Albspirit

Media/News/Publishing

Rama: Sfida jonë zbatimi i vetingut, jemi gati të nisim bisedimet për anëtarësim në BE

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe njëherë angazhimin e qeverisë që ai drejton, për zbatimin e vetingut. Ditën e djeshme, gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, kryeministri Rama tha se Shqipëria ishte gati për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin në BE. Sakaq, shefi i qeverisë nënvizoi se e vlerësonte mbështetjen e Gjermanisë sa i takon reformave nevralgjike, për të cilat vendi ka një emergjencë.  “E vlerësoj për angazhimin për të rritur bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, i jemi shumë të mirënjohës Gjermanisë, qeverisë gjermane, kancelares, dhe ministrit të Jashtëm për mbështetjeje e në realizimin e reformave transformuese në vend, dhe padyshim reformës në drejtësi. Një mbështetje e shprehur por edhe e pasqyruar më së miri në ekspertizën dhe asistencën gjermane për forcimin e administratës publike, shtetin e së drejtës, dhe projektet në infrastrukturë, energjetikë, arsim profesional e jo vetëm. E informova ministrin e Jashtëm për të gjitha hapat që Shqipëria ka ndërmarrë në përmbushje të prioriteteve për anëtarësimin në BE dhe për të gjitha sfidat që ne kemi, duke nisur nga më e rëndësishmja që është fillimi i zbatimit të vettingut, për të pastruar sistemin e drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Duam t’i japim mesazhin e qartë ndërkombëtarëve se Shqipëria është gati për të filluar bisedimet për anëtarësimin në BE. Folëm edhe për rajonin”, deklaroi Rama. Në takimin mes tyre, jo pak vëmendje pati edhe situata në rajon apo edhe në lidhje më procesin e Berlinit. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë i garantoi diplomatit Gjerman se Shqipëria do të qëndroi gjithmonë përkrah Gjermanisë sa i takon sfidave të përbashkëta. “I dëgjuam më vëmendje shqetësimin e ministrit të Jashtëm gjerman për situatë në rajon. Takimi i radhës në Trieste për procesin e Berlinit synohet të jetë frytdhënës. Patjetër që ne jemi të gatshëm për të vijuar më tej me reformën, dhe do të qëndrojmë përkrah Gjermanisë për sfida të përbashkëta. Synojmë që në Shqipëri dhe rajon të afirmohet fryma europiane”, tha Rama.

Please follow and like us: