Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë kushtesh duhet të vërë Basha në tryezën e negociatave?

Mentor Kikia

Partia Demokratike dhe Lulzim Basha janë në një moment të vështirë politik. Protesta nuk prodhoi zgjidhjen që ata prisnin dhe qëndrimet e fundit të ndërkombëtarëve e kanë zbehur shumë shpresën se qëndrimi i opozitës do të marrë një mbështeje në Perëndim. Analistët politikë që janë jashtë çadrës së protestës thonë se Basha është drejt një fataliteti politik, ndërsa ata që janë afër opozitës, mendojnë se çfarë zgjidhje duhet të gjejë Basha, që të dalë i justifikuar nga çadra.

Në fakt unë mendoj se nuk duhet të gjendet një zgjidhje që ti shpëtojë fytyrën Bashës dhe opozitës në tërësi, por një zgjidhje që të shpëtojë Shqipërinë. Në këtë këndvështrim, do të ishte mirë që në tryezën e bisedimeve që pritet të ndërtohet edhe me ndërmjetësimin e politikanin gjerman David McAllister, Basha të hedhë kërkesa të arsyeshme për perëndimorët, të dobishme për klasën politike, të realizueshme nga ana e qeverisë dhe plotësisht të arsyeshme edhe për të justifikuar bojkotin e zgjedhjeve. Basha në fakt ka çimentuar një kerkësë, siç është largimi i kryeministerit Rama dhe krijimi i një qeverie teknike. Por për shefin e diplomacisë gjermane është e paperceptueshme, që dy muaj para zgjedhjeve të krijohet një qeveri teknike. Aq më keq të bojktohet edhe parlamenti.

Nëse Basha shkon në tryezë me kërkesën fikse të qeverisë teknike, nuk është çudi që ndërmjetësi gjerman të ikë duke përsëritur atë që tha ambasadorja gjermane disa ditë më parë që “çdo parti e zgjedh vetë të shkojë apo të mos shkojë në zgjedhje”.

Basha kërkon një qeveri pa Ramën, dhe socialistët caktojnë kryeministër Taulant Ballën. Cili do të ishte ndryshimi? Nëse Basha kërkon qeveri teknike sepse socialistët kanë paratë e drogës dhe me to do të blejne zgjedhjet, a nuk mund ti përdorin ato para ata, edhe duke mos qenë Rama kryeministër? Kush dhe çfarë do ti pengonte?

Basha nuk duhet të kërkojë largimin e Ramës për të dalë si hero nga çadra, por të hartojë një paketë kërkesash që ti shërbejnë Shqipërisë dhe demokracisë dhe jo ti shpëtojnë atij imazhin brenda partisë.

Por çfarë mund të kërkojë Basha? Mund të rendisim disa pika, që në fakt janë shndërruar edhe në gangrenë e sistemit zgjedhor dhe demokracisë në tërësi:

1- Kontrolli mbi financimet e partive dhe kandidatëve. Transparencë totale dhe bërje publike të donacioneve.

2- Vendosja e kufizimeve për shpenzimet elektorale.

3- Kriminalizimin e blerjes së votës dhe vendosjen e sanksioneve të forta ndaj atij që e shet dhe atij që e blen votën.

4- Parashikimin në Kod të sanksionit të heqjes së mandatit për ata deputetë, ndaj të cilëve sigurohen prova bindëse se kanë ofruar para apo favore të tjera në këmbim të votës.

5- Ndryshimi i Kodit dhe aplikimi i listave të hapura për deputetë, për t’u hequr monopolin kryetarëve e për të shkatërruar “bursën” e listës së kandidatëve.

6- Depolitizim të komisioneve të numërimit të votave.

7- Mundësimi i të drejtës së votës për emigrantët, në vendet ku ata punojnë e jetojnë.

Unë mendoj se nuk do të ketë negociator që të mos jetë dakord që fushatat elektorale të mos financohen nga sipërmarrës të korruptuar, apo të inkriminuar, që zotërojnë koncesionet e ekonomisë kombëtare, dhe që dorëzojnë para me thasë në selitë e partive, për ti rimarrë disafish më pas, në formë tenderash e koncesionesh të reja. Unë nuk mendoj që negociatorët do të jenë dakord që në vendin më të varfër të Europës, fushata elektorale të ketë kosto më të lartë se në SHBA, pasi partitë shpenzojnë miliona Euro për tubime luksoze, sheshe të shtruara me tapete, banera e flamuj që mbushin shtyllat e pemët në çdo rrugë të vendit. Unë mendoj se asnjë negociator nuk do të jetë kundër ndëshkimit të shitblerjes së votës. Sepse askush në Perëndim nuk mund ta pranojë që vota të bëhet mall dhe të shitet në pazar, duke deformuar dhe varrosur demokracinë në mënyrën më të shëmtuar.

Nëse Basha në tryezën e negociatorëve vendos këto kushte për të hyrë në zgjedhje, do ti duhet ta bëjë më të madhe çadrën pasi do të ketë shumë më shumë njerëz që mendojnë se këto janë kushte që garantojnë zgjedhje të drejta, shumë më tepër sesa thjeshtë ndërrimi i një kryeministri. Nëse Basha kërkon shtryrjen e zgjedhjeve deri në plotësimin e këtyre kushteve, ky do të jetë shërbimi më i madh që mund ti bëjë Shqipërisë. Dhe askush nuk do ta akuzonte dot se po shkatërron demokracinë.

Please follow and like us: