Albspirit

Media/News/Publishing

Bojaxhi: Kriza, rrjedhojë e pazareve në tavolinë. Qytetarët kanë të drejtë të votojnë më 18 Qershor

Gjergj Bojaxhi, anëtari themelues i SFIDA për Shqipërinë, thotë se zgjedhjet nuk janë të partive politike por të qytetarëve, prandaj duhen bërë brenda afateve ligjore që cilëson Kushtetuta.

I ftuar në emisionin “Versus” në Report TV, Bojaxhi thotë se kriza politike ka ardhur si pjesë e pazareve politike të bëra në tavolinë dhe nuk duhet t’u heqë qytetarëve të drejtën për të votuar më 18 qershor.

“Riciklimi i elitave politike sa më shpesh, me votë dhe jo me pazare politike, do të jetë zgjdhja për situata të tilla në të ardhmen,” u shpreh ai.

Ai thotë se nuk mund të ketë diskurs dhe debat publik se kush e ka shkelur më pak apo më shumë ligjin, por duhet të flitet se kush ka bërë politika më eficente brenda kuadrit ligjor. Sipas tij këto parti kanë dështuar.

“Situata politike nuk është gjë tjetër veçse një përsëritje në përkeqsim. Kriminaliteti ka qenë gjithmonë prezent dhe tashmë duket se ka filluar të legjitimojë veten”.

Bojaxhi shprehet se institucionet shtetërore janë të dobëta, në kontekstin ku përgjegjësia i takon vetëm një pale politike.

“Në Shqipëri gjithnjë e më shumë krijohen institucione të dobëta që kapen lehtësisht nga krimi. Reforma duhet të ishte bërë me kohë dhe të fillonte nga politika së pari”, theksoi anëtari themelues i SFIDA për Shqipërinë.

Please follow and like us: