Albspirit

Media/News/Publishing

Atdheu lakuriq dhe poeti pa varr

 

Trifon Xhagjika, poeti që sfidoi komunistët në sallën e gjyqit” “Më jepni një top të gjuaj sistemin tuaj!”, fjalët që tmerruan xhelatët e diktaturës

Një pasdite të ftohtë dhjetori, në kapërcyellin e vitit 1963, në Tiranë do të hapej lajmi se kishin pushkatuar poetin, Trifon Xhagjika. Fillimisht fjala do të qarkullonte nën zë në komunitetin e shkrimtarëve, pastaj në radhët e gazetarëve ushtarakë dhe së fundi do të merrte dhenë në lagjen afër “Florës”, ku kishte jetuar njeriu që ishte martirizuar. Ajo që kishte ndodhur ishte mbështjellë me mister dhe çdo interesim për më tej mund të kushtonte rëndë. Gjithsesi, poeti nuk do të rikthehej më te lagjja e vjetër, te kolegët e gazetës “Luftëtari” dhe as te blloqet, ku kishte lënë me mijëra vargje në dorëshkrime. Vonë, shumë vonë, të tjerët do ta merrnin vesh atë që kishte ndodhur… Ishte fat ii z ii poetit rrebel që juk e deshi diktaturën.

Për Sotira Tolën, motrën e poetit të martirizuar, kreshpa më e lartë e jetëshkrimit të Trifonit është qëndrimi dinjitoz në sallën e gjyqit, ku guxoi të shpërthejë rebelueshëm “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!” Kështu e kujton ajo kërkesën e fundit të të vëllait përpara inkuizitorëve. Ishin momentet kur kalvari i seancave gjyqësore shkonte drejt përfundimit. Procedura e donte të dëgjohej edhe fjala e fundit e të pandehurit. Sakaq, ajo do të vinte si rrufeja. I dënuari nuk ishte një njeri i zakonshëm, por një poet, një këngëtar. Kishte rebeluar së pari shpirti i tij dhe Trifon Xhagjika kishte shpërthyer me zë të lartë. Pastaj, ata që e kishin lebetitur nëpër qeli do të shtonin në akuzën “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, edhe tjetrën, “aktin terrorist”(!) Kjo do të ishte një arsye më shumë për ta pushkatuar fare pa mëshirë. Prapa do të mbetej stuhia me kërcitjen që kishte shkaktuar britma shpërthyese e Xhagjikës, i cili kishte guxuar t’i kundërvihej regjimit, madje me top. Po Sotira Tola, njëra nga motrat e Trifonit, përjeton një brengë, që siç parandien ajo, ka për ta marrë me vete edhe në botën tjetër. Akoma nuk dihet ku prehen eshtrat e tij dhe librat me vjersha që i rrëmbeu Sigurimi i Shtetit… Nga shtëpia e djegur në Peshtan, në Tiranë… Trifon Xhagjika do ta linte fëmijërinë e trishtuar aty, në Peshtanin e largët të Tepelenës, dhe do të vendosej bashkë me familjen në Tiranë, në fillim, diku në periferinë e qytetit dhe mandej, në rrugën e “Durrësit”.

Ishte fillimi i vitit 1941 dhe në vegimet e djaloshit 8-vjeçar do të mbeteshin vetëm flakët mbi shtëpinë në kodrinë. Rrugëtimi në kohë lufte për një qoshe disi të sigurt do t’i jepte Trifon Xhagjikës shanset për t’u shkolluar e për t’iu kthyer botës së librave. Sotira, e motra e tij, thotë se ai përfundoi me rezultate të larta Shkollën Normale të Elbasanit, prej ku zuri edhe shumë shokë, me të cilët nuk u nda deri në fund. Sidoqoftë, ky ishte vetëm prologu i sfidës për t’iu përkushtuar dijes. Në fillimin e viteve 1950, Trifon Xhagjika do të diplomohej në Tiranë oficer i artilerisë kundërajrore. Po nuk do të ndalonte këtu në fushën e studimeve, ndërkohë që kishte filluar punë në repartin e raketave te “Rrapi i Treshit”. Me këmbënguljen e tij do të përfundonte një kualifikim për gazetari. “Pas kësaj do të rehatohej disi, – thotë Sotira, – dhe do të fillonte punë në Ministrinë e Mbrojtjes si gazetar te periodikja “Luftëtari”. Ndërkohë që dëshira për shkollë nuk do t’i venitej asnjëherë. Pasion i tij mbetej letërsia. Sotira thotë se pjesën më të madhe të rrogës ai e shpenzonte me blerjen e librave. Ndërkaq, fillon të shpërthejë edhe me krijime. Sipas motrës së Trifonit, aty nga viti 1959 përfundoi librin e parë me poezi të titulluar “Gjurmët”.

Me mijëra vargje të tjera i sistemonte në blloqe e fletore. Trifoni, – shton Sotira, – mbante miqësi me kompozitorët dhe mjaft nga poezitë e tij bëheshin tekste këngësh. Gaqo Avrazi dhe Kostandin Trako, që asokohe punonin në Ansamblin e Ushtrisë, ndjeheshin të privilegjuar nga bashkëpunimi me të… Ishte gusht kur e arrestuan “Në emër të popullit!” Ishte një ditë e nxehtë gushti, kur në duart e brishta të poetit do të shtrëngoheshin prangat. Teksa dilte nga shtëpia e të motrës, Santës, i veshur me rrobat e liridaljes së kapitenit, do t’i priste rrugën një duzinë me civilë të armatosur. “Trifon Xhagjika, në emër të popullit jeni i arrestuar!” Britma e tyre do ta trondiste zemrën e poetit, që fillimisht kundërshtoi, por çdo gjë më tej do të shkonte ashtu sikundër ishte paracaktuar.

“Trifoni, -rrëfen Sotira – mesa duket e kishte parandjerë arrestimin. Atë ditë, si asnjëherë tjetër nuk e lejoi Santën ta përcillte deri te porta e shtëpisë, me justifikimin se e priste jashtë një Xhips i punës”. Sidoqoftë, familjarët e morën vesh vetëm pas disa ditësh atë që kishte ndodhur me Trifonin. E motra kujton sinjalin e parë që mori nga një shoqja e saj, me të cilën punonte në rrobaqepsi, pastaj rendjen e tronditur për tek shtëpia e Santës, afër kafe “Florës”. Ajo kishte qenë e fundit që ishte ndarë me të. Santa këmbëngulte se Trifoni ishte nisur me shërbim në Vlorë. Të paktën ashtu i kishte thënë kur ishin ndarë. “Dolëm të dyja dhe morëm në telefon një njeriun tonë në Vlorë, kujton Sotira. Ai na tha se Trifoni nuk kishte shkuar fare në Vlorë. Këtu filluam të dyshojmë. Të nesërmen pastaj do të merrnim vesh të vërtetën. Dhe u mblodhëm të gjithë bashkë, motra e vëllezër.

Na kishte rënë mali mbi supe. Trifonin e kishin arrestuar, po përse, akoma nuk e dinim. Askush nuk mund të jepte një përgjigje të saktë. Mbaj mend që hipotezën e parë e hodhi Tasho, vëllai i vogël. Ai tha se mos e kishin arrestuar për vjershat që shkruante. Të të arrestojnë për vjersha, çne, largonim hamendjet ne të tjerët. Po Tasho këmbëngulte në të tijën. E lidhte këtë me porosinë që Trifoni i kishte dhënë së fundi për t’i ruajtur në shtëpinë e tij mjaft nga blloqet me vjersha e krijime të tjera. Pse duhej t’ia ruaja unë, kur ai kishte goxha vend për t’i mbajtur, thoshte Tasho. Gjithsesi, motivi i vërtetë do të zbardhej pak më vonë. Trifonin e kishin prangosur për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. E kishin arrestuar për letërsinë dekadente që krijonte…” “Në gjyq kërkoi një top për të qëlluar sistemin” Më jepni një top të gjuaj sistemin tuaj! Këto do të ishin fjalët e fundit të poetit, që do të trondisnin trupin gjykues. Nuk kishte ndodhur asnjëherë kësisoj. Viktima e kryqëzuar për disidencë në krijimtari nuk kërkoi mëshirë, siç ndodhte rëndom në të tilla raste. Mëshira e ndjesa për Trifon Xhagjikën ishin të papranueshme. Ai kishte thirrur vet, me zërin e shpirtit të tij: “Po ku është liria?” Sistemi, të cilit i kishte dalë ballazi në duel dhe kërkonte topin e artilerisë për ta shkallmuar, për të nuk ishte gjë tjetër, vetëm “dhunuesi i lirisë”. Vargjet-trakt të Xhagjikës kishin depërtuar në duart e një mase të madhe njerëzish dhe ishin mirëpritur. “E shkreta ti, o Republikë/ U baltosesh zotërve/Dritën ta shuajnë në terr/E ditën ta ndezin/Bukën ta shtrojnë në sofër/ E duart t’i presin…”. Përtej kësaj bote rebele, poeti do të përgjërohej për lirinë e vërtetë, paçka se çmimi i saj do të ishte i shtrenjtë….

Dita e Gjyqit

“Ditën e gjyqit e morëm vesh me vonesë, vazhdon tregimin e saj Sotira Tola. Nxituan për t’ugjendur aty vëllezërit, Ylli me Anastasin, po dhe ata arritën në çastet kur ishte dhënë vendimi dhe po dilnin nga salla. Pikërisht në këtë moment u panë sy më sy me Trifonin, që sapo ishte dënuar me pushkatim. U ndalën për një çast para tij. Ylli hoqi kapelen dhe i thirri të çonte kokën lart e të mbahej i fortë, siç e donte nderi i Xhagjikëve. Trifoni deshi t’u thoshte diçka, po policët e shtyn me rrëmbim në makinën e burgut…” Këto kanë qenë çastet më të rënda për familjen e tyre. Më tej tensioni dhe ankthi do të shtohej dita-ditës. Më të rëndë e bënte gjendjen heshtja për çka shteti ishte futur në luftë me Xhagjikët. Nga aq sa mban mend nga kjo periudhë, motra e poetit të pushkatuar nga diktatura, nuk ka për ta harruar kurrë një ngjarje që ka të bëjë me qëndrimin e Trifonit në sallën e gjyqit. E ka njohur me të Anastasi Meksi, një komshije e hershme, e cila ka pasur një të afërmin e saj të pranishëm në sallën e gjyqit. Sipas saj, ai i kishte bërë gjyqtarët të flisnin me vete. Kur e kishin ftuar për fjalën e fundit para pretencës, Trifoni ishte çuar dhe kishte kërkuar një top artilerie për të qëlluar regjimin e partisë. Pastaj e kishin ulur me forcë dhe i kishin komunikuar dënimin me pushkatim. ”Menjëherë, – kujton ajo, – lajmërova vëllezërit për t’u thënë çfarë mora vesh nga Aleksandra. Ndërkohë ishte arrestuar edhe Ylli, vëllai i madh. Santa dhe dy vëllezërit e tjerë ndjeheshin të dërrmuar shpirtërisht. Duhej t’i prisnim ngjarjet pas kësaj pa u ligështuar. Për këtë folëm atë ditë. Lajmin për pushkatimin e Trifonit na e thanë më vonë. Sapo kishte mbushur 30 vjeç dhe priste të bënte fejesën me Linën, vajzën që i kishte thurur me qindra vargje”. Gjithsesi, Sotirës, siç thotë i biri, Leonardi, i ka mbetur merak që nuk mundi të takohej një herë pas arrestimit me të vëllanë. Ndërkohë, motra e madhe e poetit të martirizuar barbarisht të shpalos tjetër brengë. “Nuk di çfarë u ka thënë katilëve para pushkatimit”, shprehet ajo teksa lëngon në shtrat nga një sëmundje e rëndë. Vërtet çfarë mund të ketë thënë para pushkatimit ai që kërkoi në gjyq topin për të shënjestruar diktaturën? Ndoshta një ditë dikush do ta hapë gojën, shpreson nënë Sotira, në atë pak njerëzillëk që mund t’u ketë mbetur atyre që kanë qenë të pranishëm në çastet e pushkatimit…/Afrim Imaj/

Please follow and like us: