Albspirit

Media/News/Publishing

Kërcënimet me jetë ndaj politikanëve shqiptarë ndër vite

Lajmi se ekziston një skenar për ekzekutimin e kryetarit të opozitës u pranua pjesërisht edhe nga kryeministri Rama. Basha është i fundit, po as i pari dhe i vetmi politikan që është kërcënuar me jetë pas vitit ’90. Që nga Berisha tek Rama e Tahiri, ja atentatet ose kërcënimet më të bujshme politike…
Organet e posaçme shtetërore kanë shtuar masat e sigurisë për kreun e PD-së, Lulzim Basha pas një informacioni të marrë në rrugë zyrtare e më tej të bërë publik nga gazetari Blendi Fevziu se ka një skenar për asgjësimin e tij.

Lajmin e pranoi dhe vetë kryeministri Edi Rama dje, por jo në përmasat që është përhapur mediatikisht.

“Nuk ka asnjë skenar për të ekzekutuar kryetarin e opozitës. Ka pasur një informacion që është trajtuar me seriozitetin më të madh dhe pavarësisht se gjithë ekspertiza tregon se informacioni nuk është mjaftueshmërisht i besueshëm dhe burimi është kontradiktor, janë marrë të gjitha masat njësoj sikur kjo të ishte diçka realisht e vërtetë, sepse patjetër që siguria e të gjithë njerëzve, padiskutim dhe e kryetarit të Partisë Demokratike, është prioritet numër një, nëse kërcënohet. Por përtej çfarë pompohet në katundin mediatik ju siguroj se kryetari i PD është më i mbrojtur se asnjëherë dhe sigurisht që do të jetë tërësisht i mbrojtur deri në fund me gjithçka që shteti ka për detyrë”, tha Rama sot. Më shumë se kushdo tjetër ky i fundit është i interesuar që kundërshtarit të tij politik të mos i ndodhë asgjë e keqe ndërkohë që dy palët ndodhen në një betejë politike për zgjedhjet e reja.

Vetëm 6 vite më parë në të njëjtin pozicion ishte vetë Edi Rama, i cili si kryetar i Partisë Socialiste në atë kohë në opozitë mori kërcënim me jetë dhe ndaj tij u shtuan masat e sigurisë. Por ndryshe nga rasti i Bashës, ku ai nuk është kërcënuar, por është një informacion i siguruar nga SHISH, Rama mori mesazhe në telefonin e tij celular ku kërcënohej me disa ditë pas protestës së 21 Janarit, ku ishin vrarë 4 protestues të opozitës.

Atentatet ose kërcënimet më të bujshme politike

Shqipëria në historinë e saj ka shënuar vrasje kryeministrash dhe ministrash, por pas vitit ’90 vetëm vrasja e Azem Hajdarit, funksionar dhe deputet i PD-së është atentati më i bujshëm ndaj një politikani.

  • Në 9 maj 1996 Presidenti Sali Berisha u kërcënua gjatë një takimi me homologun italian Luigi Scalfaro. Një i ri me granatë në dorë kërcënoi se do t’a shpërthente por ai u ç’armatos dhe u arrestua.
  • 4 qershor 1997. Gjatë një mitingu në fshatin Shkallnuer një person me emrin Ilir Çeta hodhi një granatë në podiumin ku po fliste presidenti Berisha, po ajo nuk shpërtheu.
  • 21 shtator 1997. Makina e Arta Dades, ministre e Kulturës në atë kohë, shpërtheu në Shkodër pasi iu vu poshtë një sasi tritoli.
  • 12 janar 1998. Makina e ministrit të Brendshëm, Neritan Ceka, bllokohet në rrugë nga një makinë tjetër.
  • 12 shkurt 1998. Dikush telefoni në polici dhe tha se kishte vënë bombë në zyrën e kryeministrit Fatos Nano, por ky alarm rezultoi fals.
  • 14 shtator 1998. Pas vrasjes së Azem Hajdarit, sulmohet me antitank dhe armë të tjera godina e Kryeministrisë që kishte si synim vrasjen e Fatos Nanos, i cili në fakt nuk ndodhej në zyrë.
  • 15 shtator 1998. Sulmohet eskorta e ministrit të Brendshëm Perikli Teta. Autori mbeti i vdekur nga kundërpërgjigja e truprojave të ministrit.
  • 13 prill 2001. Dikush goditi xhamat e shtëpisë së kryetarit të Bashkisë, Edi Rama, dhe hodhi fishekë brenda në shtëpi. Rama vetë tha se ishin “karamelet e Berishës”.
  • 19 gusht 2011. Ilir Meta sapo kishte dhënë dorëheqjen si zv/kryeministër dhe ministër i Energjisë. Ai bëri publike dy sms kërcënuese që i kishin ardhur nga një nr jashtë vendit. Policia e mori në mbrojtje atë dhe familjen.
  • 10 shkurt 2015. Hidhet në erë farmacia e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Please follow and like us: