Albspirit

Media/News/Publishing

Vihet nën hetim drejtori i Albpetrol, Endri Puka

Drejtori i kompanisë publike Albpetrol Endri Puka është zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.

Puka është paraqitur në prokurori më datën 19 Prill, ndërsa prokurori i çështjes i ka komunikuar zyrtarisht veprën për të cilën dyshohet ai: Konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës.

Puka nuk ka pranuar të japë shpjegime përpara prokurorit, ai është përgjigjur vetëm me një fjali: “Unë nuk e pranoj akuzën dhe do të jap sqarimet përkatëse në një kohë të dytë në prani të avokatit tim”, shkruan Hashtag.al

Ky hetim i nisur nga prokuroria lidhet me ngjarjet e raportuara në Hashtag.al, ku kompania Albpetrol dhe koncensionari ‘Phoenix’ po përplasen, ndërsa ‘Albpetrol-i’ ka zhvatur puset e koncensionarit në mënyrë arbitrare, duke neglizhuar kërkesën e AKBN-së dhe të ministrit të Financave.

Hetimet sapo kanë nisur dhe burime nga organi i thanë Hashtag.al se verifikime po kryhen edhe ndaj veprimtarisë së ministrit Damian Gjiknuri në lidhje me këtë çështje. Hetimet mund të vendosin dhe ministrin Gjiknuri përballë akuzës.

Drejtori i Albpetrolit Endri Puka, e ka justifikuar ndërhyrjen në puset e kompanisë private ‘Phoenix’ nëpërmjet një shkrese të ministrit Gjiknuri që e konsideronte të zhbërë marrëveshjen ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë ‘Phoenix’.

Mirëpo prokurorët kanë konstatuar një problem, pasi marrëveshja është miratuar dhe legjitimuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2013. Ndaj dhe vetëm një vendim i Këshillit të Ministrave ose një vendim gjykate mund të zhbëjë këtë marrëveshje.

Please follow and like us: