Albspirit

Media/News/Publishing

Parti e re, sfidë e re, me të rinj!

Situata parazgjedhore e politikës shqiptare nuk është hera e parë që pasurohet me parti dhe frymë të reja, por jo domosdo me njerëz të rinj. Në këtë kuptim, duket sikur lexojmë çdo katër vjet të njëjtin libër, ku personazhet kombinohen ndryshe për të mbetur në thelb të njëjtët e që për rrjedhim na tregojnë të njëjtën histori.

Një grup të rinjsh, të rejash por edhe të pakënaqurish u bënë bashkë gjatë fushatës së fundit të Tiranës për Kryetar Bashkie për të promovuar idenë që në Shqipëri ka motivim të mjaftueshëm dhe shpresë për t’u shkëputur nga gjithçka që ishte zgjatim i politikës së pushtetit në krye dhe pushtetit në opozitë. Kështu, rreth 16,000 njerëz e përkrahën me votë lëvizjen nën emrin Ne Tirana. Ishte kjo, një shifër e mjaftueshme për të kuptuar se Shqipëria është tashmë plotësisht gati të lëvizë nga tradita bipartiake që polarizon militantë prej interesash të ngushtë.
Natyrisht, kjo frymë e re dhe krejtësisht e pavarur duhet të ishte një nismë për diçka më të madhe më pas. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj lëvizje tashmë i është bashkuar sfidës së rradhës, që në fakt është më e madhe dhe gjithpërfshirëse, jo vetëm për Tiranën. Akademikë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile si edhe njerëz të zhgënjyer nga e shkuara politike por edhe nga e tashmja, tashmë janë pjesë e Sfida për Shqipërinë!
Të gjithë së bashku, disa edhe me bindje ideologjike të ndryshme, vendosën që sfida e vërtetë nuk është më të bëhemi palë e partive ekzistuese por të krijohet diçka e re, me figura të njohura dhe të panjohura.
Në mbledhjet e para, që prej muajit shkurt të këtij viti, ky grup ishte ende në fazën e diskutimeve për të gjetur atë emër që do ta përmblidhte më mirë idenë e përbashkët për një “dalje totale” nga sistemi ose më mirë; për një risistemim. U diskutua të përzgjidhej një emër mes: Sfida për Shqipërinë, Alternativa për Shqipërinë dhe Lista e Hapur. E para ishte përzgjedhja finale për të ngritur grupimin partiak që sot quhet Sfida për Shqipërinë.
Ndërkaq, shohim se parti të tjera po krijohen me shpejtësinë e erës, shpesh, duke u zënë dorë për dore me parti të mëdha për të krijuar sërish një pol. Pra, me qëllimin përfundimtar: pushtetin! Ajo që duhet të na shqetësonte në këtë rast është se kush shqetësohet për qytetarin a fshatarin kur sot shohim të njëjtët njerëz që ishin dje, për një kohë shumë të gjatë, të instaluar nëpër parti dhe krejtësisht të pashqetësuar. Si mund të krijohet shpresë e re nga mendësi të vjetra?!
Kjo është një pyetje përgjigjen e së cilës edhe qytetari më indiferent karshi politikës e ka të qartë. Ky gjemb është e pamundur të çelë trëndafilë!
Ajo që shqiptarët duhet të kërkojnë sot është së pari shkëputja përfundimtare nga e shkuara. Asgjë e re nuk mundet të vijë nga rrënjët e kalbura të politikës, ku të njëjtët personazhe luajnë kukafshehti, duke u zbuluar pikërisht aty ku kanë më shumë pushtet dhe protagonizëm. Por nga ana tjetër, media e lirë dhe njerëzit me frymë qytetarie dhe vizion, duhet të mos u vendosin lupën partive të reja të pavarura, por të shikojnë në dritën e diellit partitë që krijohen eksluzivisht për pushtetin e njërës apo tjetrës palë. Ato duhen parë me vëmendje për vetë dinamikën aq të parashikueshme me të cilën veprojnë. Dhe në çdo rast, zgjidhja nuk është shpifja kundrejt njerëzish të nderuar por investigimi ndaj eksponentëve të vjetër e “me muskuj” boll në tregun politik.
Ndërgjegjësimi duhet të jetë i plotë dhe i përbashkët: nga media dhe politika. Dhe qëllimi duhet të jetë vetëm një: E ardhmja e Shqipërisë!

Gazeta Shqiptare, 1 Nëntor 2016

Please follow and like us: