Albspirit

Media/News/Publishing

Spiro Saqellari: Na llogarisni edhe ne!

Mendoj se duke lexuar titullin e shkrimit do t’ju kujtohet melodia e këngës, vite më parë, kur fëmijët na tregonin se ishin forcë e madhe për të ndërtuar socializmin. Dhe jo vetëm kaq. Por dhe se gjërat duheshin llogaritur edhe për ta. Dhe mirë bënin. Ishte një kohë kur fëmijët kërkonin edhe me këngë, tani as me mend e as me fjalë. Ua kemi zënë mendjen, gojën, dhe ambientin me celular, super Mario, i-phone, kompjuter, rrugë plot makina,  kafene e plot e plot gjëra të tjera të mëdhenjsh… Ata nuk janë “të mirëpritur”…

Poshtë pallatit: fëmijë që vrapojnë pas topit. Prindër e gjyshër që i vëzhgojnë nga ballkonet e dritaret. Dhe xhaxhër e teta, tërë inat, të bezdisur nga gjallëria e tyre, lëshojnë me mend apo me zë të lartë: pushoni majmunë të vegjël!

Tek tarraca e lokalit të lagjes: fëmijë bashkë me prindër, por që nuk rrinë dot ulur në tavolinë me ta përballë gotës me lëng se kanë kohë të vijnë vërdallë. Në tavolinën afër “xhaxhër” me kapele e të kollarisur u hedhin vështrime gjithë inat fëmijëve dhe prindërve. A thua se kafeneja është vetëm e tyre?

Në supermarket: fëmijës i vjen radha të blejë çfarë do. Po sapo hap gojën dëgjohet teta shitësja që i drejtohet një Zonje të mbajtur në radhë pas tij…urdhëroni ju,  çfarë do merrni se ky pret; ka kohë plot; çilimi është.

Në qendrat tregtare: fëmijë që vrapojnë e gëzojnë, nën vështrimet tërë qortim të punonjësve të shërbimit të qendrës. “Pushoni, me ngadalë!” – thonë prindërit gjithë kohën, a thua se janë në bibliotekë.

Tek rruga poshtë pallatit: fëmijë që luajnë futboll. Dy porta të bukura futbolli në mes të rrugës, por më kot, Bledi se ka shijuar ende gëzimin e golit. Sa është para portës këmbët i dridhen nga boria e makinës që po vjen dhe ulërima e mamit nga ballkoni.

Kjo pra është mirëseardhja që po u bëjmë fëmijëve tanë në këtë botë, edhe të bukur, por jo për ta. Ku janë fëmijët e rrugicave, gjallëria dhe zhurma e bukur e tyre, edhe pse ndonjëherë na bezdiste? Nuk ka më fëmijë? Jo. E dimë mirë që ka. Zërat ua dëgjojmë, por nuk i shikojmë. Janë futur nëpër shkallët e pallatit, dhe atje, nën vëzhgimin e rreptë të komshinjve seriozë që u tundin kokën gjithë qortim. U ka ngelur tani të futen brenda shtëpisë e dhomës katrore ku i pret televizori zhurmëmadh.

Pra, fëmijë ka por është zhdukur rrugica. Në vend të saj një rrugë, e bollshme për makinat por e ngushtë, shumë e ngushtë, për ta. Çezma plot ujë, në fund të saj, ia ka lënë vendin një semafori. Nuk është më dyqani i ëmbëlsirave. Në vend të tij tani ngrihet një dyqan i stërmadh ku akulloren e ngrirë e merr nga një sëndyq akull dhe të plevitosen duart deri sa të vesh ta paguash tek teta sy ulur.

Fëmijët tanë, të mbivlerësuar nga ne, të cilët i duam shumë vërtet dhe themi se për ta i bëjmë të gjitha, janë të padëshiruar në vendet publike. Me rrugët, makinat, kafenetë, trotuaret e ngushta, hapësirat janë të papërshtatshme, më keq akoma, të rrezikshme. Hapësirat publike janë vende të mëdhenjsh, të bëra nga të mëdhenjtë për të mëdhenjtë. Përpiqemi shumë që këto vende të jenë të sigurta për fëmijët, por jo të përshtatshme për ta. Nuk u japim atyre asgjë. Edhe kur ndërtojmë vende për ta, duken si parkingje makinash, ku i mbyllim që t’i ruajmë dhe t’i kontrollojmë.

Në fakt, mëmat nuk kanë faj që janë sy e veshë mbi ta. E thamë, vendet për ta janë të rrezikshëm, ndaj prindërit i ndjekin gjithë ankth e ky ankth transmetohet tek fëmijët. Vëreni sa janë shtuar çrregullimet në moshën fëmijërore. Fëmijët kanë nevojë, e kanë të domosdoshme të eksplorojnë, edhe vetëm, botën që i rrethon. Kjo i ndihmon të përballojnë rreziqe, të bëhen të  përgjegjshëm dhe të kapërcejnë frikërat e jetës. Pa këto eksperienca, ata po bëhen gjithnjë e më shume frikacakë e pllaka parafabrikati. Gjynah! Hapësirat publike po bëhen gjithmonë e më shumë të rehatshme për makinat dhe jo për fëmijët. Shpresojmë që ata, kur të kenë radhën, t’i bëjnë ato ferr për automobilat e parajsa për të vegjlit e tyre.

Please follow and like us: