Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria ka 8 pakica kombëtare, 3 prej tyre janë sllave

Qeveria ka propozuar në mbledhjen e fundit projektligjin “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, duke i bërë një shtesë minoriteteve që Shqipëria njeh zyrtarisht si pakica kombëtare.

Kështu sipas ligjit, pakicat kombëtare në Republikën e Shqipërisë janë pakicat greke, maqedonase, vllahe/arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe. Ajo që bie në sy është se 3 prej minoriteteve që do të njihen si pakica kombëtare janë me popullsi sllave (maqedonase, malazeze, serbe). Ndryshimi është se me ligjin e vjetër minoriteti Grek, minoriteti Maqedon dhe ai Serbo-­Malazez njiheshin si minoritete etnike kombëtare, ndërsa vllahët dhe romët si minoritete etno­gjuhësore, ndërsa boshnjakë dhe egjiptianët si komunitete – raporton Respublica.

Në përkufizimin e ligjit thuhet se një pakicë kombëtare është një grup shtetasish shqiptarë që banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, kanë lidhje të hershme dhe të qëndrueshme me shtetin shqiptar, shfaqin karakteristika dalluese kulturore, etnike, gjuhësore, fetare ose tradicionale dhe të cilët janë të gatshëm për të shprehur, ruajtur dhe zhvilluar së bashku identitetin e tyre të dallueshëm kulturor, etnik, gjuhësor, fetar ose tradicional.

Qeveria thotë se ndryshimet në ligj u bazuan në kërkesën e përfaqësuesve të pakicave kombëtare dhe në përputhje me kriteret e Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Në Censusin mbi popullsinë dhe banesat të zhvilluar në vitin 2011, minoritetet rezultojnë me 52.700 individë në Shqipëri, ose 1.9% të numrit të popullsisë në vend. Sipas të dhënave të nxjerra nga ky Census mbi popullsinë banuese, sipas përkatësisë etnike dhe kulturore, rezulton Minoriteti Grek: 24.243 (individë); Minoriteti Maqedonas: 5.512; Minoriteti Malazez: 366; Minoriteti Arumun (Vllah): 8.266 dhe Minoriteti Rom: 8.301.

Please follow and like us: