Albspirit

Media/News/Publishing

Shtypi ndërkombëtar, si pasqyrë për një Francë që s’beson më tek vetja

Franca, Franca, Franca. Pavarësisht nga toni i artikujve dhe nga ndryshimet në analiza, sot Franca është shumë e pranishme në faqet e para të gazetave të huaja, të cilat i kushtojnë artikuj pa fund zgjedhjeve franceze, në Evropë dhe në mbarë botën.

Ky është lajm i mirë, s’ka asnjë dyshim. Kjo vëmendje mund të ndryshojë mendimin jo dhe aq të mirë, që francezët kanë për veten e tyre, këtë depresion që shtyn shumëkënd të mendojë se Franca është në rënie, i dënuar, se asgjë dhe askush nuk mund t’ia rikthejë vendin e vet në botë dhe shkëlqimin e të kaluarës.

Eshtë një ndjenjë e çuditshme, që vendet e tjera nuk e ndajnë. E demonstrojnë gazetat e tyre, sepse nuk do të shkruanin aq shumë për Francën, nëse ne Franca nuk do të kish më fare peshë. Po pse francezët kanë pushuar së besuari në veten e tyre?

Një rol special që ka humbur

Michel Rocard mendonte shkaku duhej të kërkohej në vjeshtën e vitit 1940. Ish-kryeministri ishte i bindur se Franca nuk e kishte marrë ndonjëherë veten, nga koha kur një komb i tërë krenar, ishte zhytur në dorëzimin e humbjes dhe kolaboracionizmit. Por lufta nuk ishte vetëm Vichy dhe grumbullimet e hebrenjve, të kryera nga policia franceze.

Ne nuk mund të harrojmë de Gaulle dhe qeverinë franceze në mërgim në Londër, rezistencën dhe të gjithë njerëzit pa emër, të gjithë heronjtë e djathtë dhe të majtë, që nuk morën pjesë në ligësinë e përgjithshme.

Jo, Rocard e mbivlerësonte rëndësinë e atij momenti të tmerrshëm. Ajo nga e cila Franca nuk arrin ta rimarrë veten, është ideja e të mos qenit në gjendje të mbështetet në veten e saj, si kohët e de Gaulle, kur çlirimtari i saj e kishte ushqyer me iluzionin, se ishte e rëndësishme sa në kohën e Luigjit XIV, revolucionit ose Bonapartit, duke e vendosur atë mbi palët e luftës së ftohtë. Speciale, e pavarur dhe e gatshme për dialog me të gjithë.

Prej kur nuk ekziston më bllok sovjetik, Franca nuk mund të jetë mbi palët, pra Lindjen dhe Perëndimin. Që kur bashkimi i dha Gjermanisë rëndësinë evropiane që meriton, për shkak të gjeografisë së saj dhe fuqisë ekonomike, Franca nuk mund të jetë në komandë të Evropës.

Sigurisht, Franca ka humbur disa karta fituese, por atëherë pse gazetat e huaja i japin rëndësi? Dhe përse merret me të edhe Donald Trump, i cili ishte informuar për zgjedhjet presidenciale nga ana e përfaqësuesit francez në OKB, François Delattre?

Një dhuratë e gjetur

Trump pyet në lidhje me Francën, dhe nuk është i vetmi kryetar shteti që e bën. Pavarësisht nga depresioni, në fakt, Franca mbetet ekonomia e pestë më e madhe në botë, një vend ku shteti social është shumë i fortë, me një ushtri që ka një rol të rëndësishëm në botë, kompanitë e të cilës kanë një peshë të madhe (duke përfshirë start-upet), për të mos përmendur kinemanë dhe vitalitetin që e shtyn të kërcejë në pedanë, atëherë kur duket se gjithçka ka ngecur.

Franca ishte në gjendje që të nxirrte fitues në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale një 39-vjeçar, të cilit i ka shkrepur në mendje të ribëjë skenën politike kombëtare, dhe me të vërtetë mund të jetë në gjendje që t’ia dalë mbanë. Pavarësisht nga toni dhe ndryshimet në analiza, vëmendja e gazetave të huaja është një dhuratë për Francën. / France Inter – bota.al

Please follow and like us: