Albspirit

Media/News/Publishing

Zgjedhjet në Francë, Mirela Harito: BE duhet forcuar, të jetë model shprese

Lidhur me zgjedhjet presidenciale që zhvillohen sot në Francë, ministrja e Inovacionit Milena Harito thotë se të gjithë sot i kanë sytë nga Franca dhe se kontinentit të vjetër i duhet më shumë Evropë.

 

Statusi i ministres në “Facebook”

Sot na duhet të ndalojmë pak shëtitjen me Çadër apo me syze dielli në bulevard dhe t’ju bashkohemi disa qindra milionë evropianëve të kontinentit me të njëjtin emër, të cilët sot, pikërisht sot, i kanë sytë drejtuar nga Franca për të mësuar në ora 20:00, pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, nëse BE si hapësirë paqeje, mirëqenieje dhe zhvillimi do të vazhdojë të ekzistojë ende.

Impakti i daljes së Francës nga BE, që do të sillte si pasojë edhe shkërmoqjen e Bashkimit Evropian, do të ndryshonte përgjithnjë faqen e kontinentit dhe Shqipërisë e Ballkanit bashkë me të, për keq jo për mirë.

Dy ndër katër kandidatët që kanë probabilitet të mjaftueshëm të kualifikohen për raundin e dytë janë kundra Bashkimit Evropian.

Nëse ndodh që këta të jenë dy të kualifikuarit e raundit të parë, Bashkimi Evropian nuk do ti mbijetonte dot një goditje nga Franca, vend fondator dhe shtyllë e BE së bashku me Gjermaninë.

Evropianët kanë harruar çfarë ju sjell BE. A imagjinojnë dot sot të rinjtë francezë që udhëtojnë me trena në gjithë vendet e Evropës, që shkrirja e BE sot nesër nuk do të thotë thjesht udhëtime pak më të vështira me viza e ndalesa në kufij, por mund të përkthehet në luftë me Poloninë a me Hungarinë ? Që zhdukja e € do të thotë ulje e shkëmbimeve tregtare brenda Evropës, më pak peshë karshi Kinës, Indisë, SHBA, por në fund të fundit më pak mirëqenie, më shumë varfëri, më pak punë për ta?

Evropa mund të jetë bërë në këto 60 vjet jetë si ato shtëpitë e mëdha, e tejmbushur mbase me objekte të çmuar dhe qilima të rëndë por e pluhurosur. Por të shëmbësh shtëpinë për ta shkundur nga pluhuri nuk është zgjidhja sepse mbetesh jashtë.

Hajde ta shpluhurosim e ta modernizojmë shtëpinë, ti japim më shumë dritë duke hequr perdet e rënda, madje edhe duke e hapur oborrin për miqtë që duan të vijnë aty, siç jemi ne vendet e ashpra por dinamike të Ballkanit.

Bashkimi Evropian duhet forcuar dhe duhet bërë më fleksibël, duhet të vijojë të jetë model shprese, demokracie dhe mirëqenieje. Na duhet më shumë Evropë jo më pak Evropë.

Please follow and like us: