike në publik kohët e fundit. Një forcë politike që rreket të prezantohet në publik si përbashkuese, jo thelluese e tensioneve politike, si kontributore e ndarjeve të pushteteve dhe jo uzurpuese e tyre, si e gatshme të lëshojë pushtet për të ndërtuar shtet etj. Kandidatura konsensuale e trumbetuar nga kjo forcë politike kontribon akoma më shumë në kurimin e imazhit në publik të kësaj force politike.

Së dyti, zgjedhja e Presidentit ka dhe një aspekt procedural, i cili i referohet momentit të kuorumit të nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit. Në Kushtetutë në nenin 87 të saj, pika 3 thotë: “Presidenti zgjidhet në votim të parë të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tre të pestat e votave të të gjthë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të kuvendit. LSI duke shfrytëzuar numrin e deputetëve që ka në parlament është faktor përcaktues në zgjedhjen e Presidentit në dy raundet e fundit. Vota e saj do të varet nga cilësia e ofertave të dy forcave rivale PD dhe PS. Pasi një bashkim votash me opozitën delegjitimon mazhorancën aktuale, konturon koalicionin parazgjedhor me PD, si dhe i jep mundësinë kësaj force politike që këtë manovër ta shesë në publik si kontribut për shpërndaje pushtetesh dhe mospërqendrim pushtetesh në një dorë. Në krahun tjetër, një bashkim votash më PS siç veproi në 2011 me PD për të zgjidhur Presidentin rrit shumë shanset për një rritje të mëtejshme të LSI në kurriz të PS për shkak të favoreve që do të detyrohet PS t’i krijojë asaj në këmbim të votave për Presidentin. Njëkohësisht, çështja e kryeministrit të ardhshëm bëhet pjesë e pashmangshme e negociatave mes LSI dhe PS. Sigurisht, këtë manovër politike LSI do ta shesë në publik si kontribut që jep kjo forcë politike që institucioni i Presidentit të mos futet në krizë dhe situata politike të mos rëndohet më tej. Se cilin nga variantet e mësipërme do të preferojë LSI, mbetet për t’u parë.

*pedagog Shkenca politike, UET

Please follow and like us: