Albspirit

Media/News/Publishing

Përçartjet e analistëve dhe “Nga vjen? Kush je? Dhe kush kërkon të jesh?”

Kasem Seferi

Kurrë nuk kam menduar se, duke u marrë me gjuetinë e individëve të veçantë dhe jo me dukurinë që paraqesin ata, mund të jesh i drejtë dhe i dobishëm për shoqërinë, veçanërisht, për shoqërinë tonë që ende lëngon nga disa sëmundje “atavike” për Europën ku duam të bëhemi pjesë; pikërisht, atje ku edhe na kanë pranuar në parim, por jo me të vërtetë (ose shpirtërisht).

Dyshimet e Europës ku duam të bëhemi pjesë, si arsye kryesore ka:

politikanin shqiptar këtë individ që i ka të gjitha tiparet e duhura, me përjashtim të ndershmërisë dhe sinqeritetit; dhe

se populli shqiptar është një shumësi individësh që, me votë, në mënyrë naïve, ose për pajekuri, i beson pandershmërisë dhe mungesës së sinqeritetit të politikanit shqiptar.

Kaq vite, kaq mund, kaq jetë të humbura, kaq përpjekje, kaq dhimbje, kaq fjalë, kaq shpresa për t’u bërë pjesë e Europës së Bashkuar dhe, pothuajse, asgjë nga politika shqiptare.

Shumë individë, nga të cilët disa të përfshirë në politikë në mënyrë të drejtëpërdrejtë, duke pasur edhe titullin deputet ose ministër, si dhe në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë, duke punuar në media, ose duke e vetëmarrë titullin analist, që me të drejtë, kanë kritikuar dhe kritikojnë çdo veprim politik që cënon dhe dreqos interesin e qytetarit të varfër shqiptar (një prej abuzimeve me drejtat e tij), asnjëherë nuk kanë folur për “kontributin” e tyre në këtë cënim dhe këtë dreqosje.

Më e bukura në këtë “histori” është fakti se duket sikur pjesa më e madhe e tyre nuk i ka përdorur ende të gjithë flamujt e atij sepetit të famshëm të përshkruar në veprën “Kronikë në Gur” nga Ismail Kadare.

Pretendojnë se janë individë që përpiqen që të bëhemi pjesë e Perëndimit, por që, fatkeqëisht, veprojnë me metodat e trashëguara të Top Kapisë (metodat bizantine).

Në frymën e këtij shtjellimi do të desha të pyes secilin prej tyre:

Nga vjen? Kush je? Dhe kush kërkon të jesh?

Të tre pyetjet përbëjnë vetëm atë që shqiptari i thjeshtë, pa dallim sot, thotë me dhimbje:

NUK BËHET KY VEND!

Por, shpresën ende shqiptari nuk e ka humbur, sepse ajo vdes e fundit.

U zgjodh Ilir Meta President. Edhe pse thonë se shqiptarët e kanë kujtesën kohëshkurtër, nuk mund të thuhet me bindje se është harruar 21 Janari 2011.

Nuk besoj se ishte qytetari shqiptar i akuzuari për korrupsion që nga një protestë e shpallur paqësore të kalohej në dyndje barbare (me hunj) kundër policisë së paarmatosur dhe në përleshje ku nuk e mori vesh dreqi të birin.

Pak muaj më vonë, në Shkodër PS dhe LSI lidhin një pakt (bëjnë një marrëveshje), kur gjaku e katër qytetraëve ende nuk ishte tharë. Politika e gjeti gjuhën, ndërsa populli kujtoi thënien “Politika është kurvë“.

E drodhën me “lesh kombinati“ për katër vjet. Mirëpo fijet e kanabisit nuk përputhen me teknologjinë e leshit dhe për t’ia arritur një teknologjie të tillë, bënë prova dhe gjetën një pëlhurë që edhe të ngroh edhe të kruan deri në acarim.

Qytetari, pret të shohë, të provojë dhe të vlerësojë se sa e shtrenjtë do të jetë kjo pëlhurë e moralit politik.

Please follow and like us: