Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Hoxha: Qeveria teknike, i vetmi kompromis i arsyeshëm

Çdo lexues mund të testojë të gjitha alternativat e mundshme e të dalë në përfundimin e titullit të shkrimit, me kushtin që të barazlargohet nga palët.

Për këtë mjaton që lexuesi të pranojë njëkohësisht se, secila palë politike i beson sinqerisht vlerësimit që ka për tjetrin dhe për veten, pra:

i) opozitarët besojnë se kanë të bëjnë me një Rilindje të kriminalizuar dhe Krim në pushtet, të cilëve s’mund t’u besohen zgjedhjet sa kohë janë në pushtet ndërsa vetë janë të çliruar nga krimi etj, etj;

ii) rilindësit besojnë se kanë të bëjnë me një opozitë që do të na ndajë nga Europa, i druhet drejtësisë ndaj nuk duan zgjedhje ndërsa vetë janë reformatorët e paparë, po bëjnë shtet, as që kanë ndërmend të prekin zgjedhjet që i fitojnë rehat rehat etj, etj.

Në këto rrethana e nga ky pozicion, cila është zgjidhja e vetme e arsyeshme konsensuale që garanton pjesëmarrje në zgjedhje dhe kryerjen normale të tyre?

A mund të jetë një qeveri me Kryeministër Edi Ramën qoftë edhe me të gjithë ministrat teknikë por të zgjedhur prej tij? Përgjigjia është afërmendsh, JO për palën opozitare pasi Edi Rama është ideatori dhe ekzekutori i sistemit kriminal në pushtet, rrezik për zgjedhjet, sipas tyre.

Po një qeveri me Kryeministër Edi Ramën dhe disa ministra demokratë për kundërpeshë? Nga këndvështrimi pragmatist partiak edhe mund të konsiderohej alternativë por do ishte një qeveri thellësisht e përçarë, me Ministra në luftë me Kryeministrin dhe anasjelltas. Një qeveri e këtillë do ishte një shkatërrim për vendin.

Edhe nëse ministrat kundrapeshë do të ishin teknike por, në një farë mënyrë, do t’i imponoheshin Edi Ramës nga opozita a një tjetër përsëri kjo nuk do ishte zgjidhje sepse, ose këta ministra do të sfidonin Kryeministrin për ta shndërruar në buratin ose ky do i dominonte ata.

Një alternativë për t’u shqyrtuar do të ishte një qeveri e përbashkët me kryeministër e ministra politikë por pa Edi Ramën. Çështja është se këta do përzgjidheshin nga radhët e politikanëve më aktivë e më të besuar të të dy palëve, me vlerësime diametralisht të kundërta për njëri-tjetrin ndaj zor se do dakordësoheshin për emrat. Edhe nëse do të dakordësoheshin emrat, kjo qeveri do të ishte njësoj konfliktuale nga brenda si ajo e alternativës politike pararendëse. Pra s’mjafton vetëm mungesa e Edi Ramës në qeveri. Duhet më shumë se kaq.

Ndaj mbetet që e vetmja zgjidhje konsensuale është që qeveria t’i besohet përkohësisht “një pale të tretë” pra, disa personave me profil të lartë teknik, të papërzier në politikën e ditës, të njohur për integritet, të propozuar e pranuar konsensualisht nga palët. Kjo është qeveria teknike: kompakte, pa konflikte të brendshme, dinjitoze, garante për zgjedhjet dhe normalitetin e ndershmërinë e tyre.

Për më tepër, nëse konsiderojmë se kriminalizimi, drogëzimi, kanabizimi nuk janë opinion i krijuar në keqinformim e keqkuptim nga opozita por një realitet i prekshëm dhe rrezik eminent del se qeveria teknike është kërkesa me minimale që mund të bëjë opozita. Çdo propozim i ndryshëm nga ky, bërë nga kushdo, qoftë edhe nga ndërkombëtarët, është propozim i paarsyeshëm deri idiot ose hileqar.

E, meqë rilindësit e kanë fort merak vetting-un, demokratët gati i kanë amendimet ligjore. Gjithçka mund të përgatitet paketë: edhe përbërja e qeverisë teknike bashke me detyrat e saj dhe kohën e mjaftueshme në dispozicion  edhe përmirësimi i ligjit bashkë anëtarët e komisioneve të vetting. Sapo të jetë gati, pak ditë punë kërkon, gjithçka mund të miratohet paketë në Kuvend.

Ndaj, testi i vetëm për palët, e për këdo tjetër, që tregon se ç’je a çdo, është pranueshmëria apo jo e qeverisë teknike.

Please follow and like us: