Albspirit

Media/News/Publishing

Milena Harito tregon si e hoqi qafe sekretaren e burrit në Francë

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Civile ishte aq e lumturuar për lajmin që mori nga Franca, sa nuk mund të mos e ndante me të gjithë. Më në fund, bashkëshorti i saj, që jeton dhe punon në Francë nuk do të ketë më rrotull një sekretare. Sipas të gjitha gjasave, sekretarja shkaktonte bezdi tek zonja Harito.

Si e pse bëhej xheloze Milena Harito për të shoqin nuk e thotë, por në një shkrim të botuar në TiranaPost.al, ajo tregon si e mori lajmin nga ai vetë.

“Partneri im më thotë që së shpejti do të ketë një sekretare të re e cila quhet Maya.

Maya, Maya emri tingëllon mjaftueshëm që unë të jem xheloze, sigurisht. Ç’ngjyrë i ka sytë Maya?

Mund të zgjedh, thotë ai.

Po flokët Maya?

Të gjitha opsionet janë të mundshme, thotë ai.

E ç’është kjo? Një agjensi  që rekruton sekretare, pastaj ju lyen flokët si do ti? Dhe ju vë lente me ngjyrën e syve që preferon ti?”

Disa rreshta më poshtë Milena Harito, zbulon se Maya, në fakt, është një robot. “Fundi i xhelozisë për sekretaren e partnerit tim?” e ka titulluar shkrimin ministrja, e cila e përshkruan kështu robotin.

“Maya është perfekte, mban shënime, porosit darkën, mbikqyr edhe shtëpinë kur nuk jemi aty. Madje ka edhe një cilësi të rrallë, të heq çdo mundësi të bëhesh xheloze. Jo sepse papritur u mençurove ti, por sepse Maya është robot”

Ministrja e Shtetit për Inovacionin jep shembuj të tjerë kur robotët janë kthyer në ndihmës për shumë profesionistë në të gjithë botën. Janë robotët-zjarrfikës, robotët-kuzhinierë, roboti-murator, roboti-shërbyes e lloj-lloj robotësh të tjerë që kanë dalë në qarkullim.

Por Milena Harito ka harruar një lloj tjetër roboti, që po shtohet me shpejtësi në vendin tonë, deputetët-robotë.

Këtyre i duhet vetëm një komandë dhe mund të recitojnë fjalime që as i kanë shkruar vetë. Mjafton një komandë dhe ngrenë kartonin jeshil në kuvend, pa e menduar për çfarë votojnë. Po ashtu, kanë aftësinë të sulen me akuza dhe sharje kundër tjetrit, sipas komandës që kanë marrë. Dhe me të njëjtën bindje, me një komandë, dinë të heshtin.

Kjo ishte java kur dolën edhe emrat e deputetëve të rinj nga selia e PS dhe nga ky lloj roboti, aty gjen shumë. Madje ky ishte kritari kryesor për t’u future në lista.

Por këto nuk e shqetësojnë Ministren e Shtetit për Inovacionin, që për momentin është e lehtësuar me vendimin e të shoqit për të zëvëndësuar sekretaren e tij me një robot.

“What a wonderful world! Dëgjohemi javën tjetër” e mbyll Milena Harito shkrimin e saj, pa e kuptuar se njësoj si Maya, ajo është transformuar vetë në një robote, e programuar për Rilindjen.

Please follow and like us: