Albspirit

Media/News/Publishing

Tre anëtarët e djathtë në KQZ: Regjistrimi i kandidatëve për deputetë i paligjshëm

Tre anëtarë të KQZ (zgjedhur nga e djathta), Hysen Osmanaj, Klement Zguri, Vera Shtjefni deklarojnë se Komisioni po vepron përmes urdhërave politik të mazhorancës. Ata akuzojnë se janë bërë shkelje flagrante të ligjit nga kryetari (zjgedhur nga e majta) Denar Biba. Sipas tyre listat e kandidatëve për deputete janë pranuar përtej atafeve, pasi duhet të dorëzoheshin më 28 Prill dhe jo me 29 siç ndodhi. Më tej, Osmanaj, Zguri dhe Shtjefni deklarojnë se kryetari i KQZ shpik norma të reja ligjore duke shtyrë afatin e regjistrimit të subjekteve më 3 Maj.

Deklarata e plotë

Tre anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bëjnë të ditur se deklaratat publike të KQZ të ditëve të fundit (datat 29 dhe 30 prill 2017) nuk përfaqësojnë asnjë vendimarrje të KQZ.

Ato janë qëndrime personale në kundërshtim më misionin e KQZ-së, si organi më i lartë shtetëror, i ngarkuar nga ligji zgjedhor për administrimin e zgjedhjeve, si edhe jane tejkalim flagrant i kompetencave të kryetarit të këtij organi.

Fatkeqësisht në deklaratën e datës 29 Prill 2017, jashtë mbledhjes së KQZ dhe në tejkalim të çdo kompetence ligjore, në emër të KQZ, është bërë një interpretim subjektiv i nenit 67 të Kodit Zgjedhor, duke vendosur që “afati i regjistrimit të listave shumemërore të kandidatëve të partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e datës 18 qershor 2017 […] korrespondon me datën 29 prill 2017”, pavarsisht se në çdo perllogaritje kjo datë duhej të ishte 28 prill 2017, në mesnatë. Rrjedhimisht, çdo rregjistrim për lista të paraqitura nga subjektet tej këtij afati është nul, i paligjshëm dhe i pavlefshëm.

Në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor, përmes një deklaratë të dytë (dt 30.4.2017), kryetari i KQZ shpik norma të reja ligjore duke vendosur një afat tjetër ligjor për regjistrimin e subjekteve zgjedhore/listave të kandidatëve, datën 3 maj 2017, kur dihet që ky afat ka mbaruar prej më shumë se 20 ditësh.

KQZ nuk mund të krijojë apo ndryshojë afatet ligjore zgjedhore që i ka caktuar Kodi Zgjedhor përmes deklaratave por duhet vetëm t’i zbatojë ato.

Shprehim shqetësim të thellë që këto qendrime të përsëritura po kompromentojnë misionin e KQZ duke i dhënë KQZ, një pozicion partizan, të anshëm, në shërbim të mazhorancës politike aktuale. Nëse vazhdohet me këto qëndrime KQZ rrezikon të dëmtojë rëndë procesin zgjedhor.

Hysen Osmanaj, (N/kryetar i KQZ) Klement Zguri (Anetar) Vera Shtjefni, (Anetare)

Please follow and like us: