Albspirit

Media/News/Publishing

Thaçi: Nëse BE ua mbyll dyert, shqiptarët do të duan të jetojnë bashkë

“Nëse Bashkimi Evropian ia mbyll derën Kosovës, atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme”, ka deklaruar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për Radion Evropa e Lirë.

Thaçi e ka bërë këtë deklaratë pas deklaratës së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse venitet perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE.

“Bashkimi Evropian, aktualisht, as në raport me Kosovën dhe as me Ballkanin Perëndimor, nuk ka as vizion dhe as lidership për integrimin apo përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Thaçi.

“Këtë vonesë, këtë ngurtësi e këtë jovizion për Ballkanin Perëndimor, për fat të keq, janë duke e shfrytëzuar ideologji dhe vende joevropiane dhe të frymës dhe vizionit jo euro-atlantik”, ka theksuar ai.

“Natyrisht që qytetarët e Kosovës janë të frustruar me Bashkimin Evropian, me ngurtësinë e tyre, me bllokadën e tyre dhe me padrejtësinë dhe ndëshkimin që po u bëhet qytetarëve të Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme dhe të domosdoshme dhe krejtësisht me të padrejtë e ka vënë si kriter edhe çështjen e demarkacionit”, ka thënë tutje Presidenti i Kosovës.

“Natyrisht, atë që e kam thënë edhe në vitin 2013 e them edhe tani: nëse Bashkimi Evropian ia mbyll derën Kosovës, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme, për t’u integruar pastaj tutje në familjen evropiane”, është shprehur Thaçi.

Qëndrim të njëjtë ka shprehur këto ditë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në një intervistë për “Politico”, ai ka paralajmëruar se Evropa “mund të përballet me një makth”, nëse vendet e Ballkanit “çmenden”, si pasojë e nxjerrjes jashtë agjendës së zgjerimit të BE-së.

Ai në plan të parë e ka vënë bashkimin e shqiptarëve në kuadër të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Por, nëse kjo rrugë pamundësohet, ai ka paralajmëruar edhe mënyra tjera.

“Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që të bashkohen në Unionin e madh. Por, nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”, ka thënë Rama.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka cilësuar si “populiste” deklaratat e homologut të tij nga Tirana, Edi Rama.

Në një intervistë për “KTV”, ai ka thënë se Kosova “nuk synon bashkim tjetër, veç BE-së”.

“Ne nuk e kemi orientimin që të bëjmë bashkime të tjera, përveç Bashkimit Evropian. Edhe nëse s’na pranojnë për dere, do të hyjmë për dritare”, ka theksuar Mustafa. (REL)

Please follow and like us: